Pse po bie kriptomonedha, kush po humbet dhe a do të zgjasë? - Business Magazine Albania

Pse po bie kriptomonedha, kush po humbet dhe a do të zgjasë?

Rënia e fundit e Bitcoin ka rikthyer pasigurinë në tregjet e kriptomonedhave, vetëm pak javë pasi token-i më i madh në botë preku nivele rekord në tetor. Tensionet e reja tregtare të shkaktuara nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Kinës kanë goditur fort sektorin, duke nxitur një valë shitjesh dhe duke fshirë mbi 1 trilion dollarë vlerë tregu në më pak se 24 orë.

Ndërkohë që tregjet globale u rimëkëmbën lehtë pas rezultateve të forta të Nvidia-s, kripto mbeti nën presion. Bitcoin u rrit me vetëm 0.73% të enjten në Evropë, pas një rënieje të thellë që e çoi për pak nën kufirin 90,000 dollarë — niveli më i ulët në shtatë muaj.

10 tetori: dita që ndryshoi tregun e kriptove

Analistët e lidhin kthesën e madhe me 10 tetorin, kur një “krizë mini-likuiditeti” zhduku më shumë se 19 miliardë dollarë pozicione të levuara. Nxitja? Retorika e ashpër e Trump për tarifat ndaj Kinës.

“Ka disa faktorë, por ndikuesit kryesorë janë shitjet afatgjata nga ‘OGs’, klima ekonomike e pasigurt dhe masakrimi i pozitave të levuara,” thotë Nic Puckrin, CEO i Coin Bureau.

Sipas tij, ‘OGs’,  mbajtësit e hershëm të Bitcoin me portofola shumë të mëdhenj  kanë hedhur sasi të konsiderueshme Bitcoin në treg, duke rritur furnizimin dhe shtypur çmimin.

Makroekonomia rikthehet si faktor dominues

Edhe pse kriptomonedhat shpesh konsiderohen të pavarura nga ekonomia tradicionale, ekspertët theksojnë se sot ato janë më të lidhura se kurrë me tregjet e kapitalit.

Pasiguria e thellë në SHBA, përfshirë edhe bllokimin e publikut të të dhënave zyrtare pas mbylljes së pjesshme të qeverisë ka shtuar presionin. Investitorët janë gjithashtu të ndarë për vendimin e ardhshëm të Fed në dhjetor, ndërsa probabiliteti i një uljeje të normave po zbehet.

“Bitcoin po ndikohet gjithnjë e më shumë nga lëvizjet makro,” thekson Puckrin.

Profesionalët fitojnë, amatorët digjen

Ndërsa makro-faktorët rëndojnë tregun, ekspertët paralajmërojnë se pjesa më e madhe e luhatshmërisë ekstreme vjen nga taktikat agresive të përdorura nga firmat profesionale të tregtimit në bursat offshore.

“Çmimi i Bitcoin përcaktohet kryesisht nga tregtarë profesionistë në platforma të paregulluara,” shpjegon Carol Alexander, profesore financash në Universitetin e Sussex.

Këto firma përdorin strategji si spoofing, laddering dhe manipulime të tjera të order-book, duke gjeneruar lëvizje të shpejta që u sjellin fitim pavarësisht drejtimit të çmimit.

Kush humbet?
Tregtarët jo-profesionistë, që shpesh hyjnë me leva të larta dhe dalin nga tregu me humbje totale sapo çmimi lëviz kundër tyre.

“Kur këta investitorë ikin nga tregu, likuiditeti tkurret dhe profesionistët tërhiqen. Pastaj çmimi rritet menjëherë dhe cikli fillon nga e para. Është një ndeshje futbolli pa gjyqtar,” shton Alexander.

Pavarësisht gjithë turbulencës, ekspertët mbeten optimistë për kthimin e tregut.

“Besoj se kripto ka të ardhme të ndritshme. Industria po institucionalizohet dhe teknologjia po hyn në jetën e përditshme,” thotë Puckrin, duke sugjeruar se çmimi ka gjasa të mos bjerë më thellë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0