Fundjavën që lamë pas, Piramida e Tiranës u shndërrua në një qendër të gjallë të inovacionit dhe frymëzimit, teksa Albania DREAMin’ dhe LEAPin’ 2025 u ndërthurën në një ngjarje unike që bashkoi teknologjinë dhe lidershipin rinor në një skenë të përbashkët. Për një ditë të vetme, e ardhmja mori formë përmes ideve, vizioneve dhe energjisë krijuese që mbushi çdo cep të këtij simboli urban të Shqipërisë së dikurshme.
Konferenca që ndërthurte DREAMin’, si ngjarja unike në Ballkan e dedikuar teknologjive të Salesforce, me LEAPin, konferencën më të madhe të lidershipit për të rinjtë, krijoi një hapësirë ku disa nga ekspertët më të mirë lokalë e globalë dhe zërat më frymëzues bashkuan forcat për një qëllim të përbashkët: ndërtimin e së ardhmes dhe frymëzimin e brezave nëpërmjet modeleve pozitive.
DREAMin’ 2025, teknologjia në epiqendër
E vetmja konferencë komunitare në rajon e dedikuar Salesforce dhe teknologjive të ndërlidhura, Albania DREAMin’ 2025 erdhi këtë vit me 34 folës ndërkombëtarë nga 22 shtete. Në skenë u ngjitën përfaqësues nga emra të mëdhenj si Salesforce, Accenture, Deloitte Digital, Capgemini, Cognizant, ndërsa temat e trajtuara variuan nga ndikimi i inteligjencës artificiale në vendimarrje , tek data dhe marketing cloud që po ndryshojnë mënyrën sesi bizneset ndërveprojnë me klientët.
Ngjarja bashkoi mbi 250 pjesëmarrës duke e kthyer këtë konferencë unike të komunitetit Salesforce në Ballkan në një pikëtakim të dijes dhe inovacionit. Programi përfshiu 25 sesione dinamike dhe 5 workshop-epraktike, me fokus në teknologjitë Salesforce, inteligjencën artificiale dhe risitë digjitale. Përveç sesioneve thellësisht teknike, ngjarja në vetvete shërbeu edhe si një panair karrierash, demo jam dhe shumë hapësira për rrjetëzim profesional, një mundësi e artë për profesionistë, studentë dhe entuziastë të teknologjisë.
Bashkëpunimi me LEAPin i shtoi një dimension ndryshe konferencës, përmes paneleve frymëzuese mbi lidershipin rinor, qëndrueshmërinë dhe sfidat globale.
LEAPin 2025, lidershipi që frymëzon ndryshimin
LEAPin – akronim për Learn, Engage, Act, Progress – konfirmoi edhe një herë pozicionin e tij si forumi më i rëndësishëm për lidershipin rinor në Shqipëri. Edicioni i nënti, i mbajtur në ambientet e Piramidës së Tiranës, solli një axhendë të pasur dhe vizionare që ndërthurte temat më urgjente të kohës me energjinë dhe idealizmin e brezit të ri.

I mbështetur nga Swedish Institute dhe organizuar nga LDA Europe, LEAPin 2025 u shndërrua në një tribunë të gjallë mendimesh dhe përvojash, ku liderë të rinj, inovatorë, profesorë e profesionistë nga fusha të ndryshme trajtuan çështje që formësojnë të ardhmen sociale dhe njerëzore.
Lidershipi dhe biznesi ishin në qendër të diskutimeve, me themelues, CEO dhe sipërmarrës shqiptarë që ndanë histori frymëzuese për rritje, sfida dhe thyerje të barrierave, shpesh me pak mjete, por me shumë vizion. Shëndeti mendor dhe inteligjenca emocionale u trajtuan me ndjeshmëri dhe thellësi në një kohë të karakterizuar nga pasiguri globale, ku mirëqenia psikologjike po bëhet thelbësore për qëndrueshmërinë individuale dhe kolektive. Edukimi qytetar dhe të drejtat e njeriut sollën në fokus rolin e të rinjve si agjentë ndryshimi, jo vetëm në sferën publike, por edhe në përmbushjen e agjendës globale 2030 të Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa, mjedisi dhe qëndrueshmëria u trajtuan përmes shembujve konkretë nga rajoni, duke theksuar veprimet lokale me ndikim klimatik të menjëhershëm dhe të matshëm. Çdo panel u shoqërua me diskutime interaktive duke krijuar një sinergji të natyrshme mes inovacionit social dhe qytetarisë aktive.

LEAPin 2025 nuk ishte thjesht një konferencë, por një thirrje për veprim.
Një ditë, dy dimensione të së ardhmes
Duke bashkuar ekspertizën teknologjike të DREAMin’ me vizionin social të LEAPin, kjo ngjarje përfaqësoi më shumë se një konferencë, duke u kthyer në një platformë transformimi për Tiranën, Shqipërinë dhe më gjerë. Ajo i fton të rinjtë të mendojnë globalisht dhe të veprojnë lokalisht, duke u bërë jo vetëm përdorues të teknologjisë, por krijues të saj; jo vetëm kritikë të sistemeve sociale, por ndërtues të alternativave të reja.

Duke vendosur Piramidën, një simbol të së kaluarës, si vendtakim të inovacionit dhe lidershipit, Albania DREAMin’ & LEAPin’ 2025 solli një mesazh të qartë: e ardhmja nuk ndodh, ajo ndërtohet. Dhe ajo ndërtohet çdo ditë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.