Presidenti i ABB-së: “Nivel i ulët papunësie në vendet që përdorin shumë robotë.”

Presidenti i ABB-së: “Nivel i ulët papunësie në vendet që përdorin shumë robotë.”


“Prirja dhjetëvjeçare për ta zhvendosur punën në vendet me rroga të ulëta do të anulohet. Falë robotëve prodhimi në të ardhmen do t’i afrohet tregut të shitjes,” shprehet presidenti i ABB-së, Peter Voser.

Peter Voser

Përfundoi arsimin profesional për biznes në bankën tregtare dhe të hipotekave asokohe në Aargau, dhe vazhdoi Universitetin e Shkencave të Aplikuara. Sot, 59-vjeçari është kreu i bordit të drejtorëve të ABB-së. Më parë ai ka punuar në mënyrë aktive në kompaninë  e naftës, gjatë periudhës 2009-2013 si drejtor ekzekutiv. Voser jeton në Widen (AG), është i martuar dhe ka tre fëmijë të rritur. Ai është pjesë e bordit mbikëqyrës të Roche, IBM dhe Temasek.

ABB-ja është Numri #2 në botë në industrinë e robotikës. Shumë e më shumë njerëz nuk dinë se çfarë të mendojnë për këtë teknologji. A është një kërcënim për profesionet tona?

Peter Voser: Përdorimi i robotëve vërtet ka arritur një përmasë që e ka kthyer atë në  temë shoqërore. Ndërmarrjet dhe politika duhet të jenë të hapur dhe transparente në mënyrë që ta trajtojnë këtë zhvillim. Për momentin ky diskutim më duket shumë negativ.

Ju si prodhues robotësh jeni të detyruar ta pranoni këtë gjë.

Kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit përqëndrohen te rreziqet dhe i harrojnë mundësitë. Robotika e rrit produktivitetin. Është e vërtetë se profesione të caktuara do të zhduken, por do të krijohen të reja.

Profesione që kanë kërkesa krejtësisht ndryshe.

Ky është problemi kryesor. Çështja qëndron se si mund t’i trajnojmë punonjësit dhe shoqërinë që të arrijnë të përshtaten me profesionet e reja.

Zviceranët krenohen me formimin profesional. Por a është ajo forma e duhur arsimore për të ardhmen dixhitale?

Para pak kohësh një i ftuar zyrtar vizitoi Badenin, ku qindra persona përfitojnë formim profesional. Një 16-vjeçar në vitin e parë na shpjegoi në mënyrë të përkryer në gjuhën angleze se si programon robotë me anë të tabletit të tij. I ftuari ynë mbeti pa fjalë. Ky shembull tregoi se si duhet ta ndryshojmë sistemin tonë arsimor të dyfishtë për t’u pajisur me fuqi punëtore të përshtatshme për këto profesione. Në Zvicër kjo gjë funksionon, megjithatë duhet punuar më shumë në këtë drejtim, dhe kjo duhet të jetë edhe përgjegjësi e kompanive.

Nxënësit tipikë në ABB nuk mësojnë për prerjen e metalit në fillim, por për programimin e robotëve?

Dhe mua kështu më pëlqen ta përshkruaj.

A mjafton kjo për të gjithë jetën e tyre profesionale?

Jo! Në ditët e sotme, zhvillimi teknologjik është kaq i shpejtë saqë neve na duhet t’i trajnojmë sërish punonjësit në moshën 35 ose 40- vjeçare. Mbase do të na duhet ta bëjmë përsëri kur të jenë në moshën 50-vjeçare. Vendet të cilat përdorin shumë robotë kanë nivel shumë të ulët papunësie. Megjithatë, kjo funksionon vetëm nëse përshtatet sistemi arsimor.

Si do t’ia bëjnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), sepse ato kanë burime të kufizuara trajnimi?

Në shkollat tona profesionale në Baden, dy të tretat e nxënësve sot vijnë nga kompani të tjera, si dhe nga shumë NVM. Kjo është një përparësi e madhe për ne. Nëse ne i trajnojmë  mirë të rinjtë dhe më pas i punësojmë në fabrikat tona, kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në cilësinë e produkteve të prodhuara.

Ju përshkruani një panoramë pozitive në Zvicër. Grupi industrial GE bëri bujë, sepse shkurtoi 1400 vende pune. ABB-ja do të zhvendosë 140 vende pune industriale nga Gjeneva në Poloni. A do të vazhdojë të bëjë hapa pas prodhimi i ABB-së në Zvicër?

Kur prodhojmë në fusha të caktuara, kemi kosto shumë të larta dhe kjo thjesht nuk është konkurruese. Për këtë arsye do të ketë zhvendosje të mëtejshme në prodhim.

Megjithëse prodhimi do të nënkontraktohet nga Gjeneva, pozicionet e ardhshme, konkurruese dhe kërkimore të punës do të vazhdojnë të jenë në Zvicër. Vendndodhja nuk do të ndryshojë, sepse duam t’i mbajnë ekspertët dhe novacionin këtu.

