Mbyllja e qeverisë amerikane, ari arrin rekord, tregjet botërore me luhatje - Business Magazine Albania

Mbyllja e qeverisë amerikane, ari arrin rekord, tregjet botërore me luhatje

Tregjet globale reaguan me luhatje pas nisjes së një mbylljeje të pjesshme të qeverisë amerikane, ndërsa çmimi i arit shënoi një rekord të ri.

Të mërkurën, pas dështimit të ligjvënësve për të rënë dakord mbi buxhetin federal, Shtetet e Bashkuara hynë në një bllokim të pjesshëm qeveritar, duke rritur frikën për pasoja ekonomike nëse kriza zgjat.

Futures amerikane ranë, dollari u dobësua, ndërsa bursat evropiane fillimisht nisën negativisht, por ndryshuan kah nga mesdita. Indeksi FTSE 100 në Londër u rrit me 0.7% falë aksioneve farmaceutike, ndërkohë që DAX në Frankfurt dhe CAC 40 në Paris shënuan fitime pas humbjeve fillestare. IBEX 35 në Madrid mbeti lehtësisht në rënie. Në SHBA, S&P 500 ra me 0.5%, Dow Jones me 0.5% dhe Nasdaq me 0.6%.

Inflacioni në eurozonë
Një faktor tjetër ishte publikimi i të dhënave për inflacionin në eurozonë, i cili u rrit në 2.2% në shtator, mbi objektivin 2% të Bankës Qendrore Evropiane. Inflacioni bazë mbeti në 2.3%. Analistët vlerësuan se tendenca mbështet pritjet për ulje të ardhshme të normave të interesit nga ECB.

Lexo edhe: Nga Napoli në Tiranë, si Diego Pisa ndërtoi një perandori punësimi me 3500 njerëz dhe e ktheu Teleperformance në model europian

Ndikimi i mbylljes amerikane
Megjithëse mbyllja pritej të ngadalësonte aktivitetin tregtar, investitorët nuk kanë bërë shitje masive, duke marrë parasysh përvojat e mëparshme kur bllokimet e qeverisë në SHBA kanë pasur ndikim të kufizuar. Por nëse ngërçi vazhdon, pritet të vonojë publikimin e raportit mujor të tregut të punës – një tregues kyç për investitorët dhe për vendimet e Rezervës Federale mbi normat e interesit.

Ari, nafta dhe valutimet
Ari arriti nivelin rekord prej 3,918.80 dollarësh për ons para mesditës në Evropë. Çmimet e naftës ranë: WTI ulet me gati 1% në 61.75 dollarë për fuçi, ndërsa Brent humbi 0.9%, duke zbritur në 65.44 dollarë. Dollari amerikan ra ndaj jenit japonez, ndërsa euro dhe paundi britanik shënuan rritje të lehta.

Tregjet aziatike
Në Japoni, Nikkei 225 ra me 0.9% pas publikimit të një ankete mbi sentimentin e bizneseve. Raporti nxit pritjet se Banka e Japonisë mund të rrisë normën bazë të interesit për të frenuar inflacionin. Në Azi, tregjet lëvizën të përziera: Kospi i Koresë së Jugut u rrit me 0.9%, Taiex i Tajvanit me 0.6%, ndërsa S&P/ASX 200 i Australisë shënoi një rënie minimale. Në Indi, Sensex fitoi 0.6%. Në Kinë, bursat janë të mbyllura për festën kombëtare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0