Gjiganti teknologjik Microsoft deklaron se mjeti i tij me inteligjencë artificiale ka bërë diagnostikimin e saktë për shumicën dërrmuese të pacientëve në një studim të vogël. Microsoft thotë se është një hap më pranë “superinteligjencës mjekësore” pasi një mjet i ri me inteligjencë artificiale arriti të mposhtë mjekët në diagnostikimin e problemeve të ndërlikuara shëndetësore. Gjigantët e teknologjisë po garojnë për të zhvilluar superinteligjencën, një sistem AI që tejkalon aftësitë intelektuale të njeriut në çdo drejtim dhe po premtojnë ta përdorin për të transformuar sistemet shëndetësore në të gjithë botën.Në eksperimentin më të fundit, Microsoft testoi një sistem diagnostikues me AI kundër 21 mjekëve me përvojë, duke përdorur raste reale klinike nga 304 pacientë të publikuara në revistën prestigjioze New England Journal of Medicine.
Mjeti i AI-së bëri një diagnostikim të saktë në deri në 85.5 për qind të rasteve , afro katër herë më shumë sesa grupi i mjekëve nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kishin mes pesë dhe njëzet vite përvojë profesionale. Analiza tregoi gjithashtu se modeli i AI-së ishte më ekonomik se mjekët njerëzorë, duke kërkuar më pak ekzaminime dhe analiza për të arritur diagnozën e saktë.
Microsoft deklaroi se gjetjet tregojnë se modelet me inteligjencë artificiale mund të arsyetojnë edhe në rastet diagnostike më të ndërlikuara, ato që shpesh i vënë mjekët në vështirësi për shkak të specializimeve të ngushta që nuk përfshijnë çdo aspekt të mjekësisë.
“Por AI mund të kombinojë si gjerësinë, ashtu edhe thellësinë e ekspertizës, duke demonstruar aftësi klinike të arsyetimit që, në shumë aspekte, i tejkalojnë ato të çdo mjeku individual,” deklaruan drejtues të Microsoft në një njoftim për shtyp.
Megjithatë, Microsoft nuk parashikon që AI të zëvendësojë mjekët së shpejti. Në vend të kësaj, kompanitë synojnë që mjetet AI të ndihmojnë mjekët në automatizimin e detyrave rutinë, personalizimin e trajtimeve për pacientët dhe përshpejtimin e diagnostikimit.
Lexo edhe: Kozeta Miliku vlerësohet si një ndër 5 shkencëtaret më të mira në Kanada
Si funksionon modeli?
Sistemi i Microsoft bën diagnostikimin duke imituar mënyrën e punës së një mjeku: mbledh të dhënat e pacientit, porosit analiza dhe në fund ngushton diagnozën.
Një “agjent portier” zotëronte informacionet nga rastet klinike të pacientëve. Ai bashkëvepronte me një “orchestrues diagnostikues”, i cili bënte pyetje dhe porosiste teste, duke marrë rezultatet nga analizat reale të kryera.
Microsoft testoi sistemin e tij duke përdorur modelet kryesore të AI-së, përfshirë GPT, Llama, Claude, Gemini, Grok dhe DeepSeek.
Modeli o3 i OpenAI, i integruar në ChatGPT, arriti të zgjidhte saktë 85.5 për qind të rasteve të pacientëve, në krahasim me një mesatare prej 20 për qind nga grupi prej 21 mjekësh me përvojë.
Kufizime dhe hapat e ardhshëm
Studiuesit publikuan gjetjet e tyre në internet si një artikull paraprak (preprint), që do të thotë se ende nuk është rishikuar nga kolegët.
Microsoft gjithashtu pranoi disa kufizime të rëndësishme, veçanërisht faktin që mjeti i AI-së është testuar vetëm për probleme shëndetësore komplekse, jo për simptomat apo shqetësimet më të zakonshme të përditshme.
Paneli i mjekëve punoi gjithashtu pa pasur në dispozicion kolegë, libra apo mjete të tjera ndihmëse që zakonisht përdoren në diagnostikim.
“Kjo u bë për të mundësuar një krahasim të drejtë me performancën e pastër njerëzore,” tha Microsoft.
Kompania bëri thirrje për më shumë prova nga praktika reale mbi potencialin e AI-së në klinikat shëndetësore dhe premtoi se do të “testojë dhe verifikojë në mënyrë rigoroze këto qasje” përpara se t’i bëjë gjerësisht të disponueshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto