Motivimi krahas dijes. "Ushqimi" i domosdoshëm në auditoret e universiteteve. - Business Magazine Albania

Motivimi krahas dijes. “Ushqimi” i domosdoshëm në auditoret e universiteteve.


 

Në auditoret e universiteteve ka nisur viti i ri Akademik. Gati një vit më parë studentët ishin në protesta, duke kërkuar kushte më të mira financiare dhe përfshirje në vendimmarrje. Sot janë rikthyer në auditore. Studentë ekselence u përfshinë në programet e punësimit në administratë, ndërsa shumë të tjerë janë larguar. Edhe financimi i universiteteve mbetet ende një çështje e hapur me fonde emergjence që jepen për arsimin dhe pas tërmetit rishikohen sërish.

Në kushtet kur tarifat e universiteteve në vend po u afrohen disa prej universiteteve jashtë edhe standardi kërkohet të jetë po në nivele ndërkombëtare.

Profesionistë të fushës të shprehur më parë për BusinessMag, tregojnë se sot ka vlerë arsimi, por edhe fuqizimi i studentetit. Në disa artikuj jemi njohur me shumë profesorë të rinj shqiptarë që japin mësim brenda dhe jashtë vendit, të cilët vetë studentët i vlerësojnë dhe u janë mirënjohës. Emrat dolën nga dy anketa të bëra online nga businessmag.al, plotësuar nga gati 700 studentë dhe ish-studentë. Profesorët jashtë vendit janë bërë pjesë e intervistave në BM, gjatë angazhimeve të tyre në Shqipëri.

Sot risjellim disa prej këtyre profesorëve duke shpresuar, që edhe shumë kolegë të tyre, të ndjekin të njejtën rrugë, t’u japin studentëve jo vetëm dije, por edhe vlera. T’i ndihmojnë ata të ndihen më të fuqishëm për të siguruar sa më shumë arritje në karrierën e tyre.

Edlira Mali,

Kur u prezantua në universitet 5 vite më parë, Edlira Mali, përmbysi tërësisht lëndën e marketingut Konceptim e Menaxhim Fushatash. Teoria nuk do t’i jepte kënaqësinë e nevojshme, e mbi të gjitha studentëve nuk do t’u jepte njohuritë dhe aftësitë e duhura për të qenë markerë të mirë, kreativë e mbresëlënës. Sot pas pesë vitesh, falë reformimit tërësor të lëndës, nga teorike në praktike, Universiteti Bedër numëron një sërë fushatash të suksesshme marketingu me impakt të tejkaluar në çdo rast. Kjo lëndë në breza të ndryshëm, nxori marketerë e madje edhe sipërmarrës, pasi fushatat e nismat vijuan shpesh edhe pas përfundimit të lëndës mësimore. Teori?! Po. Temat e para, të cilat të njohin me konceptin, larmishmërinë e fushatave. Më tej, lojtare në fushë është praktika, imagjinata e studentëve, dialogu, debati, bashkëpunimi dhe rezultati. Një nga fazat më të rëndësishme të lëndës së Edlira Malit, është ajo e përzgjedhjes së temës së fushatës nëpërmjet brainstorming. Kjo vjen pas propozimit të qindra temave nga studentët, diskutimit, argumentave, skartimit, kombinimit – i gjithë ky një proces shumë frutdhënës për të gjithë pasi u mëson rregullat bazë dhe praktikën e vendimmarrjes në ekip. Edlira Mali, vjen nga një përvojë e pasur në fushën e marketingut dhe menaxhimit të fushatave.

Zylyftar Bregu, pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega Gazetar. Prej më shumë se 10 vitesh në universiteti, Bregu vlerësohet nga studentët për angazhimin e tij në krijimin e hapësiravce të studentëve për praktikë. Një vlerësim i drejtë në bazë të meritës, duket shumë  rëndësishëm për studentet. Kjo është një nga pikat që ata vlerësojnë profesorin e tyre, duke theksuar se komunikimi dhe gatishmëria për t’i ndihmuar, u ka mundësuar studentëve të fitojnë më shumë siguri tek vetja. Shumë prej tyre, kanë marrë njohuri praktike në gazetari që në vitin e parë të studimeve.

