E djela e kësaj jave duket larg për ata që presin me padurim pushimin. Por, nuk është e tillë për të gjithë ne. Pikërisht në ditën kur duhet të ndihemi të relaksuar, në xhepat tanë do të rëndojnë disa taksa më shumë.
Paketa fiskale e këtij viti, parashikoi që disa rritje taksash e tarifash të nisin të aplikohen me 1 prill, ndërsa të tjera ndryshime hynë në fuqi me 1 janar.
Përtej kundërshtimeve të sipërmarrësve, shoqatave të biznesit dhe reagimeve në mediat sociale nga qytetarët, 1 prilli sjell një “valë” taksash të rritura.
Sipas paketës fiskale të vitit 2018, taksa e pronës do të fillojë të llogaritet në bazë të vlerës së pronës dhe jo sipërfaqes së saj. Ajo pritet të gjendet në faturën e energjisë elektrike. Qeveria mund të vendosë që për disa bashki si ajo e Tiranës, taksa e pronës për bizneset të mblidhet përmes faturës së ujit, siç ka ndodhur deri me tani.
Sipas formulës së re, për familjarët do të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, ndërsa për bizneset, 0.15% të vlerës. Për t’u sjellë një shembull, një shtëpi me vlerë 10 milionë lekë pritet të ketë një taksë mujore prej 500 lekësh.
Lexoni: https://businessmag.al/shume-taksa-bashkia-e-tiranes-miraton-buxhetin-2018/
Ngarkesa e dytë fiskale me bazë të gjerë, fillimisht tek rreth 20000 biznese, por edhe tek të gjithë konsumatorët, pritet të jetë kalimi i biznesit të voglë me TVSH. Sipas paketës fiskale të këtij viti, të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 2 mln lekë do të lëshojnë faturën e TVSH-së. Parimisht produktet e shërbimet mund të jeni deri në 20% më të shtrenjta, ndërkohë bizneset duhet të paguajnë më shumë ekonomistët që u mbajnë bilancet.
Pak ditë me parë, një prej ekspertëvë kontabël në vend Ilir Binaj, ka theksuar për BusinessMag se biznesi është tërësisht i pa përgatitur, duke paralajmëruar vështirësi në aplikimin e saj.
Lexoni: https://businessmag.al/nga-1-prilli-me-tvsh-ilir-binaj-sipermarrjet-te-papergatitura/
Turistë e udhëtarë do të përballen njëkohësisht me tarifën që do të aplikohet për kalimin e rrugës së kombit. E diskutuar prej vitesh, dhe prej rreth një viti e gjysëm me përcaktimin e kompanive fituese, kalimi i rrugës së kombit paralajmërohej të ishte 5 euro për një autoveturë 4+1.
Kompania fituese e koncesionit ka instaluar këto ditë sistemin e pagesave dhe është në fazë testimi, për të filluar pagesën në muajin prill.
Koncesionari ka një kontratë 30 vjeçare, e parashikuar mes qeverisë shqiptare dhe grupeve të biznesit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a.,
Tarifa për motorrët pritet të jetë 2.5 euro, ndërsa arrin deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto