Nga ambicia te veprimi, LEAD Albania hap thirrjen për liderët e rinj shqiptarë - Business Magazine Albania

Nga ambicia te veprimi, LEAD Albania hap thirrjen për liderët e rinj shqiptarë

Ka momente kur ambicia nuk mjafton më. Kur dëshira për të bërë diçka ndryshe për vendin tënd kërkon hapësirë reale për t’u shndërruar në veprim. Pikërisht këtu hyn LEAD Albania, një program që prej më shumë se një dekade po krijon ura konkrete mes të rinjve profesionistë dhe vendimmarrjes në nivelet më të larta të shtetit shqiptar.

I nisur në vitin 2013 në Tiranë, LEAD Albania është shndërruar në një nga programet më prestigjioze për zhvillimin e lidershipit në vend. Përmes një procesi përzgjedhjeje rigoroz, transparent dhe konkurrues, programi ka ndihmuar në formimin e një rrjeti të gjerë profesionistësh të rinj, të cilët sot kontribuojnë në institucione publike, organizata ndërkombëtare dhe sektorin privat. Çdo vit, interesi për t’u bërë pjesë e këtij programi rritet, duke e bërë përzgjedhjen edhe më sfiduese dhe duke forcuar reputacionin e LEAD Albania si një platformë ekselence.

LEAD Albania u krijua si një program unik për zhvillimin e aftësive të lidershipit, duke u dhënë profesionistëve të rinj shqiptarë mundësinë të përjetojnë nga afër mënyrën se si funksionon qeverisja në nivelet më të larta. Në vitin 2018, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) miratoi fazën e dytë të programit, të njohur si Leadership Experience and Development Program. I modeluar sipas programit prestigjioz White House Fellows në Shtetet e Bashkuara, LEAD Albania synon të japë një kontribut afatgjatë në formimin e brezit të ardhshëm të liderëve në Shqipëri.

Lexo edhe: Nga autoplay te scroll-i i pafund, si u ndërtuan zakonet tona online?!

Përgjatë një viti, pjesëmarrësit e përzgjedhur angazhohen si këshilltarë pranë institucioneve më të larta shtetërore. Ata vendosen në zyrat e Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrive të linjës, Bashkisë së Tiranës, si dhe në institucione të sistemit të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo përvojë u mundëson të rinjve jo vetëm të kuptojnë nga brenda proceset e vendimmarrjes, por edhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në hartimin dhe zbatimin e politikave publike.

Përveç përvojës praktike, programi përfshin një komponent të vazhdueshëm edukimi dhe trajnimi. Pjesëmarrësit ndjekin sesione të specializuara me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, të fokusuara në lidership, etikë publike, komunikim dhe vendimmarrje strategjike. Ky proces edukativ kulmon me pjesëmarrjen e Fellow-ve të LEAD Albania në një program ekzekutiv në Universitetin e Harvardit në SHBA. Një tjetër komponent i rëndësishëm është bashkëpunimi me Center for Creative Leadership në Bruksel, i cili u ofron pjesëmarrësve trajnime të personalizuara për zhvillimin e aftësive drejtuese. Në kontekstin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, programi përfshin gjithashtu një modul të posaçëm mbi integrimin në Bashkimin Europian, që zhvillohet në College of Europe në Bruges, Belgjikë.

Gjatë vitit të angazhimit, pjesëmarrësit kanë mundësinë të takojnë figura të rëndësishme të diplomacisë kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe drejtues politikë nga Shqipëria dhe rajoni. Programi përfshin edhe një vizitë studimore njëjavore në Bruksel, ku Fellow-t marrin pjesë në takime në Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian, duke u njohur nga afër me funksionimin e institucioneve të Bashkimit Europian.

LEAD Albania synon të krijojë jo thjesht profesionistë të përgatitur, por liderë me integritet, vizion dhe përgjegjësi publike. Për të rinjtë që duan të shohin më shumë sesa thjesht një karrierë personale dhe kërkojnë të kenë ndikim real në shoqëri, kjo thirrje është një mundësi për ta kthyer ambicien në veprim konkret.

APLIKO TANI

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0