Prishtina Auto Show 2024: Transformimi dhe Inovacionet që Rilindën Panairin - Business Magazine Albania

Prishtina Auto Show 2024: Transformimi dhe Inovacionet që Rilindën Panairin

Prishtina Auto Show

Prishtina Auto Show 2024 solli një freski të paprecedentë në skenën e industrisë automotive në Kosovë, duke përfshirë ndryshime thelbësore në format dhe përmbajtje. Këtë vit, panairi u organizua tërësisht në ambiente të hapura, një largim i guximshëm nga edicioni i fundit në 2019 që u mbajt në sallën e panaireve. Risia tjetër madhore ishte përfshirja për herë të parë e autosallonëve me supermakina të markave prestigjioze si Lamborghini, Ferrari dhe Porsche, duke e bërë ngjarjen një pikë referimi për entuziastët dhe profesionistët e automobilizmit. Në një intervistë për Businessmag flet Ekrem Tahiri, drejtues i “Prishtina AutoShow”.

“PRISHTINA AUTOSHOW”, çfarë është dhe si ka ndryshuar formati i panairit nga vitet e kaluara me këtë vit?

Prishtina Autoshow, këtë vit kishte mjaft ndryshime në raport me herën e fundit të organizuar. Ndryshimet kryesore janë dy:

  • Ky edicion është realizuar komplet “outdoor”, për dallim nga edicioni i vitit 2019 që ishte në sallën e panaireve,
  • Sivjet për herë të parë kishte pjesëmarrës edhe “Autosallone” që ishin prezent me disa supermakina që në të kaluarën nuk kishim mundësi t’i kishim pjesëmarrës.

Cilat ishin industritë kryesore që u prezantuan në këtë edicion të panairit dhe cila ishte risia kryesore?

I gjithë sektori i autoindustrisë ishte prezent në Autoshow, duke filluar nga disa përfaqësues të autorizuar të makinave të reja, Autosallone, kompani përfaqësuese të motorrave dhe atyre katër-rrotësh, skuterave, trotinetave elektrik, makinave të vogla për fëmijë, pastaj autopjesë, goma, bateri, autoaksesorë, vajëra për makina, auto-folje, banka, e kompani sigurimesh dhe kompani derivatesh. Pra, kishte një larmi gjithëpërfshirëse të autoindustrisë dhe asaj përcjellëse. Risia kryesore ishte pjesëmarrja e Autosalloneve me disa supermakina si: Lamborgini, Ferrari, Porsche, Bentley etj.

Cilat strategji keni përdorur për të rritur interesimin dhe përfaqësimin e kompanive dhe brandeve të automobilave në këtë panair?

Me shumicën e tyre veç se kishim bashkëpunim nga edicionet e kaluara dhe shumica nga to veç se kanë qenë në dijeni se ç’ka ofrohet dhe si do të jetë. Ka pasur disa kompani që kanë pasur skepticizëm ngaqë ky edicion po organizohej në ambiente të hapura, por tjera dilema nuk ka pasur. Mendoj se kompanitë që për herë të parë kanë marrë pjesë në këtë edicion, i kanë besuar konceptit dhe eksperiencës sonë si organizatorë të ngjarjeve të tilla.

Si mendoni se ka ndikuar pandemia e COVID-19 në organizimin dhe suksesin e panairit këtë vit, duke pasur parasysh se hera e fundit e organizimit të këtij panairi ishte viti 2019?

Arsyeja kryesore që nuk kishte Prishtina Autoshow që nga viti 2019 ishte pikërisht COVID-19. Pastaj mungesa e një salle adekuate që do të akomodonte një panair të tillë dhe në fund vendosja që të bëjmë diçka në ambient të hapur. Nuk besoj që kishte ndikim direkt në këtë edicion, përveç faktit që ka ndikuar që të mos ketë vazhdueshmëri dhe të krijohet një distancë prej 5 vitesh nga edicioni i fundit.

Cilat ishin sfidat kryesore që hasët gjatë organizimit të “PRISHTINA AUTO SHOW 2024” dhe si i tejkaluat ato?

Sfida kryesore ishte moti dhe rreziku nga shiu, i cili na ka penguar shumë në përgatitje dhe në planifikim. Sfidë tjetër ishte krijimi i stendeve adekuate dhe të përshtatshme për një panair të tillë dhe kryesorja, skepticizmi i disa kompanive në suksesin e një evenimenti të tillë në hapësirë të hapur dhe si rrjedhojë mospjesëmarrja e tyre në këtë edicion. Por, po besoj që mbarëvajtja dhe suksesi i këtij edicioni, i ka bindur të gjithë ata që kishin dyshime, se edhe në mjedis të tillë mund të organizohet diçka e mirë dhe se është hapur rruga që në edicionet e ardhshme veç të rritemi edhe më shumë.

Si e shihni të ardhmen e panairit “PRISHTINA AUTO SHOW” dhe çfarë ndryshimesh apo inovacione priten të ndodhin në edicionet e ardhshme?

Në vitin e ardhshëm mendojmë që Prishtina Autoshow do të jetë shumë më i madh sesa sivjet, edhe me numrin e kompanive pjesëmarrëse, edhe me hapësirën që do të jetë në shfrytëzim, si dhe do të ketë edhe disa elemente shtesë atraktive, si: Oldtimers, Karting, Automjete të garave etj.

 

Prishtina Auto Show

 

Cilët ishin objektivat tuaj kryesore për të arritur suksesin dhe për të përmbushur pritshmëritë e audiencave në këtë edicion të panairit?

Besoj që janë arritur pritshmëritë me këtë edicion në disa pika sa i përket organizimit në hapësirë të hapur dhe numrit të vizitorëve. Numri i vizitorëve shkonte vazhdimisht duke u rritur dhe kompanitë pjesëmarrëse ishin të kënaqura me këtë gjë, si dhe disa prej tyre kanë arritur edhe të kenë marrëveshje B2B si dhe B2C. Sipas informatave që ne i kemi nga ky edicion, kishte shitje dhe marrëveshje biznesi që tejkalojnë shumën e 1.5 milion euro për 3 ditë të panairit. Qëllimi ynë kryesor ishte që të organizojmë një eveniment gjithëpërfshirës, me një numër prej 10k vizitorësh dhe ku edhe vizitorët të jenë të kënaqur me atë që do të prezantohet, por edhe kompanitë pjesëmarrëse të jenë të kënaqura me numrin e vizitorëve, marketingun dhe marrëveshjet e realizuara.

Së fundmi, sa ishte shuma e automjetit më të shtrenjtë të prezantuar në këtë panair?

Automjeti më i shtrenjtë në panair ishte një Lamborgini me çmim prej 650,000 euro. Kishte edhe disa supermakina tjera që kishin çmime 450,000 euro, 350,000 euro dhe disa të tjera me 200,000 – 350,000 euro. Gjithashtu ka pasur edhe makina që silleshin prej 15,000 euro deri në 45,000 euro që ishin më të kapshme për shumicën e vizitorëve të Autoshow.

Artikulli u publikua më parë në faqen 78 të numrit 35 të Business Magazine Albania. Ju mund të abonoheni dhe të shfletoni: https://businessmag.al/product/nr35/ nr. 35 të saj 

Intervistoi:

Ardian Pllana,
Prishtinë,
13.05.2024

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0