Nga Geron KAMBERI
Libri i Yuval Hararit “Nexus” (Rrjeti) është një rrëfim interesant që na zbulon se Inteligjenca Artificiale, e cila po lind dhe zhvillohet para syve tanë, mund të shndërrohet lehtësisht nga një mundësi për jetën tone edhe në një kërcënim apo rrezik që fillimisht duhet ta kuptojmë e më pas ta përballojmë siç duhet.
Ndikimi i teknologjisë mbi shoqërinë ka qenë gjithmonë një sfidë me të cilën është përballuar njerëzimi. Por, në rastin e Inteligjencës Artificiale po flasim për një teknologji që do të jetë në gjendje të zëvendësojë njeriun, jo vetëm në procese mekanike, por të ekzistojë si një sistem dixhital i pavarur nga ndërhyrja njerëzore, duke i bërë njerëzit të tepërt, dhe në thelb të pafuqishëm, duke qenë robër të algoritmeve.
Nëse i përkufizojmë pesimistët si optimistë të informuar, shqetësimi apo frika e autorit në këtë libër është një pesimizëm në dukje, por i përzier me optimizmin e tij të brendshëm se njeriu ka ende aftësi të kuptojë rreziqet që i shfaqen para sysh. Mënyra e rrëfimit të tij dhe hollësitë e faktet që nxjerr nga thellësia e historisë njerëzore, lidhur me krijimin e informacionit, i cili shpesh keqpërdoret e manipulon njerëzit, tashmë teknologjitë e reja mund ta zgjerojë këtë rrezik duke krijuar qendra të krijimit automatik të informacionit, të cilat do ta kemi të vështirë t’i kontrollojmë vërtetësinë.
Nga të gjithë shembujt historikë që ka ofruar në libër lidhur me mënyrën sesi kanë dështuar rrjetet e informacionit Harari kërkon një ndryshim e ndriçim në sjelljen tonë. Përgjatë shekujve rezultati i rrjeteve tona të informimit ka qenë i lidhur me pushtetin, dhe në këtë rast pyetja që shtrohet është nëse duhet të falim vërtetë natyrën tonë që bie pre e informacioneve të pavërteta, të cilat na verbojnë ndaj realitetit që na rrethon. Në këtë drejtim, vetvetiu lind pyetja se përse mashtrohemi kaq lehtë? Shembujt e shumtë të Hararit se si njerëzit i janë nënshtruar informacioneve të mangëta, të rrezikshme dhe krejtësisht të gabuara janë thelbi i vërtetë i librit “Nexus”.
Të gjitha shpjegimet historike të Hararit për keqpërdorimin e informacionit, krijimin e informacionit të pavërtetë që na bën të ndërtojmë një botë paralele, janë prolog i paralajmërimit të tij vendimtar për pasojat edhe më të rënda të informacionit të krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Zgjerimi i makinave inteligjente që mund të marrin vendime dhe të krijojnë ide të reja do të thotë se për herë të parë në histori pushteti po largohet nga njerëzit dhe po ecënn drejt diçkaje tjetër.
Në këtë libër Harari ngre shqetësimin se makinat do të bëhen më inteligjente se njerëzit, por pa ndjenja. Meqenëse revolucioni aktual i informacionit është më i rëndësishëm se çdo revolucion i mëparshëm, informacioni ka të ngjarë të krijojë realitete të paprecedenta në një shkallë të papërftyrueshme më parë. Autori nuk është mendimtari i parë që paralajmëron njerëzimin për rreziqet e rënda të Inteligjencës Artificiale; ashtu siç e kishte bërë atë më parë Stephen Hawking.
Një lexues i “Nexus” mund ta ndajë librin në dy pjesë, ku në njërën prej tyre përshfaqen pasojat e informacionit të keqpërdorur gjatë historisë, ndërsa në tjetrën ai hamendëson se triumfi i AI do të jetë shumë më i keq. Përtej paralajmërimit të Hararit mbi AI, shembujt që ai përdor nga historia për të argumentuar keqkuptimin dhe keqpërdorimin e informacionit janë bindëse në vetvete teksa ai e njeh mirë historinë botërore.
Lexo edhe:Lançohet ” Bytes & Books”, klubi i parë i librit mbi ndikimin e teknologjisë në shoqëri!