Mos ndoshta po shkoni drejt de-industrializimit?

Në planin afatgjatë jo. Në pjesë të ndryshme të industrisë në mbarë botën ne kemi bërë ndryshime rrënjësore. Prodhimi po afrohet gjithnjë e më shumë me tregjet e shitjes.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Më parë kompanitë optimizoheshin në rang botëror. Vëllimet e mëdha të prodhimit zhvendoseshin në vendet me rroga të ulëta. Zhvillimi drejt botës dixhitale po bën që produktet të bëhen me porosi për klientët individualë. Prandaj, prirja dhjetëvjeçare e nënkontraktimit po anulohet.

Kush përfiton?

Europa për shembull, duke përfshirë edhe Zvicrën. Në një fabrikë në Mannheim produktivitetin e kemi rritur me 30%. Kjo na lejon që të prodhojmë seri të vogla të disa qindra artikujve për vend. E gjitha kjo falë robotëve, por ata programohen nga një fuqi punëtore e kualifikuar.

A janë model i vjetëruar fabrikat e mëdha që furnizojnë të gjithë botën nga Azia?

Në Kinë për shembull ka shumë fabrika të mëdha. Por atje kanë printerë 3D të montuar në kamionë, që janë të parkuar para fabrikës për klientët. Sapo vjen një porosi, pjesët printohen dhe dërgohen menjëherë. Në të ardhmen do të ndërtohen fabrika më të vogla dhe me fleksibël, dhe këto zhvillime ne i marrim parasysh kur planifikojmë ndërtimin e fabrikave të reja.

Si mendoni, a duhet të vendosim taksa mbi robotët?

Kjo do të ishte rruga e gabuar, sepse do të vendosnim taksa mbi ecurinë. Do të ishte më mirë nëse ekonomia do të rritej falë ecurisë dhe prej kësaj do të kishte taksa më të larta. Megjithatë, për këtë nevojiten kushtet e duhura.

A ka ndodhur kjo gjë në Zvicër?

Shteti ka ndërmarrë nisma të mëdha, si promovimi i qendrave të Startup-eve ose mbledhja e fondeve për mundësimin e investimit në nismat e të rinjve nëpërmjet fondeve të pensioneve. Në të vërtetë, unë besoj se në Zvicër po shpenzohet shumë kohë për nisjen e Reformës së Ndërmarrjeve III. Vendet si SHBA-ja janë më përpara në konkurrencën e taksave, dhe nëse Zvicra nuk tregohet e shpejtë në këtë drejtim, do të vihemi nën trysni.

Si do të jetë 2018-ta për ABB-në?

2018 do të jetë viti i ABB-së në kuadrin e normalitetit të ri, në botën e dixhitalizuar në zhvillim, ku ne do ta çojmë më tej shndërrimin e ABB-së në një udhëheqës teknologjik dixhital dhe të orientuar drejt software-ve. Tanimë më shumë se 50% e produkteve të shitura përmbajnë software-ë.  Tani presim që në vitin 2018 të përfitojmë nga tregjet e mëdha.

ABB-ja ka bërë shumë përparime në fushën e elektromobilitetit, por zhvillimi është i ngadaltë.

Investimet do të vijnë. Elektromobiliteti është përbërësi kryesor i politikave për energjinë thuajse në çdo vend të botës. ABB-ja është udhëheqës në botë, si për shembull për autobusët elektrikë ose stacionet e karikimit.

Në këtë biznes ne do të kemi një rritje të madhe. Elektromobiliteti tashmë ka marrë hov dhe nuk ka më ndalim. Sidoqoftë, në shumë vende duhen krijuar kushtet e përshtatshme.

ABB-ja bën gjithmonë publikime të mëdha, qoftë për çelësa elektrikë të jashtëzakonshëm në inxhinierinë elektrike apo për bashkëpunimin me IBM-në në fushën e inteligjencës artificiale. Por pas kësaj nuk ka zhvillime të mëtejshme. A është ABB-ja mjeshtër në mbarë botën për publikimet?

Ne bëjmë publike vetëm arritjet tona. Për shembull, inteligjencën artificiale tashmë e integrojmë në të gjithë robotët tanë. Këtë nuk do të arrini ta shikoni nëse nuk jeni në industrinë tonë. Ne iu ofrojmë klientëve tanë zgjidhjet që kërkojnë.

Kush është ABB Group

ABB grup cilësohet si një ndër liderët e fushës së teknologjisë që punon ngushtë me operatorët e shërbimeve, industrisë, transportit dhe infrastrukturës në rreth 100 vende. Mbi 40 vite përvojë në ballë të teknologjive dixhitale grupi kryeson në lidhjet e pajisjeve dixhitale dhe sistemet e pajisjet industriale me një instalim bazë prej mbi 70 mijë sisteme kontrolli, që lidhin 70 milionë njësi.

Publikuar në seksionin ekonomik në gazetën zvicerane NZZ – Neue Zürcher Zeitung

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0