Përshkrim
Mendo lokalisht, vepro globalisht
Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.
Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe përdorimit të teknologjive të reja.
Intervista, rrëfime, opinione, personazhe, histori shqiptarësh nëpër botë, ide, risi, ngjarje … në këtë edicion, ne eksplorojmë dhe analizojmë të ardhmen ekonomike dhe trendet kryesore qëpo i japin formë vitit 2025.
Ky edicion është një reflektim i vizionit tonë për të ofruar përmbajtje me vlerë, që shkon përtej lajmeve dhe analizave; është një dritare e hapur drejt së ardhmes që të fton në mendim kritik, një udhërrëfyes për sipërmarrësit, liderët dhe vizionarët që sfidojnë kufijtë e së mundshmes.
Ky botim i parë për vitin 2025, që përkon me 10-vjetorin e revistës, është një shenjë mirënjohjeje për lexuesit dhe bashkëpunëtorët që na kanë besuar ndër vite. Në të njëjtën kohë është një ftesë dhe premtim për të vijuar së bashku, duke ndërtuar ura të reja të informimit, dijes, inovacionit dhe suksesit.
Ky edicion i Business Magazine është një moment i veçantë për mua, pasi shënon nisjen e një kapitulli të ri si kryeredaktore e këtij botimi të rëndësishëm për komunitetin e biznesit në Shqipëri e më gjerë. Është një përgjegjësi dhe një privilegj të jem pjesë e një platforme që ndriçon rugën për sipërmarrësit, liderët dhe vizionarët e së ardhmes, duke mos qenë thjesht një media, por një platformë për ata që guxojnë dhe duan të përmirësojnë të ardhmen.
Duke ju uruar lexim të këndshëm, ju ftoj të abonoheni ose të shkarkoni revistën online në formën e saj digjitale!
Sinqerisht,
Fatima Gorezi – Kryeredaktore