Meta do të hetohet nga autoritetet kineze lidhur me blerjen e startup-it të inteligjencës artificiale Manus, një marrëveshje me vlerë rreth 2 miliardë dollarë, për të vlerësuar nëse ajo përputhet me ligjet e Kinës mbi kontrollin e eksporteve.
Kina njoftoi të enjten se do të nisë një vlerësim dhe hetim formal mbi këtë blerje, me fokus respektimin e kuadrit ligjor që lidhet me kontrollin e eksporteve, import-eksportin e teknologjisë dhe investimet jashtë vendit.
Meta e bleu Manus muajin e kaluar. Startup-i me seli në Singapor është i fokusuar në zhvillimin e agjentëve të avancuar të inteligjencës artificiale dhe automatizimit, teknologji që gjiganti amerikan synon t’i integrojë si në produktet për konsumatorët, ashtu edhe në zgjidhjet për bizneset.
Kushtet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike, por The Wall Street Journal raportoi se vlera e blerjes tejkalon 2 miliardë dollarë, duke cituar burime të afërta me procesin.
Lexo edhe: 73 ide për biznese të vogla për të nisur në vitin 2026
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Tregtisë e Kinës, thuhet se autoritetet do të analizojnë se si kjo marrëveshje përputhet me ligjet dhe rregulloret përkatëse që lidhen me transferimin ndërkombëtar të teknologjisë dhe investimet strategjike.
“Qeveria kineze mbështet në mënyrë të vazhdueshme ndërmarrjet që zhvillojnë operacione ndërkufitare dhe bashkëpunim teknologjik ndërkombëtar me përfitim të ndërsjellë, për sa kohë që ato zhvillohen në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë, He Yadong, gjatë një konference për shtyp.
Hetimi vjen në një moment kur transaksionet ndërkombëtare në fushën e inteligjencës artificiale janë gjithnjë e më shumë nën vëzhgimin e rreptë të qeverive, për shkak të ndjeshmërisë së teknologjive të avancuara dhe implikimeve të tyre gjeopolitike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.