Ford Motor Company ka njoftuar një arritje të re në teknologjinë e baterive që synon të sjellë makina elektrike më të lira dhe me autonomi më të gjatë. Megjithatë, njoftimi nuk ofroi shumë detaje teknike, duke lënë disa ekspertë të pa bindur për përmasat e këtij “zbulimi”.
Charles Poon, drejtor i inxhinierisë së sistemit të lëvizjes elektrike në Ford, tha se kompania po punon për të sjellë në treg, deri në fund të kësaj dekade, makina elektrike më ekonomike dhe me distancë më të madhe udhëtimi përmes një teknologjie të re të quajtur Lithium Manganese Rich (LMR). “Kjo është një pikë kthese në rrugëtimin tonë drejt elektrifikimit,” shkroi Poon në një postim në LinkedIn. “Pas kërkimeve intensive në qendrën tonë të avancuar Ion Park në Michigan, jemi duke përparuar në shkallëzimin e kimisë së re të baterive LMR dhe integrimin e tyre në flotën tonë të ardhshme të automjeteve.”
Ford ka nisur tashmë prodhimin pilot të brezit të dytë të qelizave LMR, por ekspertët theksojnë se teknologjia me bazë mangan nuk është e re. General Motors e përdori për herë të parë në modelin Chevrolet Volt. Ekspertë si Sam Abuelsamid, nga kompania Telemetry Insights, thonë se përparësia e manganit është kostoja e ulët dhe stabiliteti, ndryshe nga kimitë me nikel që janë më të rrezikshme për ndezje të papritura. Megjithatë, disa versione të këtyre baterive kanë jetë të shkurtër karikimi. Zëdhënësja e Ford, Emma Bergg, sqaroi se ajo që e bën të veçantë zhvillimin e Ford-it është përpjekja për të zgjidhur problemet me rënien e tensionit dhe krijimin e gazit gjatë përdorimit, pa ndikuar në dendësinë e energjisë. Kjo mund të sjellë më shumë siguri dhe jetëgjatësi, por pa humbur kapacitetin për kilometrazh të lartë.
Lexo edhe:Start-Up-et sfidojnë veten në Growpreneur Boostcamp, fillon gara drejt akseleratorit
Megjithatë, ekspertët mbeten të rezervuar. Sam Fiorani nga AutoForecast Solutions tha se përdorimi i shprehjes “po i adresojmë drejtpërdrejt problemet” nga ana e Ford nuk do të thotë se i kanë zgjidhur përfundimisht, por se janë në rrugë drejt një zgjidhjeje të mundshme. Poon theksoi se teknologjia LMR ofron një kombinim të veçorive më të mira të baterive aktuale: siguri si ajo e baterive lithium iron phosphate dhe kapacitet më të lartë se ato me përmbajtje të lartë nikeli, me kosto më të ulët. Bateritë përbëjnë rreth një të tretën e kostos së përgjithshme të një makine elektrike, prandaj përmirësimi i tyre është thelbësor për të arritur çmim të barabartë me makinat me naftë ose benzinë. Ford ka nisur më herët përdorimin e baterive nickel cobalt manganese, dhe që nga viti 2023 ka shtuar edhe ato lithium iron phosphate. Teknologjia LMR shihet si faza tjetër e zhvillimit. Sipas ekspertëve, si Fiorani, teknologjia e baterive për makinat elektrike është ende në fazat e para në krahasim me motorët me djegie të brendshme. Përparimet si LMR janë të rëndësishme për të ecur drejt adoptimit më të gjerë të automjeteve elektrike, por nuk duhet të mbivlerësohen pa pasur më shumë prova praktike.
Aktualisht, Ford ka në shitje tre modele elektrike: Mustang Mach-E, F-150 Lightning dhe E-Transit. Në tremujorin e parë të vitit, kompania raportoi 22,550 njësi të shitura, me një rritje prej 11.5% krahasuar me vitin e kaluar. Përpjekjet e Ford-it vijnë paralelisht me lajmin se kompania gjigande kineze CATL ka njoftuar gjithashtu përparime të mëdha në bateritë e saj, të cilat do të jenë më të lehta, më të shpejta për t’u karikuar dhe më efikase në temperatura të ulëta. CATL pretendon se këto bateri do të mundësojnë karikimin për 500 kilometra brenda vetëm 5 minutash – megjithatë, aplikimi në treg do të marrë disa vite.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.