Alkida Lushaj, pas studimit për Shkenca Politike, ka kryer  Masterin e parë për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe një Master të dytë për Studime Euro-Aziatike në Universitetin e Stambollit. Aktualisht punon pranë Universitetit të New York-ut si Projekt Koordinatore dhe Asistent Profesore. Alikda është e angazhuar ndërkohë edhe në  Institutin e Studimeve Politike, ku merret me projekte kombëtare e ndërkombëtare në lidhje me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Me një ndjeshmëri të lartë për barazinë gjinore, ajo ka zhvilluar kërkime dhe publikoi raporte lidhur me: modernizimin e gruas shqiptare gjatë monarkisë (1928-1939), si dhe barazisë gjinore në Shqipëri. “Vetëm dija mund të transformojë botën”, -shprehet Alkida, duke treguar se të gjitha këto eksperienca kanë ndikuar pozitivisht në formimin profesional të saj. Me ide të qarta dhe bindje rreth asaj çfarë kërkon në karrierën e saj, Aklida një pjesë të rrugëtimit na tregon se e ka ndërtuar që kur ishte studente.

Elsa Gega, Doktore e shkencave, pedagoge në fakultetin ekonomik të Elbasanit dhe pedagoge e jashtme në Tiranë Elsa Gega nuk është profesoresha klasike në universitet. Objektivi i saj për të integruar studentët në tregun e punës, për t’i promovuar ata, për t’i hedhur në terren të prekin realitetin, e përmbush misionin e profesorit mentor. E specializuar në fushën e marketingut në qytetin e saj ka ndërmarrë disa nisma sociale, disa prej të cilave kanë shanse të mira për të qenë edhe biznese të suksesshme. “Në qytetin e Elbasanit vit pas viti kam bërë aktivitete rreth turizmit prej disa vitesh. Ndërkohë, këtë vit kemi hapur një website të mirëfilltë për turizmin, për ta parë turizmin e Elbasanit ndryshe”, thotë ajo.

 

Blerta Bodinaku, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, ku jep lëndë Psikologji Këshillimi. Ajo është diplomuar për Psikologji në Universitetin e Tiranës. Ka marrë titullin Doktore Shkencash në fushën e Psikoterapisë në Austri. Znj. Bodinaku ka mbi dymbëdhjetë vite eksperiencë në praktikën e këshillimit dhe atë të psikoterapisë si dhe dymbëdhjetë vite përvojë në mësimdhënie në degën e Psikologjisë. Bodinaku është Drejtore Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Shëndetit Mendor dhe është anëtare e Shoqatës Shqiptare për Psikoterapinë.

 

Besmir Kanushi vlerësohet si motivues nga studentët për metodën e tij të mësimdhënies. Ai është diplomuar në vitin 2014 në degën Informatikë – Ekonomike, si një ndër studentët më të mirë.  Prej 5 vitesh punon si Asistent/Lektor (Pedagog) pranë Albanian University. Motivimi i brezit të ri që po përgatitet për tregun e punës është ndër objektivat e tij.

 

 

Drita Rira mendon se, nuk mund të ketë motivim të studentit pa kaluar fillimisht nga vetja, pa vendosur paraprakisht një marrëdhënie besimi mes dy palëve, marrëdhënie e cila buron nga përgjegjshmëria, korrektesa, disiplina dhe profesionalizmi, vlerat humane dhe ato qytetare. Drita Rira është pedagoge në Fakultetitn e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, Departamenti i Gjuhës Frënge. Doktore e Shkencave prej vitit 2015, nënë e tre fëmijëvë, fushat e saj të interesit lidhen me përkthimin, interpretimin, kërkimin shkencor në përkthimologji, leksikologji, terminologji si edhe me konsulencën në fushën e përkthimit, gjuhësisë dhe kulturës. E angazhuar në projekte kërkimore ndërkombëtare ajo gjen kohën të jetë bashkëdrejtuese e Shkollave Verore të organizuara në Universitetin e Tiranës si edhe e Forumit të Gruas Frankofone në Shqipëri. Është autore dhe bashkëautore e një sërë referimesh në konferenca ndërkombëtare si edhe të artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit.

 

Klodiana Gorica, është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës në 1994 për Merceologji. Ajo është Editoral Member/Reviewer në disa revista ndërkombëtare si dhe është autore/bashkëautore e 2 monografive dhe e disa cikle leksionesh. Ajo është pedagoge prej vitit 1996.

 

