Po cila është tradita e leximit dhe cila është tendenca? Përfaqësuesë të disa prej shtëpive botuese flasin për një rritje të interesit për lexim.
Ecurinë për trendet e shumë shtëpive botuese na e pasqyron në mënyrë të përmbledhur Bukinist.al, ndërmjetësi online mes botuesve dhe lexuesve.
Albert Gjoka, përfaqësues i Bukinist tregon se, “vëmendja ishte e përqëndruar shumë sidomos gjatë periudhës së panairit. Sipas të dhënave që kemi, romani është zhanri më i lexuar në masën 60%”. Ai flet për romanin e huaj, ndërsa romani shqiptar vijon të mos kërkohet në mënyrë të kënaqshme.
Kategoria e dytë, në bazë të shitjeve është është ajo e botimeve për fëmijë. Libra me përralla, aventuara.
Kategoria e tretë e librave më të kërkuar është ajo e librave të biznesit, zhvillimit personal dhe motivimit. Ky është trend i 4-5 viteve të fundit dhe shtëpitë botuese po orientohen shumë drejt kësaj literature, e cila po shërbën si një sistem i edukimit në vazhdim të sipërmarrjeve shqiptare.
Lexo: 4 librat më të kërkuar të biznesit dhe zhvillimit personal në Panairin e Librit 2018, Tiranë
Shtëpia Botuese Damo, nga Prishtina, u prezantua me të gjithë kolazhin e botimeve të Brian Tracy, Menaxhimi, Lidershipi, Motivimi, Brilant, Mendimi Pozitiv, Psikologjia e shitjeve. Ata që i kërkojnë më së shumti këto libra janë studentë e përfaqësues të bizneseve.
Përfaqësuesit e shtëpisë botuese “Akropoli i Ri”, tregojnë se interes të shtuar pati për librat “Dijet e të lashtëve” dhe “Heroi i Përditshmërisë”.
Heroi i përditshmërisë, sjell filozofinë në mënyrë praktike. Brenda këtij libri gjejmë disa këshilla praktike si të kapërcejmë disa vështirësi gjatë përditshmërisë sonë, punën, familjen. Është një libër praktik dhe mund të lexohet pa shumë impenjim dhe i dobishëm për të gjithë.
Dijet e të lashtëve është një libër më impenjativ, i filozofit Francis Bakon. Një nga studimet e para shkencore të bërë në Europë, i cili ka krijuar një metodë shkencore të të studiuarit të gjërave. Ai prezanton 32 mite, të cilat i ka përmbledhur në një libër dhe i ka sjellë në formë krahasuese për ngjashmëritë dhe ndryshimet mes tyre. Na mëson për vlerat dhe motivet që lëviznin qytetërimin e atëhershëm. Për lexuesin përbën interes pasi bën krahasim deri diku me atë kohë, duke na ftuar të përqafojmë disa nga ato vlera.
Si një katalizator leximi, pjesë e panairit ishte edhe nisma e Ministrisë së Kulturës, “Takohemi për një Libër”. Suela Bala, Koordinatore e Lëvizjes Kombëtare për Lexim, nga Ministria e Kulturës tha për Businessmag se, Lëvizja Kombëtare për Lexim synon të tejkalojë fushatën e dy viteve të fundit “Takohemi për një libër”. “Këtë vit jemi në kushtet e një lëvizje pa limit kohor. Por, kemi disa qëllime të kthjellta, që synojnë të bëjnë bashkë disa aktorë të rëndësishëm në fushën e librit dhe që nxisin leximin”. Objektivi sipas Suelës është që të mbërrijmë të dëshmojmë që të paktën fëmijët që janë targeti kryesor, kanë dëshirë për të lexuar. “Kësisoj na takon ne të mundësojmë ushqimin e dëshirës së tyre për të lexuar,” tha Bala.
Lëvizja Kombëtare për Lexim rrek shkollat, (meqë target ka fëmijët), bibliotekat publike në të gjithë vendin (që financohet nga pushteti vendor dhe që vuajnë fiancimin e pakët) dhe të gjithë aktorët e tjerë të rëndësishëm në fushën e librit.
Përmes këndit të leximit ndërtuar në stendën e Bukinist, Suela tregon se, shkrimtarë, botues përkthyes, lexues ndajnë një copë rrugë. Ajo çfarë Ministria e Kulturës po synon të bëjë të qartë është se, “nxitja e leximit dhe promovimi i kulturës dhe i modeleve, që e nxisin një fëmijë të lexojë nuk është target i një institucioni të vetëm. Do të jemi të gjithë bashkë për të rikthyer vlerat e leximit. Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që duhet kontributi i të gjithëve sot në nxitjen e leximit tek fëmijët, në mënyrë që nesër ata të jenë lexues”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.