Pasuria ekstreme ka gjithmonë tërhequr vëmendjen e botës. Por kush e ka mbajtur fronin e “më të pasurit në botë” ndër vite? Nga Henry Ford që revolucionarizoi industrinë e makinave, tek Elon Musk që çoi teknologjinë në një tjetër nivel – çdo dekadë ka pasur një emër të madh që pasqyron kohën dhe epokën që përfaqëson. Ky artikull është një udhëtim nëpër kohë. Do të zbulojmë se si është ndërtuar, ruajtur dhe ndonjëherë humbur pasuria, nga nafta te kodet e software-it, nga perandoritë e pasurive të paluajtshme te raketat për në hapësirë. Dhe ndoshta… do të pyesim veten: kush do të jetë personi i radhës që do të bëjë histori?
Vitet 1940: Henry Ford
I lindur në vitin 1863, themeluesi i kompanisë së fuqishme Ford Motor Company revolucionarizoi industrinë e automjeteve dhe solli makinën në tregun masiv, duke shitur miliona njësi gjatë jetës së tij. Në vitet 1940, Ford u bë personi më i pasur në botë. Në kohën e vdekjes së tij në vitin 1947, pasuria e tij vlerësohej në më shumë se 200 miliardë dollarë (rreth 154 miliardë paund në vlerën e vitit 2024).
Vitet 1950: J. Paul Getty
I lindur në vitin 1892 në Minneapolis, Getty filloi të investojë në industrinë e naftës në moshë të re. I njohur për kursimtarinë e tij të famshme, ai ndërtoi një perandori gjigante bazuar në “arit e zi”. Në vitet 1950, pasuria e tij njohu kulmin, veçanërisht pasi mori me qira toka të pasura me naftë në Lindjen e Mesme. Në vitin 1957, revista Fortune e shpalli Getty-n amerikani më i pasur ndonjëherë.
Vitet 1960: J. Paul Getty
Getty vazhdoi të dominojë industrinë globale të naftës edhe gjatë viteve ’60. Në vitin 1966, Guinness Book of Records e shpalli atë njeriun më të pasur në botë me një pasuri prej 1.2 miliardë dollarësh – rreth 11.7 miliardë dollarë sot. Ai shpenzonte shumë në pasionin e tij për koleksionimin e artit.
Vitet 1970: J. Paul Getty
Getty mori vëmendjen e mediave në vitin 1973 kur refuzoi të paguante 17 milionë dollarë për lirimin e nipit të tij, John Paul Getty III, i cili ishte rrëmbyer në Romë. Marrëveshja u arrit vetëm pasi rrëmbyesit i prenë veshin adoleshentit. Kur vdiq në vitin 1976, pasuria e tij arrinte në 6 miliardë dollarë – afërsisht 34 miliardë dollarë (26.2 miliardë paund) në vlerat e sotme.
Lexo edhe:Produkte luksoze për 5 dollarë? Kina trondit tregun amerikan përmes TikTok-ut
Vitet 1980: Yoshiaki Tsutsumi
Sipërmarrësi japonez i pasurive të paluajtshme Yoshiaki Tsutsumi ishte njeriu më i pasur i viteve 1980, duke kryesuar listën globale të Forbes për tre vite radhazi. Në kulmin e bulesë së tregut të pasurive në Japoni në vitin 1987, pasuria e tij u vlerësua në 20 miliardë dollarë – rreth 55.6 miliardë dollarë sot. Por kjo periudhë lulëzimi nuk zgjati shumë. Vlerat e pasurive ranë ndjeshëm në vitet ’90, dhe Tsutsumi u përfshi në një skandal kontabël në fillim të viteve 2000. Deri në vitin 2006, ai kishte humbur vendin në listën e Forbes.
Vitet 1990: Bill Gates
Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, u ngjit në krye të listës së Forbes për herë të parë në vitin 1995, falë rritjes së jashtëzakonshme të aksioneve të kompanisë së tij. Në atë kohë, pasuria e tij ishte 12.9 miliardë dollarë – rreth 26.7 miliardë dollarë sot. Në vitin 1999, pasuria e tij kaloi 100 miliardë dollarë – që përkthehet në rreth 189 miliardë dollarë në vlerë aktuale.
Vitet 2000: Warren Buffett
Pas rënies së çmimit të aksioneve të Microsoft pas krizës dot-com në vitin 2000, Gates humbi një pjesë të madhe të pasurisë së tij. Megjithatë, ai qëndroi në krye deri në vitin 2008, kur Warren Buffett, CEO i Berkshire Hathaway, e kaloi përkohësisht. Në atë vit, pasuria e Buffett arriti kulmin në 62 miliardë dollarë – rreth 90.8 miliardë dollarë në vlerën e sotme – duke e bërë njeriun më të pasur të dekadës 2000.
Vitet 2010: Jeff Bezos
Pas vitit 2009, kur Berkshire Hathaway pati rezultatet më të këqija financiare ndonjëherë, Buffett ra nga maja. Gates e rifitoi pozicionin e parë, por në vitin 2010 u tejkalua nga manjati meksikan i telekomunikacionit, Carlos Slim, i cili mbajti fronin deri në vitin 2014. Gates qëndroi në krye nga viti 2015 deri në 2017, por në vitin 2018, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, u bë njeriu më i pasur në botë me një pasuri prej 160 miliardë dollarësh – rreth 200 miliardë dollarë në vlerën e sotme.
Vitet 2020: Elon Musk
Në fillim të kësaj dekade, Jeff Bezos kryesoi listën e Forbes për vitin 2019 me një pasuri prej 131 miliardë dollarësh (rreth 162 miliardë dollarë sot), edhe pse një pjesë e kësaj u humb pas divorcit me ish-bashkëshorten Mackenzie Scott. Në vitet e fundit, megjithatë, titulli i njeriut më të pasur është zotëruar nga Elon Musk, i cili aktualisht zotëron një pasuri marramendëse prej 363.7 miliardë dollarësh(2025).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.