Nëse je në kërkim të një pune, periudha e festave shpesh duket si një zonë “e vdekur”: inbox-e të mbushura me përgjigje automatike out of office dhe procese që duken të ngrira deri në janar.
Por pikërisht kjo qetësi mund të kthehet në mundësi. Sipas vëzhguesve të tregut të punës, të cituar nga Business Insider, ngadalësimi i fundvitit mund të jetë një kohë shumë e mirë për networking dhe për të mbjellë farat e mundësive të reja profesionale.
Një urim feste, një arsye perfekte për të kontaktuar
Dërgimi i një urimi për festa është një justifikim shumë natyral për të nisur një email, mesazh në LinkedIn apo edhe një kartolinë virtuale. Sipas Amanda Augustine, eksperte karriere pranë TopResume, ky është një moment ideal për të sinjalizuar se do të dëshiroje të lidheshe apo të rihapje komunikimin në fillim të vitit të ri. “Është një mënyrë shumë organike për të vendosur bazat e një bisede, një telefonate apo edhe një takimi ballë për ballë,” shpjegon ajo.
Mbill farat për vitin e ri
Gjatë festave, shumë profesionistë kanë më pak takime dhe një ritëm më të qetë pune. Kjo do të thotë se mesazhi yt mund të lexohet me më shumë vëmendje. Augustine sugjeron që, në varësi të marrëdhënies që ke me personin, mund të shoqërosh urimin me një propozim të lehtë: një kafe, një drekë, apo një telefonatë të shkurtër pas festave.
Ajo tregon rastin e një klienteje që kishte përgatitur një listë me rekrutues me të cilët kishte pasur komunikim gjatë vitit. Ajo u dërgoi urime për festa, shtoi një përditësim shumë të shkurtër mbi atë që kishte bërë kohët e fundit dhe theksoi se ishte ende e interesuar për role të caktuara. Mesazhin e mbylli duke kërkuar që të mbahej në mendje për mundësi të përshtatshme në vitin e ri.
Ishte një mënyrë e thjeshtë, jo e bezdisshme, për t’u rikthyer në vëmendjen e rekrutuesve me të cilët kishte krijuar një raport të mirë.
Lexo edhe:LinkedIn 2026, 3 hapat që ju japin ngritje profesionale
Shkurt, qartë dhe njerëzore
Çelësi i suksesit është shkurtësia. Mesazhi nuk duhet të jetë i gjatë apo i ngarkuar. Një strukturë e thjeshtë mund të jetë:
- një urim i sinqertë për festat dhe vitin e ri,
- një referencë e shkurtër për herën e fundit që keni komunikuar,
- një përditësim i shkurtër profesional (p.sh. aftësi të reja, fusha ku po kërkon role),
- dhe një mbyllje miqësore me dëshirën për të qëndruar në kontakt.
- Kjo e bën shumë më të lehtë rikontaktimin në janar, sepse nuk je më “një emër i panjohur”.
Po sikur mesazhi të mos lexohet?
Sigurisht, ekziston mundësia që personi që po kontakton të jetë plotësisht i shkëputur gjatë festave. Mesazhi yt mund të humbasë mes fluksit të fundvitit, thotë Peter Duris, CEO i Kickresume. Megjithatë, nëse mesazhi arrin në momentin e duhur, ai mund të mbjellë një farë shumë të rëndësishme për vitin që vjen – sidomos duke pasur parasysh se konkurrenca për vende pune zakonisht rritet në fillim të vitit. Për më tepër, një kontakt gjatë festave tregon motivim dhe seriozitet. Duris përmend një rast kur intervistoi një kandidat që nuk hezitoi të zhvillonte një telefonatë edhe pak ditë para Krishtlindjes. Kjo i la një përshtypje shumë pozitive, si shenjë e përkushtimit dhe etikës së punës.
Praktiko rrjetëzimin në festa
Rrjetëzimi shpesh ndihet i sikletshëm, sidomos në ambiente formale. Por festat dhe eventet shoqërore janë një terren ideal për të ushtruar këto aftësi në mënyrë informale. Sipas Augustine, këto momente janë perfekte për të mësuar si të flasësh natyrshëm për:
- çfarë po bën aktualisht,
- çfarë të apasionon,
- dhe çfarë po kërkon për të ardhmen.
“Nuk ndihesh sikur je në një event zyrtar networking-u, por në të njëjtën kohë po forcon aftësitë e tua për të ndërtuar lidhje profesionale,” përfundon ajo.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.