“Otroverti”, personaliteti i ri që sfidon turmën, pse disa njerëz nuk ndihen as introvertë, as ekstrovertë? - Business Magazine Albania

“Otroverti”, personaliteti i ri që sfidon turmën, pse disa njerëz nuk ndihen as introvertë, as ekstrovertë?

Nëse bisedat sipërfaqësore të lodhin dhe preferon qetësinë, ndoshta je introvert. Nëse energjizohesh nga njohjet e reja dhe turma, je ekstrovert. Por çfarë ndodh kur asnjëra nga këto etiketa nuk të përshkruan? Psikiatria moderne po prezanton një term të ri që po ngjall debat dhe kureshtje: “otroverti”.

Ky koncept është propozuar nga psikiatri Rami Kaminski, në librin e tij The Gift of Not Belonging, botuar në qershor 2025. Sipas tij, otrovertët janë njerëz që nuk përshtaten lehtë me kornizat klasike të personalitetit dhe nuk ndiejnë nevojën për t’u bërë pjesë e turmës. Fjala vjen nga spanjishtja “otro”, “tjetër”, dhe latinishtja “vert”,“të kthehesh”, duke përshkruar një orientim personaliteti që “kthehet larg grupit”.

“Nëse Jung e shihte introvertin dhe ekstrovertin si dy orientime bazë të personalitetit, unë e shoh otrovertin në të njëjtën mënyrë: si një tipar që nuk kërkon drejtimin e grupit,” shpjegon Kaminski.

Ndryshe nga introvertët dhe ekstrovertët, të cilët, pavarësisht ndryshimeve, mbeten thellësisht socialë, otroverti është një ‘i jashtëm’. Jo domosdoshmërisht i vetmuar apo antisocial, por dikush që nuk ndien përkatësi të plotë në grupet shoqërore. Dhe kjo, sipas autorit, nuk është aspak negative.

Në një shkrim për The Guardian, Kaminski, i cili identifikohet vetë si otrovert, thekson se vetëdija për këtë tipar mund të jetë çliruese:
“Na lejon t’i themi vetes ‘jo’ situatave që na krijojnë parehati, të ndërtojmë marrëdhënie më të thella me njerëzit e afërt dhe të pranojmë veten ashtu siç jemi.”

Kush janë otrovertët?
Zakonisht janë njerëz të ngrohtë dhe empatikë, që krijojnë lehtësisht lidhje të forta personale. Ata marrin energji nga bisedat e thella me miqtë e ngushtë, jo nga ambientet e mbushura me njerëz. Paradoksalisht, shumë prej tyre janë edhe mjaft popullorë, por nuk u intereson nëse “bëjnë pjesë” apo jo në një rreth të caktuar.

Otrovertët shpesh qëndrojnë larg strukturave formale si feja e organizuar, partitë politike, klubet apo ekipet sportive. Ata preferojnë të vlerësojnë çdo ide vetë, pa e pranuar automatikisht vetëm sepse është shumicë.

A je edhe ti një otrovert?
Psikiatri ka krijuar edhe një test online, por disa pyetje orientuese janë:
– Preferon të marrësh vendime pa kërkuar këshilla?
– Të duket e vështirë puna në grup?
– Ndihesh ndonjëherë i vetmuar edhe kur je mes njerëzve?
– I shmangesh ritualeve dhe zakoneve të përbashkëta?
– Ke një nevojë të fortë për liri dhe pavarësi?
– Të pëlqejnë më shumë pyetjet sesa përgjigjet?

Otroverti vjen si një kujtesë se të qenit “ndryshe” nuk është dobësi, por një formë tjetër e autenticitetit njerëzor.

Nice News

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0