Landa Grembi, Inxhinere IT
Rishtas, ekspertë të teknologjisë së informacionit, e gjejnë veten duke rendur pas konferencave, seminareve apo organizimeve të ndryshme, të cilat kanë si kryefjalë: “ Qytetet Inteligjente“. Teksa rendja ka vite, natyrshëm vijnë pyetjet: a jemi në drejtimin e duhur duke bërë pyetjet e duhura në këtë lëmi? Çfarë po kërkojmë të arrijmë në të vërtetë me nismat për “Qytetet Inteligjente”?
Në krye të herës, le të përballemi me realitetin apo me atë çka në të vërtetë artikulohet me guxim rëndom në Shqipëri e më tej: për shumë prej qyteteve të qënit “inteligjent” është një ëndërr ende e largët. Buxhetet e një qyteti sa vijnë e shkurtohen duke marrë parasysh se shqetësimet e përditshme janë shumë më të zakonshme se një sensor parkimi diku apo një dritë inteligjente atje, të cilat një qytet inteligjent premton.
Po cilat janë sfidat aktuale për të ndërtuar një qytet inteligjent, i cili do të përmushte kërkesat si të qytetarëve ashtu dhe të drejtuesve të tij? Nëse do ti marrim me rradhë vendin e parë do ta zinte pa dyshim infrastruktura. Një ndër zgjidhjet tipike ofruar nga industria e teknologjisë së informacionit për qytetet është ajo me sensorë, duke mundësuar marrjen e të dhënave nga terreni, të cilat më pas përdoren për përmirësimin e jetës së banorëve. Problemet fillojnë me instalimin e tyre në infrastrukturën aktuale të qyteteve bashkëshoqëruar këto me problemin tjetër, i cili lidhet me mënyrën e furnizimit me energji të këtyre sensorëve. Energji diellore apo bateri me jetë të gjatë? Kjo e fundit po preferohet gjithmonë e më shumë (temë të cilën do të duhet të flasim gjatë në një tjetër shkrim).
Metropolet, në ditët e sotme përballen me domosdoshmërinë e zëvendësimit të infrastrukturës së vjetër, por sfidat mbeten aty, kryesisht me pjesën e instalimeve nëntokësore, ku qasja është e kufizuar (p.sh në qytetet me linja transporti nëntokësore). Pashmangshmërisht me infrastrukturën gjendet dhe problemi i financimit të këtyre projekteve duke vijuar me proceset e miratimit, të cilat mund të kërkojnë vite për t‘u zbatuar.
Vendi i dytë në sfidën e radhës i takon sigurisë së qytetarëve nga vetë këto zgjidhjeve të ofruara. Me rritjen e përdorimit të teknologjisë nëpërmjet sensorëve kryesisht, rritet paralelisht dhe kërcënimi ndaj sigurisë. Kjo e fundit shtron pyetjen e natyrshme: a është teknologjia me të vërtetë e konsideruar “e zgjuar mjaftueshëm” nëse hakerat mund të ndërhyjnë duke shkaktuar dëme të rënda për një qytet të tërë? Kohët e fundit një nga diskutimet e nxehta janë gjithashtu kërcënimet kibernetike duke i drejtuar qytetet apo prodhuesit vetë, drejt zgjidhjeve të sigurta për t’u mbrojtur nga krimet dhe hakmarrjet kibernetike.
Një nga metodat e përdorura janë ato të kodimit duke ia bashkëngjitur zgjidhjeve përkatëse.
