Qeveritë tona punësojnë PR e zëdhënës, një staf të tërë mbështetës për të komunikuar me publikun, por shumë shpesh për çështje me interes të madh për qytetarët, nuk përcillet asnjë informacion. Përse ndodh kështu në më shumë se dy dekada në Shqipëri?
Në Danimarkë, një miku im thoshte se taksat që paguajnë të pasurit arrijnë deri në 70% të fitimeve të tyre. Po kështu dhe rrogat e larta taksoheshin mbi 50%. Ky njeri thoshte se jam shumë i qartë ku shkojnë taksat e mia, shkojnë për të rregulluar jetën e atyre që janë në nevojë, jo vetëm në Danimarkë, por dhe në vendet e botës së tretë, ndaj i jap me kënaqësi. Pra një njeri ndjen kënaqësi kur e di se paraja që ai kontribon shkon diku, dhe për këtë ai ka transparencë të plotë.
Si ka mundësi që në Shqpëri nuk kuptohet sa i rëndësishëm është komunikimi me publikun?
Kështu ndodhi me armët kimike. Askush nuk i sqaroi popullit përfitimet dhe disfavoret e asaj marrëveshje me SHBA. Qeveria ka gjithë mjetet e komunikimit për ta shteruar gjithë këtë bisedë. Nëse populli do informohej për metodat e përdorura, që mund te kishin impakt zero në mjedis nga gjithë ai proces, ndoshta edhe ajo marrëveshje mund të bëhej, gjithnjë nëse njerëzit bindeshin. U ndez situata aq sa turma njerëzish erdhën nga të gjitha anët për të marrë një përgjigje. Përse duhet qe gjerat të shkojnë në një kulm të tillë, deri në acarim, kur mund të marrësh gjithë kohën e nevojshme të sqarosh publikun?
E njëjta gjë ndodhi me Marrëveshjen e Detit. Nuk u fol asgjë nga pala shqiptare deri sa krejt papritur publiku sheh në ekranet greke, një marrëveshje gati të përfunduar. Në këto raste shqiptarët ndihen të fyer.
Vijmë te taksa e Rrugës së Kombit. Habia më e madhe në këtë histori ishte se vetë kryebashkiaku i Kukësit, që është zgjedhur me votat e komunitetit të tij nuk kishte asnjë dijeni, asnjë komunikim deri ditën që nisi pagesa në pragun e shtëpisë së tyre. Nëse ai do ishte informuar plotësisht për përfitimet, lehtësimet dhe gjithcka që do i ofrohej komunitetit të Kukësit, ai do bënte punën e vet për të informuar popullatën. Nëse ai do ishte sqaruar saktë, nuk kishte pse qeveria të zbarkonte në Kukës, pasi popullata do ishte informuar në nivel lokal. Kryebashkiaku tha se përkundrazi, letrave të tij zyrtare për të marrë sqarime lidhur me këtë takse, nuk i ishte përgjigjur askush nga Qeveria. Si ka mundësi që një administratë qëndrore nuk i kthen përgjigje kryebashkiakut të një qyteti, pavarësisht përkatësisë partiake? Kur nuk merr përgjigje një kryebashkiak si mund të marrë përgjigje një qytetar i thjeshtë nga Qeveria e tij? Ç’është kjo mungesë absurde komunikimi njerëzor? Mjafton nje email sqarues.. ose një komunikim a forum në mediat sociale, pasi mjetet e komunikimit sot janë të panumërta. Si është e mundur që Qeveria të jetë kaq e shkëputur nga njerëzit për të komunikuar çështje kaq madhore?
Një tjetër çështje irrituese së fundi ishte edhe ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar. Përse askush nuk denjoi të dëgjonte artistët, të bisedonte me ta para se të publikoheshin projekte në ekrane, me gjysma kulla e gjysma teatro. Si është e mundur që gjithçka imponohet, pastaj kërkohet të ulen tonet duke biseduar? Përse më parë bisedoni, bëni marrëveshje dhe i vini vulen me biznesmenët, zbatuesit apo koncensionarët, pastaj kërkoni t’ia impononi publikut një projekt të caktuar? Votën ku e kërkuat, ku e morët, kush ju solli në pushtet? Përse atëherë u deshet të zbrisnit shtëpi më shtëpi e fshat më fshat? Pse nuk e mbyllet dhe atëherë komunikimin vetëm me biznesmenët?
Kam qenë pjesë e disa administratave dhe gjithnjë sa herë kam mundur, kam këmbëngulur që çështjet e paqarta për publikun të sqarohen. Gjykoj se sa më i hapur të jesh, sa më i sinqertë, aq më shumë rritet kredibiliteti dhe popullariteti si ministër apo si qeveri. Mungesa e komunikimit është absurde në këtë kohë të bumit teknologjik të këtij sektori. Në këtë qeveri ka një ushtri me PR dhe njerëz shumë të artikuluar për ta bërë këtë fushatë sqarimi e sensibilizimi para se gjerat të ndodhin. Kur ato ndodhin, është shumë e vështirë të sqarohen. Kështu dhe besueshmëria e publikut firon pak nga pak.
Sot në konceptin e një zhvillimi të qëndrueshëm po flitet gjithnjë për pjesëmarrjen e komuniteteve lokale në vendimarrje. Përse e kemi të pamundur ta adoptojmë këtë qasje?
Fraza më e bukur që kam fiksuar nga ky kryeminister kur erdhi në pushtet ishte: Detyra është e imja, pushteti është i juaji. Sa bukur tingëllon, nëse do ishte e sinqertë. Por ç’pushtet ka populli, kur nuk pyetet as kur i zbrazen xhepat, as ku shkojnë paratë e tij? Pse nuk bëni detyrën ta informoni dhe t’i shërbeni?
Nuk shkohet më me retorikë politike, duke thënë se ata para jush kanë qenë më keq. Kjo dihet se të ishin më mirë, nuk do fitonit ju një mandat të dytë. Marrëdhënia nuk është mes jush dhe opozitës, por mes jush dhe popullit. Kjo marrëdhënie nuk vendoset duke postuar çdo ditë vetëm arritjet, por duke dëgjuar shqetësimin edhe të një individi të vetëm, pa i fyer, pa i ofenduar se nuk marrin vesh, por duke u ulur e duke biseduar me ta, se çfarë është më e mira për komunitetin e tyre. Nëse do kishit dëgjuar këtë zë, edhe historia e taksës së TVSH për biznesin e vogël që nisi këtë muaj, nuk do ishte kaq e dhimbshme. Për shkak të mungesës së komunikimit, pakënaqësia ndaj qeverisjes po shtohet çdo ditë. Kjo, dhe në radhët e atyre që ju votuan për të dytin mandat qeverisjeje.Nuk mbaj mend ndonjëherë që një çështje e rëndësishme që lidhet direkt me qytetarët të hidhet dhe të diskutohet në popull deri sa komuniteti ta kuptojë rëndësinë e saj dhe më pas ta ndjejë sa më pak dhimbjen e atij vendimi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.