“Nexus” është një libër veçanërisht i rëndësishëm për kohën tone që jetojmë sepse trajton dy prirje kryesore globale: Shfaqjen e ngritjen e figurave autoritare populiste falë manipulimit të informacionit në rrjet dhe atë të Inteligjencës Artificiale. Harari kërkon të përdorë mësimet historike për të treguar se si mund të përballemi me këto dy kërcënime të mundshme. Bota ka ndryshuar në mënyrë të vrullshme prej 13 viteve kur u shkrua libri i tij “Sapiens” në vitin 2011, duke e bërë të njohur në të gjithë botën dhe “Nexus”, si një përditësim i shpejtë për të pasqyruar këto ndryshime. Ai është një rrëfim që paraqet një version prej orakulli intelektual që mbështetet në se atë çfarë mund të na ofrojë e ardhmja lidhur me përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Nëpërmjet saj Harari ofron një shkallë të shëndetshme skepticizmi në lidhje me pasojat tek njerëzit të kësaj teknologjie të fuqishme. Megjithëse pasi ta lexosh mund të mos pajtohesh me gjithçka që ai thotë, ky është një libër që ia vlen të lexohet pasi të bën të mendosh për botën që po vjen dhe teknologjitë e reja që na rrethojnë.
Në këtë libër ndërton një histori interesante të së ardhmes, duke përdorur një logjikë të qëndrueshme në varësi të mënyrës se si njerëzit do ta administrojnë kontrollin e Inteligjencës Artificiale. Lejimi i algoritmeve që arrijnë të zbatojnë algoritme të tjera pa kontrollin e duhur mund të jetë fundi i specieve Homo Sapiens, siç e njohim ne tani sojin tonë. Pa një “super inteligjencë” ne kurrë nuk mund ta kuptojmë plotësisht funksionin dhe potencialin e plotë të trurit tonë dhe administrimi i potencialit të tij është ëndrra e rracës sonë.
Yuval Noah Harari është një mjeshtër i përgjithësimit dhe në këtë libër ai duket se paraqet një një skenarin apokaliptik sesi “rrjeti kompjuterik”, duke filluar nga kapitalizmi i mbikëqyrjes dixhitale, algoritmet e informacionit që ushqen rrjetet social dhe Inteligjenca Artificiale mund të shkatërrojnë qytetërimin tonë dhe të sjellë “fundin e historisë njerëzore” (Fukuyama).
Megjithatë, pyetja që të gërryen teksa lexon librin “Nexus” është se çfarë mund të bëjnë kompjuterët modernë që duhet të na shqetësojë kaq shumë?! Harari i përshkruan pronarët e rinj të Inteligjencës Artificiale si njerëz që mund të të fitojnë fuqi të frikshme si perëndia. Vizioni i Hararit për kufijtë që mund të kapërcejë Inteligjenca Artificiale i përngjan atij magjistarit që ka në dorë sferën e kristaltë dhe që është në gjendje që përmes aplikacioneve të kësaj teknologjie e algoritmeve të shumta që mund të ndërthurë, të krijojë një virus të ri pandemik, apo një lloj të ri paraje, ndërkohë që i përmbyt rrjetet e informacionit në botë me lajme të rreme ose nxitje për trazira.
Por, çfarë mund të bëjmë për të shpëtuar qytetërimin njerëzor dhe realitetin tonë të përbashkët nga një teknologji ku përzihet mundësia dhe rreziku. Në vetvete, nuk është një debat mes tekno-optimistëve dhe tekno-pesimistëve. Në mes të këtij debati qëndrojnë tekno-realistët, ku nëse ndjekim logjikën e Hararit në libër, ne na duhet të krijojmë rregulla të reja sesi t’ia nënshtrojmë etikës algoritmet dhe Inteligjencën Artificiale.
Ky është një debat që sapo ka filluar dhe nëse duhet të kuptojmë rëndësinë e këtyre rregullave apo kujdesin që duhet të tregojmë ndaj teknologjisë së Inteligjencë Artificiale që po pushton botën, një nga këshillat është: Lexoni “Nexus”!
*Autori i artikullit është bashkë-ideator i krijimit të Klubit të Librit “Bytes and Books”, ku në takimin e parë të tij që do të zhvillohet më datë 5 mars 2025, ora 18.00, në mjediset e “One Connection Hub” (Piramida) do të diskutohet për librin “Nexus” të Yuval Noah Hararit
Librin e gjeni në ofertë tek LINKU: https://leximtari.al/book/5dM8F3lQ9xnSTQFdb5xVgU
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.