Raporti i Eurostat: Shqipëria, vendi me peshën më të lartë të emigracionit drejt BE - Business Magazine Albania

Raporti i Eurostat: Shqipëria, vendi me peshën më të lartë të emigracionit drejt BE

Ndonëse Shqipëria është një nga shtetet më të vogla të Europës, shtetasit e saj janë të shpërndarë nëpër vendet e Bashkimit Europian, duke qenë në listën e vendeve kryesore për kombësinë e vendeve të jo BE-së që janë rezidentë në Bashkimin Europian.

Nëse krahasohet me madhësinë e popullsisë, vendi ynë kryeson listën në Europë, në një tregues të përmasave të mëdha të emigracionit.

Sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat, shtetasit shqiptarë u renditën në vend të 11 në grafikun e kombësive kryesore të shtetasve jo të BE-së, që janë rezidentë në BE në vitin 2024, sipas numrit në vlerë absolute.

Sipas grafikut janë rreth 550 mijë shqiptarë që jetojnë në vendet e BE-së, kryesisht në Itali, por siç shënohet në legjendë, në grafik mungon Greqia, ku sipas të dhënave të ndryshme jetojnë të paktën edhe 500 mijë shqiptarë. Në nivelin e mbi 1 milionë banorëve, Shqipëria do të renditej në vend të katërt në numër absolut, pas shtetasve të Ukrainës, Turqisë, Marokut.

Nëse llogaritet në bazë të popullsisë së mbetur në vendin e origjinës, Shqipëria absolutisht kryeson, madje edhe pa përfshirë të dhënat e Greqisë. Shqipëria me rreth 550 mijë shtetas në BE dhe një popullsi 2.36 milion banorë, arrin rreth 230 shtetas për 1,000 banorë, një shifër shumë më e lartë se çdo vend tjetër në grafik.

Lexo edhe: Qeveria miraton ndërtimin e një centrali fotovoltaik 95 MW në Kavajë

Edhe pa përfshirë Greqinë, treguesi e vendos Shqipërinë dukshëm mbi vendet e tjera të rajonit, si Kosova (218), Maqedonia e Veriut (107), Bosnja dhe Hercegovina (125) apo Serbia (68), të cilat gjithashtu shfaqin nivele të larta emigracioni, por më të ulëta se Shqipëria.

Nëse përfshihet edhe Greqia, ku jeton një numër i madh shqiptarësh, pesha e emigracionit për 1,000 banorë rritet edhe më shumë, duke arritur në 466 emigrantë për 1,000 banorë, pra afërsisht 1 në 2 shqiptarë jeton në BE, çka e vendos vendin dukshëm në krye të listës në raport me popullsinë.

Diferencat janë të theksuara në raport me shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute për shkak të popullsisë së lartë që ato kanë në vendin e origjinës. Për Ukrainën, Eurostat raporton rreth 2.6 milion shtetas rezidentë në BE, por të krahasuar me një popullsi rreth 39 milion banorë, kjo përkthehet në rreth 67 shtetas për çdo 1,000 banorë.

Në rastin e Turqisë, me rreth 1.7 milion shtetas në BE dhe një popullsi rreth 85 milion, pesha bie në rreth 20 për 1,000 banorë, ndërsa për Marokun, me rreth 1.5 milion shtetas në BE dhe një popullsi rreth 37 milion, niveli është rreth 41 për 1,000 banorë. Ky krahasim nxjerr në pah se grafiku i Eurostat, edhe pse e rendit Shqipërinë jashtë “top 10” në numër absolut, e vendos vendin në krye kur shifrat normalizohen me popullsinë, duke reflektuar një emigracion me përmasa shumë të mëdha për një vend të vogël, ndoshta unike në botë, siç tregon qartë dhe grafiku në raport me madhësinë e popullsisë.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0