Të gjithë shqiptarët që punojnë dhe kontribuojnë në Zvicër, do t’u njihen vitet e punës për efekt pensioni. Kryeministri Edi Rama, bëri të ditur se parlamenti zviceran miratoi me 129 vota pro, marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë, e cila u firmos në Tiranë më 18 shkurt të këtij viti.
“Faleminderit Qeverisë Zvicerane, parlamentarëve zviceranë dhe padiskutim ekipeve teknike të përbashkëta, të cilat punuan pa u lodhur për këtë marrëveshje të shumëpritur për shqiptarët që punojnë e kontribuojnë në Zvicrën mike”,- shkruan Rama.
Kreu i qeverisë me këtë rast informon se edhe Italia është drejt vendimarrjes për njohjen e Sigurimeve Shoqërore me Shqipërinë.
“Kryeministrja Giorgia Meloni më premtoi pardje në Tiranë, se shumë shpejt do të votohet në parlamentin italian edhe marrëveshja e shumëpritur me Italinë”- shkruan Rama në rrjetin e tij social Facebook.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.