Vepra është një investim i gjigantit energjitik, Statkraft, që veç ndërtimit të hidrocentralit ka investuar edhe në infrastrukturë dhe përmirësimin e jetës për komunitetin e Banjës.
HEC-i i Banjës është pjesë e projektit “Devolli Hydropower”, që parashikon edhe ngritjen e Hidrocentralit të Moglicës.
“Sot po hapim zyrtarisht jo vetëm hidrocentralin, por po përurojmë edhe rrugën dhe gjithë bukurinë që e karakterizon zonën”, u shpreh një përfaqësues i Statkraft.
Kryeministri Rama e vlerësoi si një nga momentet që krijojnë shpresë dhe optimizëm të bazuar tek e ardhmja.
“Është një moment historik për të gjithë këtë zonë që ndjehet e çliruar nga ankthi i izolimit. Ky moment është rezultat i një bashkëpunimi shembullor mes qeverisë shqiptare dhe njërës prej kompanive më të shquara në botë në sektorin e energjetikës. Hidrocentrali i Banjës është vepra e madhe e përfunduar në kaskadën e Devollit, ku u punësuan deri në 2000 mijë punonjës. Një sipërfaqe e barabartë me 2000 fusha futbolli”, tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi se realizimi i kësaj vepre ka lidhur organikisht të gjitha njësitë administrative dhe fshatrat përgjatë rrugës së re drejt Gramshit.
“Kjo vepër është një shembull fantastik se në njërën anë interesi privat prodhon energji dhe një komunitet i tërë përfiton një cilësi të re jete. Vetëm në këtë zonë janë përfunduar dhe janë drejt përfundimit afro 100 km rrugë të reja. E theksoi këtë për ata që mendojnë se nuk ka pasur rrugë të reja gjatë kësaj periudhe. Është ndërtuar ura më e gjatë në Shqipëri, 520 metra në këtë aks rrugor. Janë evituar një herë e përgjithmonë rreziqet nga përmbytjet. Janë ndërtuar dy ujësjellës të rinj, për bashkinë e Gramshit dhe të Cërrikut. Gramshi nga Tirana është më pak se 90 minuta, ndërsa deri dje duheshin afro 3 orë”, tha Rama.
Hidrocentrali i Banjës pritet që të rrisë me të paktën 5 % prodhimin vendas të energjisë nga hidrocentralet.
Liqeni artificial i Banjës ka një sipërfaqje prej 14 kilometrash katrorë. Nga përmbytjet, ndërtimet e rrugëve dhe linjave të tensionit të lartë janë prekur mjaft familje. Shumica ka përfituar nga shpronësimet, ndërsa disa prej tyre janë shpërngulur në banesa të reja.
Banja është hidrocentrali i parë i projektit Devolli HidroPower dhe do të pasohet nga ai i Moglicës. Ndërtimi është bërë për pak më shumë se 3 vite. I gjithë projekti, që përfundon në 2019, i kalon 530 milionë eurot dhe pritet sërish të punësojë mijëra banorë lokalë.
Burimi: top-channel.tv
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.