Raporti: AI po sjell më shumë para për aplikacionet, por përdoruesit po largohen më shpejt - Business Magazine Albania

Raporti: AI po sjell më shumë para për aplikacionet, por përdoruesit po largohen më shpejt

Raporti: Aplikacionet me Inteligjencë Artificiale kanë më shumë vështirësi për të mbajtur përdoruesit

Ndërsa gjithnjë e më shumë aplikacione po integrojnë Inteligjencën Artificiale për të tërhequr përdorues dhe për të rritur të ardhurat, një raport i ri tregon se kjo nuk garanton sukses në afat të gjatë.

Sipas raportit “State of Subscription Apps 2026” të kompanisë RevenueCat, aplikacionet me AI kanë vështirësi më të mëdha për të mbajtur abonentët, pasi përdoruesit anulojnë abonimet e tyre rreth 30% më shpejt krahasuar me aplikacionet që nuk përdorin AI.

Raporti bazohet në analizën e mbi 1 miliard transaksioneve brenda aplikacioneve, të menaxhuara përmes platformës RevenueCat nga më shumë se 75 mijë zhvillues, që gjenerojnë mbi 11 miliardë dollarë të ardhura në vit.

Aktualisht, vetëm 27.1% e aplikacioneve në ekosistem janë të klasifikuara si aplikacione me AI, ndërsa pjesa më e madhe, 72.9%, nuk përdorin ende këtë teknologji. Aplikacionet në kategorinë Foto & Video kanë përqindjen më të lartë të integrimit të AI, ndërsa gaming, travel dhe business mbeten më pak të ndikuara.

Lexo edhe:Çfarë është Silicon Valley? Vendi ku lindën dhe u zhvilluan kompanitë e teknologjisë së informacionit

Të dhënat tregojnë se aplikacionet me AI performojnë më dobët në mbajtjen e të abonuarve. Pas një viti, vetëm 21.1% e përdoruesve mbeten abonentë, krahasuar me 30.7% për aplikacionet pa AI. Edhe në nivel mujor, normat e mbajtjes janë më të ulëta për aplikacionet me AI.

Një tjetër tregues është edhe niveli më i lartë i rimbursimeve: aplikacionet me AI kanë rreth 20% më shumë kërkesa për kthim pagese, çka tregon se disa produkte nuk arrijnë të përmbushin pritshmëritë e përdoruesve.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa avantazhe. Aplikacionet me AI arrijnë të konvertojnë përdoruesit nga provë falas në abonim me pagesë 52% më mirë dhe gjenerojnë më shumë të ardhura për përdorues në krahasim me aplikacionet tradicionale.

Në përfundim, raporti sugjeron se AI ndihmon në monetizimin e shpejtë të aplikacioneve, por sfida kryesore mbetet krijimi i një vlere të qëndrueshme që i bën përdoruesit të qëndrojnë për një kohë më të gjatë.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0