Papa Leo: Priftërinjtë të mos përdorin AI për të shkruar predikimet dhe të mos kërkojnë “like” në TikTok - Business Magazine Albania

Papa Leo: Priftërinjtë të mos përdorin AI për të shkruar predikimet dhe të mos kërkojnë “like” në TikTok

Papa Leo: Priftërinjtë të mos përdorin AI për të shkruar predikimet dhe të mos kërkojnë “like” në TikTok

Papa Leo XIV u ka bërë thirrje priftërinjve që të mos përdorin inteligjencën artificiale për të shkruar predikimet e tyre dhe të mos përpiqen të kërkojnë  popullaritet në rrjetet sociale si TikTok.

Gjatë një takimi me pyetje-përgjigje me klerin e Dioqezës së Romës, Papa theksoi se priftërinjtë duhet t’i rezistojnë tundimit për të përdorur inteligjencën artificiale në përgatitjen e predikimeve. “Si çdo muskul në trup, nëse nuk e përdorim, ai dobësohet dhe humbet funksionin. Edhe truri duhet ushtruar. Inteligjenca jonë duhet të vihet në punë, që të mos humbasim aftësinë për të menduar dhe reflektuar,” tha Papa gjatë këtij takimi të zhvilluar me dyer të mbyllura, sipas një raporti të Vatican News. Sipas tij, një predikim i vërtetë nuk është thjesht një tekst i mirë shkruar, por një ndarje e besimit me të tjerët. “Të japësh një predikim të vërtetë do të thotë të ndash besimin tënd. Inteligjenca artificiale nuk do të jetë kurrë në gjendje të ndajë besimin,” theksoi ai.

Papa Leo XIV ka treguar interes për temën e inteligjencës artificiale që nga ditët e para të pontifikatit të tij. Ai ka shpjeguar se emrin e tij e zgjodhi në nder të Papa Leo XIII, autor i enciklikës së famshme “Rerum Novarum”, e shkruar në kohën e revolucionit të parë industrial, një dokument që trajtonte çështjet sociale dhe dinjitetin e punës. Në bisedën me priftërinjtë e Romës, Papa nënvizoi rëndësinë e një shërbimi pastoral të lidhur me komunitetin ku prifti jeton dhe shërben. “Njerëzit duan të shohin besimin tuaj, përvojën tuaj personale të takimit dhe dashurisë për Jezu Krishtin,” tha ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e kërkimit të popullaritetit në internet. “Është një iluzion të mendosh se në internet, apo në TikTok, po ofron veten dhe po fiton ‘like’ e ndjekës. Nëse nuk po transmetojmë mesazhin e Jezu Krishtit, atëherë duhet të reflektojmë seriozisht dhe me përulësi mbi atë që jemi dhe mbi atë që po bëjmë,” u shpreh Papa. Papa theksoi gjithashtu se për një prift është thelbësore një jetë e thellë shpirtërore dhe lutjeje. Ai shtoi se kjo nuk duhet të jetë një rutinë e shpejtë formale, por kohë e vërtetë e kaluar me Zotin.

Lexo edhe: Ndarja në burim e mbetjeve dhe riciklimi, qeveria vendos afate për njësitë vendore

Takimi u prezantua nga kardinali Baldo Reina, vikari i përgjithshëm i Romës. Katër priftërinj, që përfaqësonin katër grupmosha të ndryshme, patën mundësinë t’i drejtonin pyetje Papës. Një prej tyre, një prift i ri i shuguruar nga vetë Papa Leo në muajin maj, e pyeti se si mund të mbështesin priftërinjtë e rinj njëri-tjetrin në botën e sotme. Papa i ftoi ata të jenë të vëmendshëm ndaj realitetit nga i cili vijnë shumë të rinj. Ai theksoi se shumë familje sot përballen me kriza të thella, me prindër të ndarë, të rimartuar apo edhe me mungesë të njërit prind. “Shumë të rinj kanë përjetuar edhe braktisjen. Prandaj priftërinjtë duhet ta njohin realitetin e tyre dhe t’i shoqërojnë nga afër,” tha ai.

Megjithatë, Papa paralajmëroi se priftërinjtë nuk duhet të përpiqen thjesht të sillen si bashkëmoshatarë të të rinjve. Sipas tij, dëshmia e jetës së një prifti duhet të shërbejë si model për ta. Ai i inkurajoi gjithashtu priftërinjtë të mos mjaftohen vetëm me të rinjtë që tashmë frekuentojnë kishën, por të kërkojnë mënyra të reja për të arritur edhe tek të tjerët.

“Duhet të dalim vetë, të organizojmë iniciativa dhe t’i ftojmë të rinjtë. Mund të krijohen aktivitete përmes sportit, artit apo kulturës,” sugjeroi Papa. Një tjetër mesazh i tij ishte rëndësia e miqësisë mes vetë priftërinjve. Ai i ftoi të shmangin xhelozinë apo rivalitetin mes tyre dhe të ndërtojnë marrëdhënie të sinqerta.

“Mos kini frikë të trokisni në derën e njëri-tjetrit dhe të thoni: pse të mos takohemi herë pas here për të studiuar, reflektuar, për t’u lutur së bashku dhe më pas për një drekë të mirë?” tha Papa me humor.

Në fund të bisedës, Papa Leo XIV trajtoi edhe tema të tjera të rëndësishme, përfshirë çështjen e eutanazisë. Ai theksoi se priftërinjtë duhet të jenë ndër të parët që dëshmojnë se jeta ka një vlerë të jashtëzakonshme. Po ashtu, ai i nxiti priftërinjtë të mos harrojnë detyrën për të vizituar të sëmurët, për t’u çuar atyre kungimin dhe për t’u dhënë sakramentin e vajimit të të sëmurëve. “Është e bukur që edhe laikët ndihmojnë në këtë shërbim,” tha Papa, “por kjo nuk do të thotë që prifti të qëndrojë në shtëpi duke parë gjëra në internet.”

ncr

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0