Muaj pas muaji, mesazh pas mesazhi, një inxhinier i AI po kontaktohej vazhdimisht nga rekrutues të Metës. Ata po e bindnin që të largohej nga kompania ku punonte për të mbështetur përpjekjet e Metës në AI, duke i ofruar një paketë të majme financiare. Por ai nuk ishte i bindur. Ky inxhinier, i cili punon në një startup që u ble nga një kompani e madhe AI dhe kërkoi të mbetet anonim për The Verge, tregoi se kishte dëgjuar nga miq të tij se Meta kishte pritshmëri shumë të larta, që kërkonin sakrifica personale, qoftë në aspektin e vlerave etike mbi AI-n apo në balancën punë-jetë. Inxhinierët atje, tha ai, punonin orë të zgjatura për të kapur rivalët si OpenAI, Anthropic, Google dhe Microsoft.
Në një kohë kur kompanitë janë në garë të ethshme për talentin në AI, Meta po ofronte kompensime totale prej 1 deri në 1.4 milionë dollarë në vit, përfshirë pagë, bonuse dhe aksione. Por, ai dyshonte se këto oferta ishin të mbështetura në kritere të paqarta dhe të manipuluara sipas performancës. Dhe, mbi të gjitha, nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga balanca personale për disa qindra mijëra dollarë më shumë. Ai vendosi të mos e ndjekë ofertën.
Strategjia e Metës: Investime kolosale dhe poçim agresiv
Së fundmi, Meta ka nisur një valë punësimesh në AI pas një investimi rekord: 14.3 miliardë dollarë për të blerë 49% të Scale AI, një nga furnizuesit më të mëdhenj të të dhënave për trajnim të AI-së për kompani si OpenAI, Google, Microsoft dhe vetë Meta. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Meta krijoi një laborator të ri për “superinteligjencën”, i udhëhequr nga CEO i Scale AI, Alexandr Wang dhe për ta populluar këtë laborator, Meta nisi të rrëmbente talente. Raportohet se Meta ka rekrutuar deri në 10 nga studiuesit dhe zhvilluesit kryesorë të OpenAI-së, me disa pako që kapin vlerën prej 300 milionë dollarësh për katër vite, përfshirë aksionet. Ndërkohë, Meta ka kontaktuar edhe emra të njohur në kompani si Apple, Anthropic dhe DeepMind. Qëllimi? Të garantojë pozicionin e saj në garën drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI) — një sistem AI që mund të arrijë ose tejkalojë aftësitë njohëse të njeriut. Meta e ka zgjedhur si armë të saj paratë. Por jo të gjithë blihen me to.
Lexo edhe:Njihuni me Aiman, shefin e parë AI , që do të drejtojë një restorant luksoz në Dubai
Meta nuk është destinacioni më tërheqës për talentin në AI
Kjo për shkak se Meta nuk është parë tradicionalisht si një magnet për inxhinierët e rinj të AI-së. CEO Mark Zuckerberg ka humbur shumë kohë dhe burime në projektin e metaversit, ndërsa rivalët investuan në AI. Modelet LLaMA të Metës zakonisht renditen më poshtë në renditjet globale, ndërsa zhvillimi i modelit të ri të Metës u vonua për shkak të problemeve në performancë. Marrëveshja me Scale AI dhe buxheti gjigand për tërheqjen e talenteve janë lëvizje të guximshme për të kapur hapin. Por edhe pse ofron paga marramendëse, Meta po has në rezistencë. Anthropic dhe DeepMind, për shembull, kanë patur shumë më pak humbje të stafit krahasuar me OpenAI-në.
Idealizmi i komunitetit të AI-së
Në një industri ku paga dhe siguria janë thuajse të garantuara, shumë inxhinierë të AI-së kërkojnë më shumë sesa para. Ata duan të punojnë në kompani që përputhen me vlerat e tyre — qoftë në aspektin e sigurisë së AI-së, ndikimit etik në shoqëri apo përshpejtimit të zhvillimit teknologjik. Kjo është arsyeja pse shumë talente kanë refuzuar ofertat e Metës. Sipas një burimi nga industria, “shumë nga këta njerëz janë tashmë ‘post-money’ kanë fituar mjaftueshëm sa mund të dalin në pension. Tashmë i tërheq vetëm vizioni dhe stili i drejtimit të kompanisë.” OpenAI ka qenë më i prekshmi nga poçimi agresiv i Metës. Kjo për shkak të trazirave të brendshme — nga kalimi në strukturë fitimprurëse, te shkarkimi dhe rikthimi i Altman, e deri tek mosmarrëveshjet mbi qasjen etike dhe kontratat. Këto kanë bërë që besnikëria ndaj kompanisë të zbehet, duke e bërë më të lehtë largimin.
Jo çdo gjë blihet me para
Sipas një raporti të SignalFire në vitin 2025, Anthropic ka normën më të lartë të mbajtjes së stafit (80%), e ndjekur nga DeepMind (78%) dhe më pas OpenAI (67%) — e ngjashme me Metën (64%). Gjithashtu, punonjësit kishin tetë herë më shumë gjasa të kalonin nga OpenAI te Anthropic, sesa anasjelltas. Anthropic, e krijuar nga ish-drejtues të OpenAI-së, paraqet veten si kompani e fokusuar në “sigurinë dhe kontrollin” e AI-së. Pikërisht kjo është edhe arsyeja e fortë për besnikërinë e stafit të saj.
Skepticizëm ndaj drejtimit të Metës në AI
Investimi i Metës në Scale AI u bë menjëherë pas largimit të Joelle Pineau, ish-drejtueses së kërkimit bazik të AI-së (FAIR) në Meta. Mbyllja e këtij departamenti nga Meta u pa si zhvendosje nga kërkimi drejt produkteve komerciale, një sinjal alarmi për ata që janë të përkushtuar ndaj etikës dhe inovacionit afatgjatë. Gjithashtu, ka skepticizëm edhe për zgjedhjen e Alexandr Wang në drejtimin e laboratorit të ri, pasi Scale AI nuk zhvillon modele frontier dhe Wang nuk ka background në kërkimin e AI-së. Vetë Zuckerberg e ka pranuar se përparimi i industrisë është marramendës dhe Meta ka shumë për të bërë për të kapur ritmin. Por për inxhinierin që refuzoi ofertën, zgjedhja ishte e qartë. “Meta AI pret që t’i përkushtohesh plotësisht. Dhe për mua, paratë nuk ia vlejnë këtë çmim,” tha ai.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.