Nga Eni Muça – Shkëlqim Baku, një nga zërat më të spikatur të diasporës shqiptare në Itali, ka arritur të ndërtojë jo vetëm një biznes të suksesshëm, por edhe një pikë referimi kulturore në një nga qytetet më simbolike të Europës. Regina Corner, vendosur në zemër të Venecias, është më shumë sesa një restorant — është një hapësirë ku tradita shqiptare takohet me elegancën veneciane, ku mikpritja shndërrohet në art dhe ku çdo klient ndjehet pjesë e një historie.
Në një intervistë për Businessmag Albania, z.Baku ndan rrugëtimin e tij, sfidat e sipërmarrjes në një vend të huaj, si dhe rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit shqiptar përtej kufijve.
Çfarë ju shtyu të themeloni Regina Corner pikërisht në Venecia, një qytet kaq i pasur me histori dhe kulturë? Cili ishte vizioni juaj fillestar kur ndërmorët këtë hap?
Venecia është shumë më tepër se një qytet për mua, është shtëpia ime prej më shumë se 30 vitesh. Të ndërtoja diçka timen në këtë vend të mrekullueshëm ka qenë gjithmonë një ëndërr. Isha i vetëdijshëm që qyteti ka një numër të madh restorantesh, por dëshira ime nuk ishte të bëhesha thjesht një tjetër alternativë. Vizioni im ishte të krijoja një vend që të kishte shpirt, ku cilësia, mikpritja dhe ndjesia familjare të ishin në qendër. Doja që çdo vizitor të largohej me një kujtim të bukur dhe me dëshirën për t’u rikthyer.
Në çfarë mënyre ka ndikuar identiteti juaj shqiptar në filozofinë tuaj të biznesit dhe në mënyrën se si ndërveproni me klientët dhe komunitetin vendas?
Identiteti im shqiptar ka qenë një burim force dhe frymëzimi. Vlerat që mbartim ne si shqiptarë, mikpritja, bujaria, respekti ndaj të tjerëve, janë të rrënjosura në mënyrën si e menaxhoj sipërmarrjen time. Këto cilësi janë ndjerë dhe vlerësuar si nga klientët italianë, ashtu edhe nga turistët ndërkombëtarë duke krijuar një atmosferë që dallon, një ndjesi të veçantë ‘si në shtëpi’. E kam të rëndësishme që këto vlera të jenë pjesë e pandashme të filozofisë sime të biznesit.
Regina Corner është tashmë një emër i njohur në Venecia. A mund të na rrëfeni më shumë mbi bashkëpunimet tuaja me hotelet prestigjioze dhe ndikimin që kanë pasur këto partneritete në rritjen dhe afirmimin e markës suaj?
Në fillimet tona, nuk ishte aspak e lehtë të depërtonim në rrjetin e bashkëpunimeve me hotelet më të njohura të Venecias, si Aman Cipriani, Danieli, Gritti, Luna B., Londra, apo St. Regis. Regina Corner ishte një emër i panjohur dhe fillimisht përballemi me shumë vështirësi, përfshirë edhe humbje të ndjeshme ekonomike. Por besuam tek vetja, tek puna me përkushtim dhe tek cilësia e shërbimit. Gradualisht, ndërtuam besim dhe këto hotele nisën të na rekomandojnë klientët e tyre. Sot, kërkesat janë aq të larta sa shpesh është sfidë të gjejmë vend për të gjithë. Kjo është një arritje që na mbush me krenari.
Cilat kanë qenë sfidat kryesore që keni hasur si sipërmarrës shqiptar në Itali dhe si keni arritur t’i kapërceni ato me sukses?
Sfida më e madhe ka qenë padyshim burokracia. Si i huaj, shpesh ndihesh i përjashtuar nga një sistem që është i ngadaltë dhe i komplikuar. Një nga betejat më të vështira ka qenë marrja e lejeve për vendosjen e tavolinave në ambientin publik – edhe pas një viti nga aplikimi, jemi ende në pritje. Por, pavarësisht pengesave, asnjëherë nuk kam menduar të dorëzohem. Kam mësuar që durimi, këmbëngulja dhe përkushtimi sjellin rezultat, edhe në kushte jo të favorshme.
Si e shihni rolin e diasporës shqiptare në promovimin dhe ruajtjen e kulturës e vlerave shqiptare në botë?
Diaspora shqiptare është një forcë e madhe, ambasadore e vërtetë e kulturës sonë në botë. Nga artizanati te kuzhina, nga arti te sipërmarrja – shqiptarët jashtë vendit po tregojnë çdo ditë se kush jemi në të vërtetë. Ne kemi përgjegjësinë jo vetëm të arrijmë suksese personale, por edhe të përçojmë vlerat tona te brezat e rinj dhe komunitetet ku jetojmë.
A e parashikoni një angazhim të ardhshëm në Shqipëri? Në cilat fusha apo sektorë do të dëshironit të investonit për të dhënë kontributin tuaj?
Po, dëshira ime është që një ditë të investoj në Shqipëri. Fusha që më tërheq më shumë është turizmi, një sektor ku kam përvojë dhe pasion, dhe ku shoh mundësi të mëdha për zhvillim. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm që ende nuk është shfrytëzuar si duhet. Nëse krijohen kushtet e duhura, jam i gatshëm të sjell eksperiencën time për të ndihmuar zhvillimin e këtij sektori.
Cilat janë planet dhe synimet tuaja për të ardhmen e Regina Corner dhe projekteve tuaja personale?
Ambicia ime është që Regina Corner të mos mbetet vetëm një restorant në Venecia, por të kthehet në një brand me identitet të qartë, që mund të udhëtojë në qytete të tjera dhe ndoshta edhe në vende të tjera të botës. Dua që eksperienca jonë, filozofia jonë e shërbimit dhe vlerat që përcjellim të njihen më gjerësisht.

Si e keni ruajtur balancën mes traditës shqiptare dhe kërkesave të tregut italian në konceptimin dhe ofrimin e shërbimeve tuaja?
Edhe pse jetoj prej shumë vitesh jashtë, traditat shqiptare janë të pandashme nga unë. Ato janë fryma e gjithçkaje që bëj. Mikpritja, kujdesi për detajet, ndjeshmëria ndaj klientit , këto janë vlera që i kam ruajtur dhe që i kam përshtatur me profesionalizmin dhe pritshmëritë e tregut italian. Kjo balancë është ajo që na bën të dallojmë.
Çfarë mesazhi do t’i jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ndërtojnë një biznes jashtë vendit?
Do t’i thosha: mos kini frikë të ëndërroni. Çdo sukses nis me një vizion dhe forcohet me këmbëngulje. Rruga nuk është e lehtë, do të ketë pengesa dhe zhgënjime, por nëse nuk ndaleni, gjithçka është e mundur. Mos harroni asnjëherë rrënjët tuaja dhe besoni në veten tuaj – është forca më e madhe që do keni në çdo hap.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto