Anisa Berisha është diplomuar këtë vit në master shkencor për Administrim Biznesi, ndërsa në bachelor studioi Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në të dyja nivelet e studimit arriti rezultatet më të larta të departamentit. “Në realitetin e përditshëm shqiptar, këto dy degë janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën, por mundësia për të gjetur një vend pune është e vogël”, thotë ajo duke theksuar se shansi rritet në rast se diploma është e huaj. “Në çdo shtet, një student me njohuri akademike të përftuar jashtë vendit, është më i avantazhuar. Po në rastin tim kur të dyja diplomat janë marrë brenda vendit?! (Universiteti Epoka)”.
E diplomuar vetëm një muaj më parëm tashëm ajo është pjesë e një kompanie ndërkombëtare Auditi në Shqipëri “Deloitte”.
Gjatë jetës studentore ka qenë aktive në organizime ndërkombëtare, e fokusuar në konferenca kërkimore shkencore dhe trajnime në vende si Itali, Spanjë, Rumani, Bosnje-Hercegovinë, Mal i Zi, Gjermani etj. “Në të gjitha rastet, isha përfaqësuese e universitetit dhe vendit tim duke mësuar nga kultura të reja, por dhe duke prezantuar Shqipërinë, si një vend i vogël por me vlera të mëdha”, thotë ajo, duke kujtuar se përvoja e saj e fundit ishte në Romë, ku u angazhua si këshilltare e delegacionit Shqiptar në Modelin e Kombeve të Bashkuara, ku kishte pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Gjatë studimeve të masterit, në sajë të mesatares së lartë, Anisa arriti të bëhej asistente kërkimore duke punuar me Dekanin e Universitetit.
“Në kohën jashtë-universitare merresha me praktika dhe trajnime të ndryshme në disa nga institucionet dhe kompanitë më të rëndësishme të vendit si Kuvendi i Shqipërisë, Bashkia Tiranë, Projekti i Gazesjellesit TAP, GIZ, Ambasada Gjermane etj. Në të gjitha këto institucione nevojitej një CV dhe letër interesi e mirë, të cilat mund t’i arrijë vetëm nëse përfitoje nga aktivitetet studentore. Një mesatare e mirë nuk është kurrë e mjaftueshme për të arritur më shumë”, thotë Anisa.
Kur merrej me temën e masterit, aplikoi në London School of Economics and Political Science në Britani. “Në këtë universitet punova dy muaj si Ndërmjetësues i Platformës së Brexit, ku përgatisja raporte të ndryshme”, thotë ajo.
Por, në fund të masterit, ajo që e tundonte më shumë ishte studimi apo jetesa jashtë. “Dëgjoja shume moshatarë, të cilët largoheshin sepse këtu nuk kishte pune, nuk kishte mundësi për karrierë dhe nuk të ofrohej asgjë. Mendimi i parë ishte të punoja në Shqipëri derisa të gjeja një universitet të mirë, i cili mund të më ofronte dhe bursë”.
Me CV-në e saj aplikoi në Kompaninë “Deloitte”, në pozicionin e Forensic Consultant.
“Duke marrë parasysh dhe eksperiencat në institucionet e tjera, kisha vënë re që një njëri që punon shumë, mund të rritet në detyrë, të përfitojë bonuse dhe të ketë një karriere të suksesshme në ambiente pune me të njëjtat standarde si jashtë”, thotë Anisa, duke u shprehur e lumtur, “sepse çdo gjë erdhi në kohën e saj”. Orët pa gjumë, stresi i provimeve u kompensuan nga praktikat në ambiente të ndryshme pune duke ia dalë të këtë sot një punë të mirë.
Lexoni: Flet Brigite Peposhi. Inteligjenca artificiale mund të zgjidhë krimet
Ajo tashmë po mendon çfarë mund t’i japë vendit dhe të rinjve. “Po punoj për të sjellë në Shqipëri një nga organizatat botërore më të suksesshme për të rinj që i japin mundësi çdo të riu të angazhohet në praktika brenda dhe jashte vendit, në punë kërkimore, vullnetare etj”, thotë Anisa për Businessmag.al
Para disa javësh, Anisa Berisha u kandidua nga një fondacion gjerman për çmimin e të Riut Europian për vitin 2018. Edhe pse nuk fitoi ajo vlerëson se, “kandidimi i një shqiptareje mes shumë studentëve europianë, është një arritje shumë e madhe për mua dhe një çmim tashmë i marrë”.
Në këtë pikë, ajo ka një pyetje për të gjithë ata të rinj që e pyesin (gati me kritikë) pse nuk ikën nga Shqipëria. “A kam ndonjë arsye shumë të fortë për t’u larguar nga familja dhe vendi im?! Falë përpjekjeve të mia, a nuk m’u shpërblye mundi i netëve pa gjumë kur studioja apo dhe shpenzoja para për të marrë pjesë në aktivitete jashtë vendit? A nuk mendoni që po të punojmë fort, të krijojmë një rini të shëndetshme dhe të mirë-informuar, ky vend do të ndryshojë sepse do të qeveriset nga të rinj me objektiva të qarta dhe racionale për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë? Me nje diplomë shqiptare, arrita të marr pjese në vende të ndryshme të botës dhe të kem sukses. Këtë mund ta kenë të gjithë nëse punojmë fort”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.