Për herë të parë, një revistë e dedikuar për arbëreshët - Business Magazine Albania

Për herë të parë, një revistë e dedikuar për arbëreshët

“Continuum” është emri i revistës shkencore të Qendrës së Studimieve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

Tashmë është botuar numri i parë i kësaj reviste vjetore që është konceptuar në përputhje me misionin e QSPA, si pjesë e botimit të studimeve të specializuara për historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.

Në këtë kuadër, revista synon të nxisë bashkëpunimin mes studiuesve vendas dhe atyre në Diasporë e më gjerë, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e strukturës së studimeve mbi komunitetin arbëresh, dhe shërben si një forum për shkëmbimin e ideve dhe debateve shkencore. Realizimi i saj bëhet i mundur nga Drejtoria e Studimeve dhe Publikimeve pranë QSPA, në bashkëpunim dhe me studiues të tjerë brenda dhe jashtë vendit.

Zgjedhja e titullit nga latinishtja “Continuum” (“Vijimësia”), mëton të ngërthejë një simbolikë të dyfishtë: nga njëra anë, lidhjen e pashkëputur ndonjëherë të arbëreshëve nga trungu amë, pavarësisht aspektit fizik territorial dhe, nga ana tjetër, vijimësinë që kjo Qendër Studimesh dhe Publikimesh synon të realizojë.

Revista është strukturuar në këto rubrika:

  • Artikuj studimorë të studiuesve të QSPA, por edhe të figurave të tjera të arealit akademik shqiptar, mbi çështje të ndryshme që ngërthejnë retrospektivën, aktualen apo edhe të ardhshmen e problematikave me natyrë historike, gjuhësore, letrare etj., të arbëreshëve;
  • Forum: “Arbërishtja – gjuhë në rrezik”. Kjo rubrikë, e menduar si një fillim agora-je për studiuesit e çështjes arbërore, është konceptuar mbi bazën e parashtrimit të të njëjtave pyetje që kërkojnë përgjigjen e disa studiuesve albanologë në disa vende (Shqipëri, Kosovë, Itali, Gjermani) mbi debatin më të ndjeshëm të sotëm, atë të gjuhës arbërisht në rrezik.

Ky format risi mëton të vjelë mendimin e studiuesve të disiplinave të ndryshme e me një përhapje gjeografike të larmishme, në mënyrë që kjo çështje që është përzgjedhur edhe si moto e vitit të punës së QSPA, të konvergjojë në një ide të qartë e të artikuluar mbi mendimin akademik aktual të albanologëve kudo që ndodhen;

  • Almanak: siç edhe vetë fjala e tregon, kjo rubrikë paraqet kontributet e disa figurave të rëndësishme të universit arbëresh që kanë pasur përvjetorë lindjesh apo vdekjesh në këtë vit kalendarik, nëpërmjet shkrimeve mbi ta;
  • Dokumente dhe materiale, të pabotuara më parë;
  • In memoriam: shkrime përkujtimore të studiuesve arbëreshë apo të atyre që kanë studiuar arbëreshët, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë këtij viti kalendarik;
  • Kritikë dhe bibliografi: recensione kritike mbi botimet e fundit të QSPA si dhe të botimeve të tjera mbi arbëreshët;
  • Veprimtaria e QSPA gjatë vitit 2020–2021: një përmbledhje e historisë së themelimit të këtij institucioni, e platformës, vizionit, objektivave, qëllimeve e synimeve, po aq sa e veprimtarive të Qendrës në vitin e parë të krijimit, në tri drejtimet kryesore të saj: studime, botime, përhapje dhe sensibilizim i kulturës arbëreshe në mjedisin shqiptar.

Revistën e plotë në versionin online, mund ta gjeni në linkun vijues: http://qspa.gov.al/continuum/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0