Nëse kemi vendin pranë dritares në avion, a duhet ta lirojmë? Ja.... - Business Magazine Albania

Nëse kemi vendin pranë dritares në avion, a duhet ta lirojmë? Ja si veproi pasagjerja

Një pasagjere e vetme ka nxitur një debat të zjarrtë në internet pasi refuzoi t’i lëshonte vendin e saj pranë dritares një fëmije gjatë një fluturimi të gjatë. Historia, e ndarë në platformën Reddit, ka shkaktuar reagime të forta mbi të drejtat e pasagjerëve dhe pritshmëritë në avion.

22-vjeçarja tregoi se kishte rezervuar me kujdes vendin pranë dritares për të menaxhuar ankthin e saj gjatë fluturimit. Por kur u ul në vendin e saj, një nënë që udhëtonte me fëmijën e saj 5-6 vjeç i kërkoi që të ndërroheshin, në mënyrë që i vogli të mund të shikonte jashtë.

“E refuzova me mirësjellje, duke i shpjeguar se e kisha rezervuar vendin qëllimisht. Ajo psherëtiu, por nuk insistoi më,” – shkroi pasagjerja në postimin e saj.

Megjithatë, pas rreth një ore fluturimi, fëmija filloi të ankohej që nuk mund të shihte nga dritarja. Nëna, sipas pasagjeres, filloi të bënte komente thumbuese, si “Disa njerëz thjesht nuk kanë zemër” dhe “Është shumë e vështirë të udhëtosh me fëmijë kur askush nuk ndihmon.”

Lexo gjithashtu: Rekord i ri pasagjerësh dhe rrugë të reja ajrore, Shqipëria në qendër të vëmendjes

Pasagjerja vendosi të injoronte komentet dhe vendosi kufjet për të shmangur situatën e pakëndshme. Por edhe pas uljes, nëna vazhdoi të ankohej, duke i thënë një pasagjeri tjetër se shpresonte të mos i duhej më të udhëtonte pranë “dikujt kaq egoist.”

Ndërkohë në internet u hap një diskutim mbi personin që kishte të drejtë.

Përdoruesit e Reddit reaguan në mbështetje të pasagjeres, duke e quajtur të pajustifikueshme sjelljen e nënës.

“Nëse fëmija e saj e donte aq shumë vendin pranë dritares, ajo duhet ta kishte rezervuar paraprakisht, ashtu si bëri dhe pasagjerja që qëndroi aty,’’ – shkroi një komentues.

Një tjetër përdorues e quajti këtë një përpjekje për ta fajësuar dikë tjetër për një situatë që ishte përgjegjësi e nënës: “Askush nuk është i detyruar të sakrifikojë për të tjerët, sidomos kur bëhet fjalë për diçka që kanë paguar vetë.”

Ekspertja e udhëtimeve, Nicole Campoy Jackson, ka komentuar më parë raste të ngjashme, duke këshilluar pasagjerët që të rezervojnë vendet që dëshirojnë paraprakisht për të shmangur situata të tilla.

“Nëse një pasagjer ka paguar për një vend të caktuar, nuk mund të presësh që ai të sakrifikojë komoditetin e tij për dikë tjetër,” – shpjegon ajo.

Po sa i drejtë është shkëmbimi i vendeve në avion?

Shkëmbimi i vendeve në avion nuk është një praktikë e pazakontë, por mbetet një çështje e ndjeshme, sidomos kur përfshihen fëmijët. Disa pasagjerë janë të gatshëm të bëjnë lëshime, por të tjerë nuk duan të heqin dorë nga vendi i tyre, veçanërisht në fluturime të gjata ose kur kanë zgjedhur një vend specifik për arsye personale.

Në fund të ditës, kjo histori ngre një pyetje të rëndësishme, a duhet të ndihen fajtorë pasagjerët që mbrojnë të drejtat e tyre? Apo duhet të jenë më të hapur ndaj kompromiseve në raste të tilla?

Çfarë mendoni ju? A do ta kishit ndërruar vendin në këtë situatë?

People

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0