Austria po ndërmerr një hap të fortë ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët, duke planifikuar ndalimin e tyre për moshat nën 14 vjeç. Autoritetet austriake argumentojnë se platformat sociale po shkaktojnë varësi dhe probleme shëndetësore tek të rinjtë, duke e konsideruar këtë një çështje urgjente për ndërhyrje.
Ministri i ri për Digjitalizimin, Alexander Proll, deklaroi gjatë një konference për shtyp se Austria do të vendosë një moshë minimale të detyrueshme prej 14 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale. Sipas tij, drafti i ligjit pritet të përgatitet deri në muajin qershor. Në këtë nismë janë përfshirë edhe përfaqësuews nga partitë e tjera në qeveri.
Zëvendëskancelari Andreas Babler theksoi se qëllimi është mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve nga efektet negative të rrjeteve sociale. Ai u shpreh se institucionet nuk mund të qëndrojnë më pasive ndërkohë që këto platforma krijojnë varësi dhe, në shumë raste, ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre. Sipas tij, rreziqet janë neglizhuar për shumë kohë dhe tani është momenti për të vepruar.
Lexo edhe: Edhe Greqia po planifikon ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç
Qeveria austriake nuk ka ndërmend të listojë platforma specifike që do të përfshihen në këtë ndalim. Vendimi do të bazohet në mënyrën se si funksionojnë algoritmet e tyre, nëse ato nxisin varësi dhe në përmbajtjen që shpërndahet, përfshirë elementë si dhuna e seksualizuar.
Ky zhvillim vjen në një moment kur debati global për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë është intensifikuar. Së fundmi, një juri në Los Anxhelos shpalli fajtorë kompani si Google dhe Meta në një rast të lidhur me varësinë nga rrjetet sociale, duke vendosur dëmshpërblim për një të re që pretendonte se ishte bërë e varur nga këto platforma që në moshë të hershme. Meta ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.
Paralelisht, Mbretëria e Bashkuar ka këshilluar prindërit që të kufizojnë kohën para ekranit për fëmijët nën pesë vjeç në maksimum një orë në ditë.
Austria nuk është e vetme në këtë qasje. Në janar, parlamenti francez votoi pro ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Spanja dhe Greqia po shqyrtojnë masa të ngjashme. Edhe Parlamenti Europian ka bërë thirrje për vendosjen e një moshe minimale në nivel të Bashkimit Europian, megjithëse vendimet konkrete mbeten në dorë të shteteve anëtare.
Ky trend tregon një ndryshim të qartë në mënyrën se si qeveritë po i qasen teknologjisë dhe ndikimit të saj tek brezat e rinj, duke kaluar nga një qasje pasive drejt ndërhyrjeve më të drejtpërdrejta dhe rregullatore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto