Mediterranean Investments vë në dukje mundësitë që të ofron Shqipëria - Business Magazine Albania

Mediterranean Investments vë në dukje mundësitë që të ofron Shqipëria


Komuniteti i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të rajonit të Mesdheut e shohin Shqipërinë si një vend që ofron mundësi për të investuar. I krijuar që në vitin 2008, në Romë, “Community of Mediterranean SMEs”, është në kërkim të mundësive që të ofron ky rajon për investime. Shqipëria është një ndër to.

Në analizën që bëjnë dhe ku argumentojnë se përse duhet të investohet në Shqipëri thuhet: “Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por me gjithë progresin e bërë, rruga drejt reformave është ende e gjatë. Vendi nuk ka nevojë vetëm për modernizim, por për hapa konkretë për të luftuar korrupsionin (kamxhikun që ende rëndon këtë vend), ndërtimet e paligjshme, si dhe zbatimin e reformës territoriale.

Në raportin e fundit, Komisioni Europian ka analizuar në mënyrë të detajuar ekonominë shqiptare. Vlerësimi i përgjithshëm është pozitiv, edhe pse Komisioni ka sugjeruar disa rekomandime që do të duhet të zbatohen për të arritur standardet e kërkuara ekonomike.

Eurora parashikon një trend pozitiv rritjeje për ekonominë shqiptare në vitin 2017 dhe një rënie të papunësisë. Megjithatë, të dhënat e borxhit publik nuk janë pozitive: vlerat janë të larta. Analiza e Komisionit flet për përmirësim të klimës së besimit ekonomik dhe kushte më të mira të pagesës për biznesin, në sajë të vendimit të qeverisë për të spastruar detyrimet e prapambetura. Për sa u përket investimeve të huaja parashikohet rritje deri në vitin 2017, kryesisht në sektorin e energjisë”.

Në të janë marrë në analizë katër fusha që janë identifikuar si të mundshme për investime:

Energjia dhe gazi

Shqipëria mund të mburret për sa i përket potencialit të madh që ka në fushën hidroenergjetike, duke u pozicionuar vetëm pas Norvegjisë dhe Zvicrës. Vendi ofron mundësi për prodhimin e energjisë, pajisjeve elektrike dhe programeve për menaxhimin e instalimeve.

Tekstilet

Sektori i tekstileve dhe veshjeve është një më të suksesshmet në Shqipëri dhe burimi kryesor i prodhimit. Faktorët më të favorshëm janë afërsia me Italinë, Greqinë dhe vendet e Ballkanit, prania e një fuqie punëtore fleksibile dhe në gjendje për t’u përshtatur teknologjive dhe standardeve ndërkombëtare të cilësisë, ulja e shpenzimeve të transportit për shkak të pozicionit të saj të privilegjuar gjeografik.

Flukset turistike

Turizmi është një sektor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Shqipëria ka vende të mbrojtura dhe të rëndësishme, si Butrinti dhe Apolonia. Qyteti i Beratit dhe Gjirokastrës, njihen si trashëgimi botërore nga UNESCO. Edhe zona veriore ofron mundësi tërheqëse të rritjes për turizmin malor. Në këtë moment, zonat më të rëndësishme të zhvillimit turistik janë kryesisht ato rreth Durrësit, Vlorës dhe Sarandës.

Megjithatë ka disa çështje që vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e industrisë dhe investimeve të huaja. Në mesin e problemeve me të cilat përballet industria përmenden ato që lidhen me sigurinë e titujve të pronësisë, mungesën e infrastrukturës, pamjaftueshmërinë e sistemeve të trajtimit dhe pastrimit të ujit me pasoja të rënda mjedisore, sidomos në bregdet, por edhe problemet e vazhdueshme në lidhje me furnizimin e energjisë elektrike.

Ndërtimi

Ky sektor është në vëmendje të veçantë nëpërmjet alokimit më të madh të fondeve ndërkombëtare dhe kombëtare për arritjen e objektivave të tilla si: krijimin e një infrastrukture të integruar rrugore kombëtare, rajonale dhe paneuropiane; përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore dhe integrimin e saj në rrjetet rajonale dhe evropiane; përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në portet detare duke rritur investimet në infrastrukturë.

Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, mund të ketë mundësi për investime, si në modernizimin e sistemit të ujërave të zeza dhe ujësjellësve, por edhe në planifikim.

 

burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0