Raporti i BSH-së: Shqipëria dhe Serbia me krizën më të thellë të kredisë në rajon - Business Magazine Albania

Raporti i BSH-së: Shqipëria dhe Serbia me krizën më të thellë të kredisë në rajon


Shqipëria është vendi që po kalon krizën më të thellë të kreditimit në Europën Julgindore dhe atë Qendrore duke lënë pas vetëm Serbinë. Ky është përfundimi i një raporti të Bankës së Shqipërisë, i cili analizon të dhënat më të fundit mbi ecurinë e aktivitetit kreditues në ekonomitë e rajonit.

Raporti referon të dhënat e kredisë për biznese. Sipas tij rezulton gjatë vitit 2015 kredia për ndërmarrjet private në Serbi ka rënë me 12 për qind në terma realë krahasuar me një vit më parë. Kjo është rënia më e madhe në rajon, që pasohet nga Shqipëria.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin në Shqipëri vitin e kaluar ra me 7 për qind në terma realë krahasuar me 2014 duke shënuar rënien më të madhe historike.

Në vendet e tjera të rajonit aktiviteti kreditues shfaqet i përmirësuar kundrejt tremujorëve të kaluar. Teprica e kredisë për sektorin privat u rrit me rreth 3.5% , ndërsa kredia për bizneset ishte 2.6 për qind më e lartë se një vit më parë.

Biznesi i pasigurt

Sipas Bankës së Shqipërisë kriza e kredive pasqyron politikën e shtrënguar të bankave, por edhe kërkesën e dobët të biznesit dhe individëve për borxh. Kërkesat nga autoritetet rregullative të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës, persistenca e rëndësishme e stokut të huave me probleme në bilancet e bankave dhe struktura afatshkurtër e burimeve të financimit zbehin gatishmërinë e bankave për të financuar sektorin privat me kredi afatgjatë.

Në krahun e kërkesës, ngërçi i kredisë është i lidhur me praninë e vazhduar të hendekut negativ të prodhimit si edhe të pritshmërive ende të paqëndrueshme të biznesit dhe të konsumatorëve për rritjen ekonomike të vendit.

Rrezik për ekonominë

Kriza e kredive është shndërruar në rrezikun më të madh për ekonominë shqiptare. Në programin e reformave ekonomike 2016-2018 qeveria pranon se ngërçi i kredive rrezikon ta mbajë ekonominë në një krizë të gjatë duke frenuar ringritjen e saj.
“Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare,” thuhet në dokumentin strategjik të miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave.

Aktiviteti kreditues u duk sikur u gjallërua në gjysmën e parë të vitit 2015, i nxitur edhe nga normat e favorshme të interesit të kredisë në monedhën vendase.

Në periudhën janar-qershor, kredia e akorduar për sektorin privat shënoi një rritje me 5.3%, nga një tkurrje prej 2.5% në qershor 2014. Por në gjysmën e dytë të vitit, kreditimi u ngadalësua në mënyrë të konsiderueshme.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në janar kredia për ekonominë ishte 2.6% më e ulët se një vit më parë, kryesisht për shkak të tkurrjes së kredisë për bizneset.

 

/Gazeta Ekonomia/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0