Puna nuk gjen punonjës, punonjësit nuk gjejnë punë! – Si po e zgjidh Kevin Sada këtë paradoks me "Portali Punës"? - Business Magazine Albania

Puna nuk gjen punonjës, punonjësit nuk gjejnë punë! – Si po e zgjidh Kevin Sada këtë paradoks me “Portali Punës”?

Puna nuk gjen punonjës, punonjësit nuk gjejnë punë! – Si po e zgjidh Kevin Sada këtë paradoks me "Portali Punës"?

Kur disa miq të tij po përballeshin me vështirësi për të gjetur punonjës të kualifikuar, ai e kuptoi se kishte një boshllëk të madh në tregun e punësimit. Njoftimet e paguara në rrjetet sociale dhe platformat ekzistuese nuk po jepnin rezultatet e dëshiruara, ndërsa punëkërkuesit shpesh nuk arrinin të gjenin ofertat që u përshtateshin më së miri. Kështu lindi ideja e Portali Punës – një platformë inovative që krijon një lidhje efektive midis punëdhënësve dhe punëkërkuesve, duke sjellë një mënyrë më transparente dhe të strukturuar për rekrutimin në Shqipëri. Por, çfarë e bën këtë startup të veçantë dhe si po arrin të fitojë terren në një treg me sfida të shumta? Këtë do ta zbulojmë në një intervistë me themeluesin e startup-it Kevin Sada.

-Si ka lindur ideja për ndërtimin e Portalit të Punës?

Ideja për ndërtimin e Portalit të Punës më lindi vitin e kaluar, rreth periudhës së verës, kur disa miq të mi po kërkonin të zgjeronin stafin për bizneset e tyre – disa ishin biznese familjare dhe disa të përmasave pak më të mëdha. Nga bisedat që bëra me ta, më treguan se kishin postuar njoftime pune me pagesë në faqe të ndryshme në rrjete sociale dhe në disa website. Megjithatë, ata morën pak ose aspak telefonata dhe nuk ishin të qartë mbi kohëzgjatjen e njoftimit të tyre apo mbi shikueshmërinë e këtyre postimeve. Si sugjerim nga këta miq, më erdhi ideja për të zhvilluar një platformë që do të krijonte një urë lidhëse mes bizneseve dhe punëkërkuesve, duke i ndihmuar të dyja palët në procesin e punësimit.

-Cili është misioni juaj? Cili është problemi për të cilin po ofroni zgjidhje?

Misioni i Portalit të Punës është i thjeshtë: të krijojë një hapësirë ku bizneset mund të gjejnë staf, dhe punëkërkuesit të gjejnë punën që dëshirojnë. Problemi kryesor që synojmë të zgjidhim është mungesa e një platforme të strukturuar dhe transparente për punëdhënësit dhe punëkërkuesit në Shqipëri. Bizneset shpesh postojnë njoftime pune pa marrë aplikime ose pa pasur qartësi mbi performancën e tyre. Nga ana tjetër, punëkërkuesit shpesh hasin vështirësi për të gjetur punë të përshtatshme sipas eksperiencës dhe preferencave të tyre ose nuk kanë mundësi / kohë të azhornohen mbi vendet e reja të punës.

Lexo edhe:InsectIntel – Pajisja inteligjente që po ndihmon fermerët të mbrojnë të ardhmen e tyre

Çfarë inovacioni ose të reje sjell startup-i juaj?

Momentalisht, platforma është në fazën fillestare (MVP) dhe ofron disa funksionalitete kryesore:

Për bizneset:

Mundësi për të regjistruar një profil me informacion mbi kompaninë, fushën e veprimtarisë, detajet e kontaktit, faqen e internetit dhe rrjetet sociale.

Publikimi i njoftimeve të punës falas.

Statistika mbi shikueshmërinë e profilit dhe njoftimeve të tyre.

Raport i detajuar mbi postimet në rrjetet tona sociale (views, comments, shares & saves).

Për punëkërkuesit:

Filtra të avancuar për kërkimin e punës sipas fjalëve kyçe, profesionit, qytetit, tipit të punës, pagës, etj.

Mundësi për të ndërtuar një CV online falas në më pak se 5 minuta.

Njoftime automatike për vende të reja të punës përmes Email, SMS ose WhatsApp.

Seksion blog/artikujsh me këshilla për bizneset dhe punëkërkuesit.

-Cilat janë sfidat e të qenit një startup në Shqipëri, sidomos në industrinë tuaj? A ka qenë e vështirë të formoni ekipin për të punuar në projekt?

Çdo fillim është i vështirë, pa perjashtuar tregun shqiptar. Disa nga sfidat më të mëdha përfshijnë:

Mungesa e besimit në platformat e reja, pasi shumë biznese dhe punëkërkues preferojnë metodat tradicionale ose platformat ekzistuese.

Konkurrenca me faqet dhe platformat e tjera që kanë vite në treg dhe kanë një bazë të madhe përdoruesish.

Financimi, pasi startup-et në Shqipëri përballen me mungesë mbështetjeje financiare për të rritur shpejt dhe për të zhvilluar më tej platformën.

Sa i përket formimit të ekipit, nuk do e konsideroja një sfidë të madhe. Që në fillim kam punuar me njerëz që besojnë në vizionin e platformës dhe janë të përkushtuar për ta zhvilluar atë. Momentalisht jemi një ekip i vogël, por shumë efikas në atë që bëjmë.

Si kanë reaguar klientët ndaj produktit/shërbimit tuaj?

Reagimet kanë qenë të ndryshme. Shumë na kanë përgëzuar për nismën dhe na kanë falënderuar për ndihmën në gjetjen e stafit apo punës. Gjithashtu, kemi marrë edhe kritika apo sugjerime konstruktive për të përmirësuar më tej platformën. Në përgjithësi, për çdo funksionalitet të ri që kemi nxjerrë në treg, komentet kanë qenë pozitive.

-Kush është audienca juaj kryesore? Si po përpiqeni t’i arrini?

Audienca kryesore: Bizneset që kërkojnë të rekrutojnë staf & Punëkërkuesit që janë në kërkim të një mundësie të re punësimi.

Si po i arrijmë?

Rrjetet sociale – Instagram, Facebook, TikTok & LinkedIn.

Video me influencerë shqiptarë – disa me qëllime informuese dhe disa me permbajtje humoristike.

SEO & Google Ads – për të optimizuar faqen në motorët e kërkimit si Google Search.

Word of Mouth – Rekomandime nga ata që kanë pasur një përvojë pozitive me platformën.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Planet për të ardhmen e Portalit të Punës janë të mëdha.

Funksionalitete të reja:

Opsione premium për bizneset.

Algoritme të avancuara për përputhjen e punëve me punëkërkuesit.

Automatizim i procesit të aplikimit.

Sugjerime nga bizneset për të ardhmen: Disa biznese kanë kërkuar një faqe të dedikuar ku jo vetëm mund të krijojnë njoftime pune, por edhe të reklamojnë produktet e tyre, trajnimet, seminarët, webinare, dhe certifikatat që lëshojnë. Këto ide janë afatgjata, por synimi kryesor momentalisht është zgjerimi i audiencës dhe krijimi i një komuniteti të fortë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0