Raporti i fundit ekonomik për Ballkanin Perendimor i Bankës Botërore thekson se rritja ekonomike e Shqipërisë u tkurr me 3.3 përqind në vitin 2020, shifër më e vogël kjo nga parashikimi i mëparshëm. Pandemia COVID-19 i rëndoi humbjet ekonomike të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019. Masat post-COVID dhe procesi i rindërtimit pas tërmetit ndikuan në zvogëlimin e efekteve të pandemisë.
Procesi i rindërtimit pritet të jetë shtylla kryesore e rimëkëmbjes ekonomike në vitin 2021.
Më poshtë gjetjet kryesore të raportit
Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – pritet të kenë sërish rritje ekonomike gjatë vitit 2021, pas recesionit të 2020-s, më i rëndi i regjistruar ndonjëherë në rajon. Pas goditjes shkatërruese ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi në një tkurrje të rritjes ekonomike të rajonit në një nivel të vlerësuar prej -3.4 përqind në vitin e kaluar, rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të rritet me 4.4 përqind në vitin 2021. Më pas, ritmet e rritjes ekonomike pritet të stabilizohen në 3.7 në 2022 dhe 2023, ku efektet e zgjatura të pandemisë do të vijojnë të ngadalësojnë investimet dhe punësimin në rajon.
Banka Botërore vëren se, “Ne po shohim vërtet disa trende pozitive në rajon si rezultat i masave të shpejta të ndërmarra nga shumë vende për të frenuar pasojat e rënda të pandemisë, por pasojat shkatërruese të pandemisë në sistemin shëndetësor dhe ekonomi do të vijojnë të ndihen” thotë Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Nisja e vaksinimit, e shoqëruar me përmirësime në drejtim të besimit, konsumit dhe tregtisë, gjithashtu do të ndihmojë në ruajtjen e këtij momenti, por vendet duhet të mbeten vigjilente në përpjekjet e tyre për të prezantuar dhe përforcuar politika që mundësojnë rritje ekonomike, mbrojnë rezultatet në fushën e shëndetësisë dhe rrisin kapitalin njerëzor”.
Pandemia ndërpreu progresin e arritur gjatë një dekade në vendet e rajonit në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë, ndërkohë që tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanëmundur të rikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë – duke lënë të papunë një numër të lartë personash dhe duke i detyruar shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës. Megjithëse norma e papunësisë pësoi rënie – nga 13.5 për qind në 2019 në 12.6 për qind në 2020 – kjo erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së numrit të personave joaktivë, ndërsa numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020. Për më tepër, këto humbje prekën në mënyrë disproporcionale shtresat më të cënueshme të popullsisë në rajon, përfshirë gratë dhe të rinjtë, ku norma e papunësisë së të rinjve u rrit në 33.6 për qind në 2020, duke ndërprerë në këtëmënyrë trendin rënës të saj gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas raportit, përpjekjet e politikave në rajon duhet të vijojnë të përqendrohen në mënyrë të vendosur në luftën kundër pandemisë, zvogëlimin e kostove sociale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes. Të gjitha vendet e rajonit duhet të garantojnë pajisjen e sistemeve të tyre shëndetësore me burime të mjaftueshme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, testimin, terapitë, pajisjet e mbrojtjes personale si dhe përmirësimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të kujdesit shëndetësor. Investimet në arsim, dixhitalizim dhe projekte të tjera në infrastrukturë si dhe iniciativat e gjelbërta duhet të kenë gjithashtu përparësi, pasi ato mund të përshpejtojnë tranzicionin e nevojshëm drejt uljes së varësisë ndaj karbonit, ndërsa vendet dalin nga situata e pandemisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.