Marrëveshje e re mes Microsoft dhe OpenAI për AGI - Business Magazine Albania

Marrëveshje e re mes Microsoft dhe OpenAI për AGI

Marrëveshje e re mes Microsoft dhe OpenAI për AGI

Microsoft dhe OpenAI janë rikthyer në tryezën e bisedimeve. Sipas burimeve të Bloomberg, të dy partnerët teknologjikë po zhvillojnë diskutime të thella për një marrëveshje të re që do t’i mundësonte Microsoft-it të mbajë lidhjen me teknologjinë më të avancuar të OpenAI edhe përtej kësaj dekade,  madje edhe nëse laboratori i inteligjencës artificiale shpall zyrtarisht se ka arritur inteligjencën e përgjithshme artificiale (AGI).

Dhe kjo është një çështje thelbësore. Sipas marrëveshjes aktuale, në momentin që OpenAI deklaron se ka arritur AGI, pra pikën kur makinat bëhen po aq të zgjuara, ose më të zgjuara, se njerëzit, Microsoft humbet disa nga të drejtat për të përdorur teknologjinë më të fundit të kompanisë. Për një kompani që e ka ndërtuar të gjithë strategjinë e saj “Copilot” mbi modelet e OpenAI, ky është një skenar shqetësues. Burimet raportojnë se dy palët janë takuar shpesh javët e fundit dhe një marrëveshje mund të nënshkruhet së shpejti. Nga ana tjetër, OpenAI kërkon garanci që Microsoft do të angazhohet ta përdorë teknologjinë e saj në mënyrë të sigurt, ndërsa afrohet me objektivin e saj të madh: AGI. Ndërkohë, Microsoft synon të sigurojë një akses të pandërprerë në mjetet e OpenAI, akses që e ka lejuar të integrojë modelet GPT në produkte si Word, Excel, GitHub dhe të tjera.

Lexo edhe:Përçarje mes gjigantëve të teknologjisë?

Një marrëveshje që lidhet edhe me strukturën e re të OpenAI

Këto negociata lidhen gjithashtu me një plan më të madh të ristrukturimit. OpenAI është në proces për t’u transformuar në një korporatë me përfitim publik (public benefit corporation), një ndryshim që kërkon miratimin e Microsoft. Në këmbim të kësaj “drite jeshile”, Microsoft thuhet se po synon të fitojë një pjesë më të madhe në aksionet e kompanisë së ristrukturuar dhe të zgjerojë të drejtat e saj për akses – të drejta që, sipas marrëveshjes aktuale, përfundojnë në vitin 2030 ose në momentin kur shpallet AGI (cilado që ndodh më parë). Por problemi kryesor është: çfarë e përcakton saktësisht AGI-në? A është momenti kur një chatbot kompozon një simfoni? Apo kur shpjegon fundin e filmit Inception pa asnjë ngurim? Kjo mungesë e një definicioni të qartë ka ngritur pikëpyetje mbi klauzolën ekzistuese, dhe është një nga arsyet pse Microsoft dhe OpenAI janë përfshirë në negociata prej muajsh.

Tensionet mes partnerëve rriten

Një tjetër faktor që ka shtuar tensionet është informacioni që OpenAI u ka dhënë investitorëve: me kalimin e kohës, Microsoft do të marrë një pjesë më të vogël nga të ardhurat e kompanisë, një zhvillim që gjiganti i Windows mund të mos e mirëpresë.  Sipas The Information, Microsoft dhe OpenAI kanë pasur mosmarrëveshje që në qershor mbi klauzolën për AGI. Ndërkohë, fakti që OpenAI po mbështetet gjithnjë e më shumë tek ofrues të tjerë të shërbimeve cloud,  si Google, Oracle dhe CoreWeave, për të përmbushur kërkesat e mëdha për kapacitet përpunues, e ka bërë më të ndërlikuar marrëdhënien me Microsoft. Dhe si të mos mjaftonte kjo, mbi OpenAI rëndon edhe një padi e ngritur nga Elon Musk. Bashkëthemeluesi i kompanisë dhe themelues i Tesla dhe SpaceX, ka akuzuar OpenAI-n për largim nga misioni i saj fillestar si organizatë jofitimprurëse për ndërtimin e një inteligjence artificiale në shërbim të njerëzimit. Sipas tij, kompania është bërë tepër e afërt me Microsoft dhe shumë e fokusuar në përfitime financiare.

Për Microsoft, rreziku është i madh. Shërbimi Azure OpenAI, baza e ofensivës së saj në fushën e AI-së gjenerative, varet plotësisht nga aksesimi i modeleve më të fundit të OpenAI. Nëse këto modele do t’i mungonin, do të ishte si të hiqje prizën nga platforma “Copilot” në një moment kyç — pak ditë përpara se kompania të publikojë raportin financiar tremujor, ku investitorët pritet të kërkojnë detaje mbi të ardhmen e kësaj partneriteti jetik.

IT

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0