Nga Qiyuan Xu* – Luftërat e tarifave shpesh justifikohen si të domosdoshme për të mbrojtur ose rikthyer vendet e punës në industri dhe për të rritur sigurinë kombëtare. Por, sipas kërkimeve të reja, këto konflikte prodhojnë edhe një pasojë tjetër që shpesh anashkalohet: ndotjen. Kur zinxhirët globalë të furnizimit detyrohen të marrin devijime të paefikase, emetimet e dioksidit të karbonit rriten.
Në një studim të fundit mbi efektet mjedisore të konfliktit tregtar SHBA–Kinë, bashkautorët e mi dhe unë zbuluam se tarifat kanë shtuar drejtpërdrejt emetimet globale të CO₂. Sipas llogaritjeve tona, nëse të dyja palët do të vendosnin një tarifë 60% për importet e njëra-tjetrës, duke ndjekur ritmin e përshkallëzimeve të prillit, kjo do të sillte një rritje të njëhershme prej gati 410 milionë tonësh në emetimet globale, afërsisht sa prodhojnë 165 milionë makina me benzinë kur përshkojnë 10 mijë kilometra secila.
Kjo mund të duket e kundërta e intuitës. Meqenëse Kina është emetuesi më i madh në botë dhe ka intensitet të lartë karboni, shpesh supozohet se zhvendosja e prodhimit jashtë saj do të reduktonte emetimet globale. Por në shumë sektorë prodhimi, intensiteti i karbonit në Kinë është dukshëm më i ulët sesa në shumë ekonomi në zhvillim, madje, në disa industri, është edhe më i ulët sesa në disa ekonomi të përparuara. Intensiteti i lartë total i karbonit në Kinë thjesht pasqyron peshën e madhe të prodhimit në ekonominë e saj, një shembull klasik i paradoksit të Simpsonit.
Në thelb, Kina mban një pjesë joproporcionale të prodhimit botëror me intensitet të lartë karboni. Sipas bazës së të dhënave UNCTAD–EORA, në vitin 2017, përpara nisjes së luftës tregtare, 33,9% e karbonit të trupëzuar në importet amerikane vinte nga Kina. Këto emetime nuk u zhdukën pasi tarifat tronditën tregtinë dypalëshe; ato u rikthyen në SHBA përmes prodhimit vendas më të shtrenjtë ose u zhvendosën drejt vendeve të treta.
Lexo edhe: Pasuria, pushteti dhe ndotja, fotografia reale e pabarazisë botërore në 2025-ën
Nëse tensionet tregtare riformësojnë strukturat industriale në SHBA dhe Kinë, zhvendosja drejt aktiviteteve më energji -intensive do të rrisë intensitetin mesatar të karbonit në të dy ekonomitë, edhe pa ndryshime në intensitetet specifike të sektorëve. Kërkimi ynë tregon se rritja e emetimeve për shkak të këtyre ndryshimeve strukturore tejkalon ndjeshëm uljen e emetimeve që vjen nga rritja më e ngadaltë ekonomike.
Efekti është edhe më i mprehtë në vendet e treta. Deficiti tregtar i mallrave në SHBA ka qëndruar mbi 4% të PBB-së për një dekadë, duke nënkuptuar se lufta tregtare me Kinën ka prodhuar “nearshoring” dhe “friendshoring”, por jo “reshoring”.
Çdo rritje me një pikë përqindjeje në tarifat dypalëshe SHBA–Kinë nxit një rritje prej 0,1–0,34% të karbonit të trupëzuar në tregtinë midis vendeve të treta. Simulimet tregojnë se ulja e importeve amerikane nga Kina po zëvendësohet kryesisht nga importe nga Azia Juglindore ose Amerika Latine, ku shumë industri kanë intensitet karboni më të lartë. SHBA, në thelb, thjesht po zëvendëson një furnizues me një tjetër, duke rritur totalin e emetimeve globale.
Kjo nuk do të thotë se Azia Juglindore ose Amerika Latine nuk duhet të tërheqin investime ose të kërkojnë rritje. Në kushte normale, intensiteti i karbonit në ekonomi ndjek kurbën mjedisore të Kuznets, duke u rritur në fazat e hershme të zhvillimit dhe duke rënë në fazat e mëvonshme, me përhapjen e teknologjive më të pastra. Në një botë pa luftëra tregtare, vendet lëvizin natyrshëm në këtë kurbë.
Por konfliktet tregtare e prishin këtë ekuilibër. Tarifat e larta dëmtojnë ekonomitë e SHBA-së dhe Kinës, duke i shtyrë ato majtas në kurbën Kuznets, drejt fazës ku emetimet rriten dhe jo ulen. Në të njëjtën kohë, devijimi i zinxhirëve të furnizimit u shtyn ekonomive në zhvillim prodhimin përpara, duke i çuar drejt segmentit ngjitës të kurbës. Rezultati: rritje e emetimeve në të dyja anët e kurbës. Duke marrë parasysh këtë dinamikë, ndikimi real i luftës tregtare SHBA–Kinë shkon shumë përtej rritjes së njëhershme prej 410 milionë tonësh të CO₂.
Marrëdhënia aktuale tregtare SHBA–Kinë është, në thelb, një marrëdhënie “me emetime të larta”, që eksporton ndotjen dhe gërryen aftësinë globale për të luftuar ndryshimet klimatike. Prandaj është i domosdoshëm një model i ri, i ashtuquajturi “tregti e gjelbër”, ku politikat tregtare lidhen drejtpërdrejt me objektivat klimatike, duke ulur barrierat për teknologjitë me karbon të ulët dhe duke njohur se ulja e tarifave mund të jetë një akt bashkëpunimi klimatik. E njëjta parim duhet të zbatohet në çdo marrëdhënie dypalëshe ose shumëpalëshe.
Një mjedis global tregtar gjithnjë e më konfrontues rrezikon të bllokojë botën në një cikël të rrezikshëm përshkallëzimi tarifash, degradimi të zinxhirëve të furnizimit dhe rritjeje të emetimeve. Nëse fuqitë e mëdha vazhdojnë në këtë rrugë, duke injoruar faktin se luftërat tregtare po dëmtojnë vetë planetin nga i cili varen të gjitha ekonomitë, humbjen do ta përjetojmë të gjithë.
*Qiyuan Xu, studiues i lartë në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale, është autor i shumë librave, përfshirë Riformësimi i Zinxhirit Global Industrial: Zgjedhjet e Kinës.
Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025./ www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.