"Një Vit i Ri, një axhendë e re!" - Business Magazine Albania

“Një Vit i Ri, një axhendë e re!”

axhendë

*Shkruar nga Ambra Hysa

2022 erdhi pranë nesh duke na rikujtuar edhe një herë, se shëndeti ka vlerë mbi gjithçka.  dhe sa falenderues duhet të jemi që gëzojmë shëndet të plotë, bashkë me të dashurit e zemrës. Ndonjëherë një gjendje e lehtë gripale mjafton për të trazuar ujërat e shqetësimit, prandaj shëndeti duhet të jetë gjithnjë prioritet në axhendën e çdo viti.

E di që jemi në epokën digjitale dhe çdo shënim e mbajmë në celular, por unë i përkas kategorisë së njerëzve që vazhdojnë të shkruajnë në letër, sidomos çështjet që i kanë afër zemres.

Në fakt, axhenda është shumë më efektive nëse vendosim ta mbajmë në një bllok të vogël, axhenda është motivim dhe disiplinë, është një dashuri e vogël me produktivitet të lartë, e cila nuk merr shumë kohë për ta shkruar, por kërkon të gjithë energjinë tonë për ta vënë në zbatim.

Ne jemi përpara një bilanci shpirtëror çdo fundvit, cilat objektiva kemi arritur dhe cilat jo?

Por, nëse nuk i përcaktojmë qëllimet tona në formë të detajuar, duke vizualizuar në detaje mënyrën sesi do realizojmë çdo objektiv, atëherë shanset janë që këto ëndrra të vdesin, ose të dërgohen në botën e “së nesërmes, apo të “vitit tjetër”.

Pa axhendën e detajuar të qëllimeve, e cila rezulton të jetë shumë nxitëse dhe produktive, viti 2030 do të na gjejë ende këtu, duke ëndërruar akoma për qëllimet e 2022-shit.

Lexoni edhe: Fillimi i një ëndrre

Ka shumë rëndësi të vendosim prioritete dhe objektiva të lartë. Ndoshta nuk do të mund t’i përmbushim ato plotësisht, megjithatë përpjekjet do të jenë maksimale. Është pikërisht kjo lëvizje dhe dalja nga zona e komfortit që do të na orientojë drejt eksperiencave dhe mundësive të reja.

“Unë nuk jam personi që isha një vit më parë”. Jam një version më i mirë, me aftësi më të mira, marrëdhënie të shëndetshme dhe korrekte, stabilitet të ri financiar dhe emocional, sfida dhe mendësi të reja. Po kam ndryshuar dhe ndryshimi është e vetmja gjë e mirë që njoh, çfarë nuk ndryshon, gradualisht vdes.

Lexoni: Qëndrueshmëri, vizion dhe këmbëngulje

Çdo vit ne marrim vendime të reja, por nuk i shkruajmë në mënyrë të detajuar dhe nuk kemi një plan specifik për mënyrën sesi do t’i realizojmë dhe çfarë ndodh? Në fund të vitit i kemi harruar…kjo krijon një gjendje depresioni dhe pakënaqësie me veten.

Prandaj, këtë vit do të synojmë të jemi versioni më i mirë i vetes dhe çfarëdo që të na sjellë universi do ta “gatuajmë” me pasion.

Organizimi është një çelës suksesi. Nëse dëshirojmë suksesin e madh, atëherë duhet të nisim me fitoret e vogla. Të organizohemi, motivohemi dhe çfarë është më e rëndësishmja të “vetëdisiplinohemi”.

Axhenda, ka një rol të veçantë në jetën time, ajo ekziston edhe në ditët e pushimit, sepse ka gjithmonë diçka për të bërë, ka një kohë cilësore për familjen, një shëtitje me qenin, leximi i një libri të ri, dieta e shëndetshme, të mësosh të thuash “Jo” për gjërat të cilat nuk të japin asgjë, nuk të përmbushin shpirtërisht.

Priremi të ankohemi, sepse punojmë shumë dhe lodhemi vërtet…por, sa po punojmë për veten? Sa punojmë me veten?

Në fund të ditës financat janë të rëndësishme, por kur ka qenë koha që ju jeni ndjerë realisht produktivë?

Kur keni mësuar një aftësi të re, jeni trajnuar me mendësi të reja dhe keni vendosur të ndiqni pasionin e jetës tuaj?

Ndonjëherë ia vlen gjithçka, për një ëndërr të cilën e besoni vetëm ju.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0