Paraditen e së martës, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ka mbajtur një konferencë për shtyp. Gjatë kësaj konference, Cani e ka vënë theksin tek Eurobondi, që sipas tij është elementi kyç në zhvillimin e ekonomisë.
Ministri ka deklaruar: “Eurobondi është pjesë e një strategjie që synon lehtësimin e borxhit publik. Shqipëria arriti të marrë 450 milionë euro me një normë interesi prej 5.75 për qind. E mira e këtij eurobodi është që po marrim një hua 5-vjeçare dhe po heqim dorë nga tregu i brendshëm, që zakonisht na jep hua 33, 6 ose 12 mujore. Pra zëvendësojmë një pjesë të borxhit afatshkurtër në borxh afatgjatë”.
Më pas, Cani ka pohuar se buxheti i vendit doli sërish me defiçit në vitin 2015, por kjo sipas tij nuk duhet të na çudisë. “Ka 25 vite që buxheti i vendit del me defiçit, nuk kemi arritur në asnjë vit të dalim me sufiçit. Me Eurobondin i kemi bërë të mirën e duhur financave të vendit”, ka thënë Cani.
Ministri Cani ka shtuar se, për zhvillimin e ekonomisë qeveria ka nisur 12 reforma, të cilat sipas tij kanë marrë vlerësime maksimale nga partnerët ndërkombëtarë.
/Shekulli/