Endrit Kromidha, Profesor i asociuar për sipërmarrjen dhe inovacionin në University of Birmingham dhe konsulent i Albanian Tech Hub. “Gjithmonë kam pasur dëshirë të bëj diçka në Shqipëri dhe ishte kënaqësi kur mora ftesën nga Ambasada Britanike e Tiranës për të zhvilluar trajnimin që mbështet sipërmarrjet e reja në kuadër të UK-Albania Tech Hub Programme”.  Kështu shprehet Dr. Endrit Kromidha, profesor i asociuar për sipërmarrjen dhe inovacionin në University of Birmingham. Ai është larguar dhjetë vite më parë në Mbretërinë e Bashkuar për studimet e doktoratës pas një eksperience pune pesëvjeçare në Shqipëri. Endriti preferon ta thërrasim me emër më mirë, se siç thotë ai, askush nuk është aq i rëndësishëm në fund të fundit.  Të qenurit pedagog në Mbretërinë e Bashkuar në një institucion si University of Birmingham do të thotë që shumica e kohës së Endritit i dedikohet kërkimit shkencor, rezultatet e të cilit përkthehen në përditësimin e vazhdueshëm të materialeve mësimore. Megjithatë, ai tregon se ka një biznes të vogël konsulence për sipërmarrjen dhe inovacionin në Angli, SDG Consult, të ngritur rreth dy vite më parë, për të mbajtur lidhje me botën e biznesit. Kjo e ka ndihmuar edhe në kërkimin shkencor e mësimdhënie. “Kam dëshirë që ajo që bëj si pedagog të ketë efekt më të prekshëm, më të dukshëm, nxitur gjithmonë nga kërkimi shkencor dhe publikimet”, thotë ai. Si një kërkues shkencor e konsulent që udhëton në vende të ndryshme të botës për projekte, referate e konferenca shkencore, ai fton edhe universitetet shqiptare të jenë më të hapura dhe bashkëpunuese në zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Josif Grabocka, profesori i Inteligjencës Artificiale në Gjermani

“Të luftosh paragjykimet për të treguar aftësitë e tua”. Është kjo motoja që e ka motivuar në gjithë rrugëtimin e tij të suksesit. Bëhet fjalë për Josif Grabockën, profesor në një nga universitetet më të mira në Gjermani. Me studimet e përfunduara për Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin METU, Turqi, ai studioi master për Inteligjencë Artificiale në Universitetin e Darlans në Suedi. Në fushën e Inteligjencës Artificiale mbrojti edhe Doktoraturën në Universitetin e Hildesheimit në Gjermani në 2016, ku sot është profesor. Punimi i tij shkencor u vlerësua ndër me të mirët dhe për ketë mori çmim. Të krijosh një karrierë të suksesshme jashtë Shqipërisë nuk është e lehtë por as e pamundur. “Ambienti, kultura dhe paragjykimi janë faktorët që e bëjnë më të vështirë rrugëtimin drejt suksesit”, shprehet ai për Businessmag.al. I pyetur se çfarë i diferencon studentët shqiptarë nga ato të huaj shprehet se, “studentët gjermanë i kanë idetë të qarta, pasi bëjnë plane mbi karrierën e tyre dhe nuk thurin ëndrra për të ardhmen”. Pengesë në realitetin shqiptar është mungesa e ofrimit të mundësisë së punësimit e rrjedhimisht mungesa e motivimit të  studentëve, sipas tij. Josifi i’u sugjeron studentëve shqiptarë, sidomos atyre të informatikës, që të angazhohen më StartUp-e, pasi janë një mundësi e mirë për zhvillimin e ideve të tyre. Josif është autor i 14 punimeve shkencore në konferenca të nivelit botëror në fushat e Data Mining dhe Machine Learning, (fusha të shkencës që zhvillojnë sisteme robotë, që zgjidhin probleme kognitive në mënyrë autonome). Krahas punës si profesor në Uiversitetin e Hildesheimit Josifi në Gjermani është angazhuar edhe si konsulent shkencor i rekrutuar nga kompani industriale në këtë shtet. Nga gjithë vendet ku ka jetuar Gjermaninë e cilëson si vendin e mundësive të mëdha.

Serena Leka,nuk ka gjithmonë gati një pyetje, përgjigje apo koment në sallën e leksionit, por ajo ka gjithmonë edhe një batutë, barcaletë apo shaka në xhep. E si për të mbajtur larg mitin e të qenit “peshkope”, Serena na siguron se kohën e lirë e mbush me volejboll, me miqtë dhe me not. E këtu sjell ndërmend se sa shumë ka notuar në Tale të Lezhës, ku gjatë verës ndihmonte familjen në mbarëvajtjen e lokalit modest. “Çdo gjë që kam bërë ka pasur një rezultat diku dhe dikur, jo gjithmonë në kohë, por më është kthyer në forma të ndryshme. Ta zëmë pas përfundimit të maturës, fillova të ndihmoj familjen në lokalin në Tale. Madje nuk shkova as në ballo. Kjo gjë vijoi dhe për 3 vitet e tjera, gjatë sezonit të verës sigurisht. Më e mira e të punuarit “hamallëk” është trajnimi që merr në shërbimin ndaj klientit. Sigurisht për mua kishte edhe një të mirë tjetër, se kështu paguaja “faturat” e makinës, për pjesën tjetër të vitit”, – na përgjigjet me sportivitet Serena.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0