Këtë javë, administratori i NASA-s, Sean Duffy, deklaroi synimin e administratës Trump për të vendosur një reaktor bërthamor funksional në Hënë deri në fund të dekadës. “Ne jemi në një garë drejt Hënës, një garë me Kinën,” tha Duffy. Sipas tij, ngritja e reaktorëve është më domethënëse sesa vendosja e një flamuri mbi pluhurin hënor. Ai përmendi idenë e një “zone të ndaluar” rreth reaktorit, që praktikisht do të shërbente si mënyrë për të pretenduar hapësira të lakmuara, si kraterët që mbajnë ujë të ngrirë.
A është ambicioz afati 5-vjeçar?
Në fakt, jo edhe aq. NASA dhe kontraktorët e saj kanë përdorur energjinë atomike që prej viteve 1960, përmes baterive radioizotopike që shndërrojnë nxehtësinë e Plutoniumit-238 dhe izotopeve të tjera në elektricitet. Këto burime prodhojnë më pak se 100 watt, por kanë energjizuar misionet Apollo, sondat Voyager dhe Pioneer, të parat objekte njerëzore që lanë sistemin diellor. Ndryshe nga këto bateri, reaktorët bërthamorë të tipit që përmend Duffy janë shumë më kompleksë. Ata gjenerojnë energji duke ndarë atomet e Uraniumit-238 dhe mund të prodhojnë rreth 100 kilowatt, mjaftueshëm vetëm për furnizimin e disa dhjetëra shtëpive në Tokë. Një bazë hënore do të kërkonte shumë të tillë.
Pse duhet energjia bërthamore në Hënë?
Një dekadë më parë, NASA e konsideroi të domosdoshme. Në shumë vende të Hënës nata zgjat 14 ditë tokësore, duke e bërë energjinë diellore të paqëndrueshme. Po ashtu, djegia e karburanteve fosile është e pamundur në vakum. NASA testoi për herë të parë teknologjinë e mikroreaktorëve me projektin Kilopower dhe në vitin 2022 shpërndau grante prej 5 milionë dollarësh për tre konsorciume që të zhvillonin dizajne 40 kilowatt. Projekti Fission Surface Power kërkonte një sistem me peshë 6 ton, të përshtatshëm për t’u dërguar me raketë, me jetëgjatësi 10-vjeçare, pa mirëmbajtje dhe pa nevojë për furnizim.
Lexo edhe: Tatimi mbi pronën sjell miliarda për shtetet europiane, ja cili përfiton më shumë
Sfida teknike dhe garuesit kryesorë
Sebastian Corbisiero, drejtor teknik në Laboratorin Kombëtar të Idaho-s, thotë se është një mision i vështirë. “Në Tokë reaktorët nuk projektohen për të qenë të vegjël e të lehtë. Në hapësirë duhet sa më pak masë,” thekson ai. Megjithatë, ai e sheh reaktorin hënor si hapin e parë drejt kolonive të qëndrueshme në Mars. Tre konsorciumet që po zhvillojnë projektin janë:
-
Lockheed Martin dhe BWXT, me përvojë në projektin hapësinor DRACO të NASA-s;
-
Westinghouse me Aerojet Rocketdyne, që synojnë të përshtatin mikroreaktorin ekzistues eVinci;
-
Startup-i X-Energy me Maxar dhe Boeing, që punon mbi reaktorë për Dow Chemical dhe Amazon.
Sipas Corbisiero-s, sistemi përfundimtar pritet të përfshijë një motor Stirling për konvertimin e nxehtësisë në elektricitet dhe qarkullim me natrium të lëngshëm, i cili e bën atë praktikisht të mbrojtur nga shkrirjet.
Gara për Hënën dhe sfida financiare
A është e mundur ndërtimi i një reaktori në Hënë brenda 5 viteve? “Po, në opinionin tim është e realizueshme,” thotë Corbisiero. Por kjo varet nga progresi i programit Artemis dhe financimi i NASA-s. Në Tokë, mikroreaktorët kushtojnë miliarda dollarë. Por administrata Trump mendon se SHBA nuk mund të vonohet, duke qenë se Kina po planifikon misionin Chang’e-8 në vitin 2029, me qëllim ndërtimin e një baze hënore përmes robotëve dhe printerëve 3D deri në mesin e viteve 2030. Duffy e përmbyll me theksimin e qëllimit strategjik: “Ne kemi akull atje, kemi dritë dielli atje. Duam të arrijmë të parët dhe ta pretendojmë atë për Amerikën.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto