NASA u hap derën gjigandëve të teknologjisë, nis privatizimi i komunikimit hapësinor - Business Magazine Albania

NASA u hap derën gjigandëve të teknologjisë, nis privatizimi i komunikimit hapësinor

Për dekada me radhë, NASA ka ndërtuar dhe operuar vetë orbiterë relé dhe anije kozmike që transportonin të dhëna të çmuara nga hapësira deri në Tokë. Tani, agjencia po kalon në një qasje të re: blerjen e shërbimit të lidhjes së të dhënave si një shërbim komercial, njësoj siç vepron tashmë për nisjet në hapësirë dhe transportin e astronautëve.

Ky ndryshim ka hapur një garë të re, ku kompani të fuqishme teknologjike po paraqesin projektet e tyre për të mbajtur lidhjet e misioneve drejt Marsit. Në lojë nuk është thjesht një kontratë, por “tubi jetik” i të dhënave me Planetin e Kuq.

Plani i ri, që do të kombinojë asetet ekzistuese të NASA-s me infrastrukturë komerciale, pritet të zëvendësojë gradualisht rrjetin e fragmentuar të relé-ve që përdoret sot. Aktualisht, kjo lidhje realizohet përmes orbiterëve si Mars Reconnaissance Orbiter dhe MAVEN, të cilët mbledhin të dhënat nga roverët dhe landerët, për t’i transmetuar më pas te antenat gjigante të Rrjetit të Thellë Hapësinor (DSN) në Tokë.

Edhe pse anijet aktuale të NASA-s janë ende funksionale, ato nuk janë ndërtuar për të qenë një infrastrukturë e përhershme. Rishikimi i fundit i misioneve planetare e vë në dukje rolin kritik të MAVEN si stacion relé dhe propozon hapa për ta mbajtur në funksion deri në fillim të viteve 2030. Por, pavarësisht mirëmbajtjes, pajisjet do të degradojnë me kohën.

Ndërkohë, programi SCaN (Space Communications and Navigation) i NASA-s, që menaxhon DSN, po kërkon mënyra për të përforcuar këto asete të vjetëruara. Sipas një kërkese zyrtare për propozime (RFP) të publikuar në korrik, objektivi është krijimi i një tregu të hapur, ndërveprues, ku NASA të jetë vetëm një nga klientët, e jo më pronari dhe operatori.

Lexo edhe: NASA dhe Google po krijojnë mjekun virtual për astronautët

Kjo kërkesë aktuale nuk synon ende blerjen e pajisjeve, por studime të aftësive. Dy janë fushat kryesore të interesit: një “linjë ” komunikimi midis Hënës dhe Tokës, dhe një sistem i plotë lidhjeje për Marsin, nga sipërfaqja, në orbitën e tij, e deri në qendrat e operacioneve në Tokë.

Sfida është e jashtëzakonshme. Çdo arkitekturë duhet të përballet me distancat gjigante mes Tokës dhe Hënës apo Marsit, vonesat e gjata të sinjalit, ndërhyrjet periodike të Diellit, dritaret e kufizuara të dukshmërisë dhe kërkesat strikte për sisteme të mbrojtura ndaj defekteve. Për këtë arsye, NASA kërkon fillimisht plane dhe ide, para se të kalojë te prokurimi real.

Megjithëse nuk dihet ende cilat kompani po dorëzojnë konceptet e tyre, disa lojtarë të mëdhenj kanë bërë tashmë lëvizjet e para. Blue Origin ka prezantuar një Orbiter Telekomunikacioni për Marsin, bazuar në platformën “Blue Ring”, i aftë të manovrojë dhe të mbështesë misionet e NASA-s që nga viti 2028. Rocket Lab ka zbuluar konceptin e vet për një orbiter komunikimi, pjesë thelbësore e arkitekturës së tij të propozuar për fushatën “Mars Sample Return”.

Në vitin 2024, programi i Eksplorimit të Marsit i NASA-s financoi veçmas 12 studime të shërbimeve komerciale, përfshirë tre projekte për shërbime relé të gjeneratës së ardhshme, nga SpaceX, Lockheed Martin dhe Blue Origin. Propozimi i SpaceX synon të përshtasë satelitët e komunikimit në orbitë të Tokës për Marsin, ndoshta duke u bazuar në konstelacionin e saj Starlink.

Synimi afatgjatë i agjencisë është ta transformojë eksplorimin planetar nga misione të pastra shkencore në një prani të përhershme njerëzore në Hënë dhe, më tej, në Mars.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0