Lexo: Quo vadis telefoni
Pa dashur t’ia humbasim aspak rëndësinë që ka, privatësia e qytetarëve mbetet një nga pikat e dobëta kur këto zgjidhje ofrohen sidomos në qytetet e mëdha. Gjithkund ku jetojmë kërkojmë një ekuilibër mes cilësisë së jetës dhe “pushtimit” të privatësisë nga teknologjia. Teska mundohemi që të jetojmë e të gëzojmë, si individë në një mjedis të përshtatshëm, paqësor dhe të shëndetshëm, asnjë nga ne nuk dëshiron që të ndihet se po monitorohet vazhdimizht nga “Vëllai i Madh”. Kamerat e vendosura në çdo cep të rrugës ndihmojnë padyshim në parandalimin e krimit, por gjithashtu ofrojnë dhe ndjesi frike dhe paranoje për ata që e zbatojnë ligjin. Një tjetër shqetësim në këtë drejtim sjellin dhe të dhënat e mbledhura nga qytetarët. Si shfrytëzohen ato? A përdoren në masën e duhur deri aty sa të mos prekin privatësinë?
E fundit, por e para nga rëndësia: sfida tjetër që drejtuesit e qyteteve hasin është edukimi dhe gjithëpërfshirja nga ana e qytetarëve në këto nisma. Nëse vërtetë ka ardhur momenti që këto qytete të përparojnë në këtë drejtim, ato kanë nevojë padyshim për qytetarë“të mençur”, të cilët duhet të jenë të angazhuar në mënyrë që dhe vetë ata të përfitojnë nga këto nisma të reja. Çdo projekt i ri në një qytet e ka të nevojshme gjatë fazës së zbatimit dhe më tej përfshirjen e vetë banorëve të tij duke u ofruar mundësinë e edukimit njëkohësisht. Kur një komunitet e ndien përfshirjen në vendime, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme, duke ia komunikuar qartësisht, rezultati do të jetë me patjetër pozitiv. Ky do të ishte çelësi i një projekti të suksesshëm. Një shembull i tillë vjen nga Lyon, Francë. Janë në zbatim rreth 100 projekte të ndryshme, për të përmirësuar jetën e qytetit, të tilla si rrjetet e fuqishme të energjisë, përmirësimi i trafikut, cilësia më e mirë e ajrit, etj. Qyteti po bashkëpunon me banorët, sipërmarrësit, korporatat e mëdha dhe startups për të krijuar një“qytet të së nesërmes”.
Rrjedhimisht, nëse gjithçka thënë më sipër do ta krahasonim me qytetet tona në Shqipëri jo vetëm që sfidat janë shumë më shumë se lartpërmendur. Shumë më shqetësuese është mungesa e një ekosistemi. Bashkëpunimet janë sporadikë, aty, këtu disa nisma nga një numër i vogël qytetesh, ku padyshim Tirana është ndër të vetmet në drejtimin e duhur (temë të cilën do e prekim me detaje më vonë).
Lexo: Tirana Smart City – Matësat inteligjentë për cilësinë e ajrit, në aplikacionin “Tirana Ime”
Shqetësues është gjithashtu fakti se mungon bashkëpunimi midis Universiteteve dhe vetë qeverisë vendore. Potenciali për të “lindur” projekte, të cilat në zbatim do të përmirësonin jetën e qytetarëve janë laboratorët, thënë ndryshe auditorët e universiteve. Por, kjo nuk përjashton aspak incentivat që duhet të ofrojë pushteti vendor nga ana e tij.
Nëse të gjithë biem dakort që teknologjia ka fuqinë të bëjë jetët tona më të thjeshta – sidomos në zonat urbane të mbipopulluara – zbatimi i saj kërkohet dhe duhet të bëhet i planifikuar me kujdes dhe i sigurt. Përqëndrimi nuk duhet të jetë vetëm në atë çfarë zgjidhja ofron, duhet të merret me patjetër në konsideratë se si kjo zgjidhje do të ndikojë tek jeta e vetë qytetarëve.
Kur teknologjia, qeverisja e qytetit dhe komunitetet e njerëzve bashkohen për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë, atëherë mund të themi se ky qytet ia ka arritur qëllimit të quhet i zgjuar. Pasuria më e madhe që një qytet ka janë vetë baronët e tij dhe revolucioni “Qytet Inteligjent” është ende në hapat e parë përtej zhurmës së madhe.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.