Sot jetojmë në një ritëm shumë më të shpejtë se sa mendja jonë mund të përpunojë. Shpesh reagojmë me frikë apo nxitim, duke na lënë të lodhur e të tensionuar. Ekzekutivë, profesionistë e punonjës të çdo niveli shprehen se nuk kanë kohë as për të marrë frymë mes takimeve. Ky stres i vazhdueshëm ka pasoja të mëdha për trupin dhe mendjen.
Shpesh nuk e kuptojmë që kemi kaluar pragun e mbingarkesës. Stresi i zakonshëm i përditshëm mund të kthehet lehtësisht në mbingarkesë kronike. Trupi është ai që “merr faturën”, lodhje, dhimbje koke, tension, pagjumësi. Këto janë sinjalet që duhet të ndalemi. Por zgjidhja nuk është gjithmonë pushimi i gjatë apo dorëheqja nga puna. Shpesh mjaftojnë ndryshime të vogla në rutinë: një fillim ndryshe i ditës, një shëtitje pas darke, ose disa minuta qetësi. Në një kulturë që lavdëron produktivitetin dhe performancën, ndalimi shpesh shihet si dembelizëm. Por shkenca e trurit na thotë të kundërtën.
Çfarë ndodh në tru kur ndalemi?
Kur nuk jemi të fokusuar në një detyrë të caktuar, truri nuk “fiket”, ai kalon në një gjendje tjetër. Aktivizohet një rrjet i quajtur default mode network (DMN), që punon kur ëndërrojmë me sy hapur, mendojmë për të shkuarën, imagjinojmë të ardhmen apo reflektojmë mbi marrëdhëniet me të tjerët. Pra, pushimi nuk është mungesë produktiviteti, është baza e tij. Pikërisht aty lindin idetë më kreative dhe kuptimet më të thella. Nuk është rastësi që shpesh zgjidhjet na vijnë në dush apo gjatë një shëtitjeje.
Lexo edhe:Përplasje mes yjeve të rinj të AI dhe inxhinierëve veteranë. Çfarë po ndodh në Meta?
Vendimmarrja dhe nevoja për pauza
Në ambiente ku vendimmarrja është e shpeshtë, spitale, gjykata, klasa, salla takimesh, lodhja mendore çon në atë që quhet “decision fatigue”. Në këtë gjendje, truri fillon të marrë vendime të shpejta e jo gjithmonë të drejta, duke u mbështetur më shumë në emocione apo rutina. Studimet tregojnë se edhe pushimet e shkurtra rikthejnë aftësinë e ekzekutimit dhe të mendimit të drejtë. Një shembull i famshëm është rritja e vendimeve pozitive nga gjyqtarët menjëherë pas pushimeve. Pra, pauza është thelbësore për qartësi, drejtësi dhe fleksibilitet mendor.
Fuqia e pauzës në komunikim
Edhe në komunikim, pauzat bëjnë mrekulli. Në vend që të nxitohesh të japësh përgjigje ose të zgjidhësh problemin, ndalo një çast dhe reflekto mbi atë që dëgjove. Ky hap i vogël hap vend për empati, mirëkuptim dhe komunikim më të shëndetshëm. Në situata tensioni, me kolegë, partnerë apo klientë, një pauzë nuk është shmangie, por zgjedhje për të reaguar me qetësi dhe jo me nxitim.
Tre mënyra për të ushtruar pauzat në jetën e përditshme
-
Planifiko hapësirë bosh
Mos mbush kalendarin vetëm me detyra. Lëri qëllimisht 10–15 minuta bosh mes takimeve. Aty ndodh reflektimi dhe rikuperimi. -
Përdor teknikën SLAPP
– Stop & merr frymë
– Lokalizo sinjalin që të tensionon
– Aktivizo imagjinatën
– Parko mendimet e panevojshme
– Performo / fol me qetësiKy proces i shkurtër është një “reset” mendor. Nuk të merr kohë – përkundrazi, të jep kohë.
-
Normalizo pauzat në dialog
Para se të përgjigjesh, merr një frymë, një sekondë heshtje. Thuaj: “Më jep një moment të mendoj”. Shumë njerëz e përshkruajnë këtë si çastin kur biseda mori kthesën e duhur.
Pushimet janë momentet kur truri kupton jetën. Pauzat janë vendi ku marrëdhëniet bëhen më të thella. Ndalimi nuk është dështim, është mençuri në lëvizje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.