Pigi, miku që ndihmon fëmijën tuaj të mësojë për financat! - Business Magazine Albania

Pigi, miku që ndihmon fëmijën tuaj të mësojë për financat!

Në këtë intervistë ekskluzive, kemi kënaqësinë të bisedojmë me Irena Matraku dhe Bora Selenica,  themelueset e aplikacionit inovativ Pigi. Aplikacioni synon të përmirësojë edukimin financiar për fëmijët, duke krijuar një mënyrë argëtuese dhe praktike për të mësuar rreth parasë. Gjatë kësaj bisede, Irena dhe Bora na ndajnë historinë pas krijimit të Pigit, arritjet e deritanishme, sfidat që kanë përballuar si dhe vizionin e saj për të ardhmen e startup-it që ka filluar të tërheqë vëmendjen në industrinë e edukimit.

Na tregoni pak për historinë e startup-it tuaj. Si lindi ideja dhe cilët ishin hapat fillestarë që ndërmorët për të krijuar këtë biznes?

Ideja për Pigi nuk lindi rastësisht. Pigi nisi gjatë një kompeticioni hackathon në tetor 2022, ku një nga sfidat ishte krijimi i zgjidhjeve dixhitale në fushën e arsimit. Ne zgjodhëm edukimin financiar, pasi është një temë për të cilën të dyja, jemi shumë të apasionuara. Të dyja jemi alumna të Junior Achievement Albania (JAA), organizata më e madhe në Shqipëri për edukimin financiar. Duke qenë pjesë e programeve të JAA për më shumë se 10 vite, si pjesëmarrëse dhe më pas duke punuar për organizatën, ne u frymëzuam të zhvillonim një zgjidhje që të përputhej me këtë mision.
Shpirti ynë sipërmarrës dhe kreativiteti na kanë shtyrë gjithmonë të krijojmë ‘gjënë tonë’, ndaj vendosëm t’i jepnim një shans Pigit. Kemi punuar mbi konceptin e Pigit pas orarit të punës dhe gjatë kohës sonë të lirë, por vetëm kur aplikuam dhe fituam grantin nga Challenge Fund kuptuam që Pigi tani po bëhej i vërtëtë. Në një farë mënyre, Challenge Fund ishte katalizatori që nisi udhëtimin e Pigit nga koncepti në realitet.

Cilat janë arritjet më të mëdha të deritanishme të startup-it tuaj?

Arritja jonë më e madhe deri më tani kanë qenë reagimet jashtëzakonisht pozitive që kemi marrë nga përdorues të mundshëm. Kur flasim për Pigin me prindërit dhe me fëmijët, janë gjithmonë shumë të emocionuar të provojnë aplikacionin. Të dëgjojmë prindërit që na thonë se Pigi ka potencial të madh për t’i ndihmuar ata të mësojnë fëmijët e tyre rreth parasë në një mënyrë argëtuese dhe praktike, është arritja më e madhe deri tani për ne.

Cilat janë disa nga sfidat kryesore që keni hasur gjatë zhvillimit të pigit dhe si i keni kapërcyer ato?

Që në fillim, kemi patur vizionin që Pigi të mos ishte thjesht një aplikacion, por një karakter, një figurë të cilën fëmijët mund ta ndjekin dhe ta shohin si shok. Për ta sjellë Pigin në jetë, u deshën disa iteracione me ekipin tonë të dizajnit, pasi donim të ndërtonim një karakter me të cilin fëmijët mund të krijonin një lidhje emocionale. Interesante është se kemi zbuluar që Pigi po bën “magjinë” e tij edhe tek prindërit të cilët po ashtu e pëlqejnë shumë.

Si e shihni zhvillimin e startup-it tuaj në 3-5 vitet e ardhshme?

Ne e shohim Pigin që të përdoret nga çdo fëmijë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej. Synimi ynë është që Pigi të bëhet aplikacioni edukativ lider me një ndikim të madh shoqëror, duke fuqizuar fëmijët të mësojnë për paranë dhe të bëhen të pjekur financiarisht, të përgjegjshëm dhe të suksesshëm.

Lexo edhe“Primordial Passion” – Ora e parë luksoze shqiptare me vlerë €1.4 milionë nga Argjendari Pirro!

Si po planifikoni të zgjeroni ndikimin e Pigit dhe çfarë lloj partneritetesh apo mbështetjeje financiare po kërkoni për ta bërë këtë të mundur?

Ne jemi aktualisht në kërkim të mbështetjes financiare dhe partneriteteve strategjike dhe po e ndjekim këtë në mënyrë agresive, sepse duam t’i japim Pigit çdo mundësi që të rritet dhe të bëhet pjesë e çdo familjeje shqiptare. Ne synojmë të bashkëpunojmë me organizata, potencialisht banka ose institucione të tjera financiare, që mund të mbështesin zhvillimin e Pigit dhe të na ndihmojnë të përmbushim misionin tonë të përhapjes së edukimit financiar për fëmijët.

Së fundmi, ju keni qenë edhe  edhe një ndër startupet  e përzgjedhura si fituese e fazeës së parë të challenge fund , cilat janë projektet që keni në plan të realizoni me ndihë e saj?

Challenge Fund na ka ndihmuar të krijojmë MVP-në tonë (Minimum Viable Product) dhe ta validojmë aplikacionin me përdoruesit. Aktualisht, jemi live në App Store dhe Play Store. Me ekspozimin që kemi marrë nga Challenge Fund, synimi ynë tani është të arrijmë tek investitorë që mund të jenë të interesuar për të investuar në idenë tonë dhe për ta zhvilluar më tej.

Cila është vizioni juaj për të ardhmen e startup-it tuaj dhe si dëshironi që të kujtohet startup-i juaj në industrinë ku operoni?

Ne duam që Pigi të kujtohet si aplikacioni edukativ që revolucionarizoi mënyrën se si fëmijët mësojnë për paranë. Vizioni ynë është të frymëzojmë një gjeneratë individësh të ditur financiarisht dhe të përgjegjshëm, që rriten duke kuptuar vlerën e parasë. Duam që Pigi të lërë një trashëgimi, një emër që lidhet me fuqizimin përmes edukimit financiar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0