Nga Eni Muça – Fjalitë “Mos e humb”, “Vetëm sot” apo “Stok i kufizuar” nuk janë thjesht slogane të zakonshme të marketingut. Ato janë shembuj konkretë të përdorimit të urgjencës, një teknikë që i shtyn konsumatorët të marrin vendime të menjëhershme, shpesh pa menduar gjatë.
Në shikim të parë, mund të duket si një truk i thjeshtë marketimi. Por në fakt, është një mekanizëm i thellë psikologjik, i studiuar prej dekadash dhe i testuar nga gjigantët globalë të e-commerce. Për BusinessMag, këtë fenomen e shpjegojnë dy eksperte: Jori Vila, sipërmarrëse dhe themeluese e agjencisë OZ Marketing, dhe Ana Kekezi, lektore dhe konsulente biznesi në fushën e marketingut digjital.
Urgjenca si mjet psikologjik
Jori Vila e përshkruan urgjencën si një “presion të butë” që kanalizon emocionet e konsumatorit drejt veprimit të menjëhershëm: “Në marketing, ‘fuqia e urgjencës’ i referohet krijimit të një presioni kohor ose ndjenjës se diçka duhet bërë tani. Është një teknikë psikologjike që i shtyn njerëzit të marrin vendime më shpejt, duke mos i lënë të shtyjnë blerjen ose regjistrimin për më vonë. Pra, i heq konsumatorit mundësinë të rrijë gjatë në mendime.”
Për ta ilustruar, ajo sjell një eksperiment të njohur të vitit 1975: “Kur pjesëmarrësve iu ofruan biskota në dy kavanoza, ato nga kavanozi ku kishin mbetur vetëm dy u vlerësuan më lart sesa ato nga kavanozi plot. Ishin të njëjtat biskota, por perceptimi i mungesës i bëri të dukeshin më të vlefshme. Ky është mekanizmi që përdorin sot markat: të japin përshtypjen se koha ose sasia është e kufizuar, duke rritur interesin.”
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto