Luca Busi ishte 19 vjeç kur erdhi për herë të parë në Shqipëri rreth 30 vite më parë. Diskutohej futja në treg e një produkti ndërkombëtar si Coca-Cola, e kush më mirë se kompania që kishte përfaqësinë në jug të Italisë mund ta bënte këtë edhe në Shqipëri. Pas shumë zhvillimesh në treg, të reja e të vjetra, Busi, sot president i Coca-Cola Bottling në Shqipëri është po aq entuziast.
Gjatë takimit në “Business Date”, ai foli për sfidat e tregut gjatë pandemisë dhe orientimit drejt risive edhe në kushte pandemie.
Sipas tij, “Me një kërcim kohor që na projekton drejt së tashmes, sot CCBS – e cila prodhon, shishet dhe zhvillon të gjitha produktet e The Coca Cola Company në Shqipëri – është rezultat i asaj zgjedhjeje dhe asaj nisme të diktuar nga dëshira për të ndërtuar një rrugë me qytetarët shqiptarë, transformimin e një prej kompanive më të rëndësishme globale në një biznes familjar, nisur nga km 0, gati për të dhënë përgjigjet e duhura për pritjet e konsumatorëve. Një realitet që me 354 punonjësit e tij sot drejton ekonominë, forcon sinergjitë me institucionet, shumëfishon bashkëpunimet me zinxhirin e furnizimit, duke përfaqësuar përsosmërinë në skenën ndërkombëtare”.
Sipas z.Busi, pandemia pati efekt në tkurrjen e aktivitetit gjatë vitit të kaluar ndërsa pritshmëritë për këtë vit janë pozitive.
“2020, viti i emergjencës së pandemisë, na ka vendosur para një muri shumë të lartë, i cili në mënyrë efektive ka bllokuar dhe kushtëzuar ekonominë botërore. Natyrisht, tendenca e blerjeve, rritja e kostove të lëndëve të para, zbatimi i masave rigoroze dhe kufizuese kanë diktuar një tkurrje të kërkesës, rrjedhimisht edhe në qarkullimin e CCBS, duke regjistruar një shifër -10.8% vitin e kaluar”, theksoi ai. Sipas tij, një vit më parë, në vitin 2019, kompania pati rritje të vëllimeve me një tendencë rritjeje neto +8% në krahasim me vitin 2018.
Z.Busi theksoi se kemi rezistuar fuqishëm dhe kemi vazhduar të investojmë në frontin mjedisor.
Mund të mos e besoni, por konsumatorët besnikë dhe shitjet më të shumta të Coca-Cola’s realizohen në dyqanin e lagjes. Z. Busi e theksoi këtë duke shpjeguar njëkohësisht edhe përse ndodh kjo. “Coca-Cola ka qenë gjithmonë një pije me kërkesë të madhe në të gjitha kanalet e shitjes, por padyshim që përdorimet, zakonet dhe konsumi kanë ndryshuar gjatë pandemisë. Në fakt, në vitin 2020, në supermarkete dhe dyqane tradicionale kemi regjistruar një rritje të shitjeve prej mbi 4% në krahasim me vitin 2019. Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se Coca-Cola është një markë e dashur nga konsumatorët, pasi investon vazhdimisht për të siguruar risi në treg përmes teknologjive të reja, duke pasur gjithmonë një ndikim pozitiv në tregje”.
Në parashikimet e zyrave financiare, në krahasim me vitin 2020, ky vit pritet të mbyllet me +16.4%. Edhe nëse duhet të ketë një valë të re pandemike, Coca-Cola Bottling Shqipëria nuk do të humbasë takimin me konsumatorët, përmes shërbimit të shpërndarjes dhe me infrastrukturën dixhitale për porositë në internet (https://porosit.ccbs.al)”.
Sipas z.Busi, CCBS ka kërkuar gjithmonë dialog dhe konvergjencë përballë çështjeve ose vështirësive kritike.
Konkurrenca e padrejtë është një nga shqetësimet e z.Busi. CCBS është prodhuesi dhe shpërndarësi i vetëm i autorizuar nga “The Coca-Cola Company” për tregun shqiptar, por, pavarësisht kësaj, për më shumë se 2 vjet ka pasur produkte të markës Coca-Cola nga shtete të tjera. “Ne kontaktuam institucione të ndryshme shtetërore dhe vendore për të bllokuar hyrjen e paautorizuar të produkteve të huaja”, tha ai, duke besuar në zbatimin e ligjeve në fuqi.
Ai vuri në dukje edhe çështje kritike në sektorët e mjedisit, ku CCBS është angazhuar dhe ka investuar. “Thjesht mendoni për menaxhimin e veçantë të mbeturinave dhe mungesën e infrastrukturës për qarkullimin e automjeteve elektrike. Ne do të kontribuojmë, siç po bëjmë, jo vetëm në instalimin e stacioneve elektrike, por edhe në nxitjen e institucioneve, për të filluar një rrugë të re të stimujve dhe mbështetjes së qeverisë në favor të zhvillimit të një ekonomie. Duke mos qenë ende pjesë e vendeve të Komunitetit Evropian, ne duhet të përhapim kulturën e qëndrueshmërisë dhe të bëhemi shembull për të gjithë, përmes një bashkëpunimi publik / privat, qytetarë dhe institucione së bashku”.
Ai është i bindur që vlen shumë vullneti i mirë për të bërë gjërat siç duhet, në kohën e duhur dhe në mbështetje të produkteve dhe kompanive vendore që operojnë në Shqipëri. “Ne duhet të eksportojmë vlerën e vendit nga pikëpamja ekonomike dhe e punësimit: një territor i pasur që vazhdon të ndjekë me përsosmëri një trend të rritjes konstante dhe i cili, jam i sigurt, bën një diferencë shumë të madhe në zhvillim”, shprehet z, Busi në “Business Date”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto