Qeveria ka rritur me 24% buxhetin për bujqësinë, nga 8.5 mld që ishte këtë vit në 10.5 mld lekë në 2016-n. Peshën më të madhe e zë rehabilitimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet, ku do të alokohen 4.3 mld lekë, ose 70% më shumë se një vit më parë.
Një pjesë e fondit do të administratohet nga pushteti lokal.
“Masa që do të alokohet në këtë drejtim llogaritet në 1.8 mld lekë, që i shkon mbështetjes së infrastrukturës së kullimit, përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve që transferohet te pushteti lokal”, tha Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë.
“Ministria e Bujqësisë do të kishte dashur 6 muaj kohë, para se t’u kalonte fondet bashkive, pse? Bordet e kullimit kërkojnë ridimensionim dhe fuqizim. 3/4-tat e tyre nuk kanë një inxhinier hidro”, tha deputeti demokrat Genc Ruli.
Një tjetër komponent me rëndësi është ai i zhvillimit rural dhe subvencioneve, me 3.5 mld lekë. Por opozita thotë se, skema aktuale e mbështetjes duhet të ndryshojë, pasi ajo favorizon agropërpunuesit dhe lë jashtë vëmendjes fermerët.
“Sektori tregtar dhe ai i prodhimit e kanë ende aksesin për të marrë kredi. Fermeri nuk e ka, pra jemi treguar të lirë me atë që e ka mundësinë, si dhe të shtrënguar me atë që nuk e ka”, tha më tej deputeti Ruli.
“Do të ndihmohen edhe drejtpërdrejt, por do ta balancojmë me mbështetjen e targetuar si investim në pikat e grumbullimit, sepse shkalla e përfituesve është shumë më e madhe, sesa po t’i orientojmë në mënyrë individuale”, tha ministri Panariti.
Ministri Panariti thotë se, kjo skemë ka funksionuar deri më tani dhe ka orientuar bujqësinë drejt tregjeve të mëdha.
/Top-Channel/