Lufta tregtare e Trump/ Çmimin e paguajnë vendet në zhvillim - Business Magazine Albania

Lufta tregtare e Trump/ Çmimin e paguajnë vendet në zhvillim

Tarifat e vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump kanë shkaktuar një stuhi ekonomike në tregjet globale, duke tronditur bursat dhe tregjet e bonove, si dhe duke përhapur panik veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta, të cilat varen nga eksportet drejt Shteteve të Bashkuara. Rezultati mund të jetë një recesion global i krijuar krejtësisht nga dora e njeriut, vendet në zhvillim pritet të jenë ato që do të pësojnë më shumë.

Edhe pse pati një qetësi të përkohshme në tregje pas njoftimit të befasishëm të Trump për një “pauzë” 90-ditore në shumicën e tarifave të reja, përjashtuar ato ndaj importeve kineze që u ngritën në 145%, ajo qetësi rezultoi e rreme. Disa miliarderë dhe besnikë të Trump-it mund të kenë përfituar duke lexuar mesazhet e tij në rrjetet sociale përpara këtij kthimi të papritur të politikës, por pasojat mbi tregtinë dhe financat globale vazhdojnë të jenë të rënda.

Lexo gjithashtu: Llogaritë janë bërë gabim/‘‘ Tarifat e Trump duhet të ishin 4 herë më të vogla’’

Aktualisht, një tarifë universale prej 10% për të gjitha importet në SHBA mbetet në fuqi, së bashku me tarifa të veçanta 25% për çelikun, aluminin, automjetet dhe pjesët e makinave. Pajisje si telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe disa elektronikë janë përjashtuar, por Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të reja për farmaceutikët, gjysmëpërçuesit, bakrin dhe drurin.

Këto masa do të reduktojnë disponueshmërinë e mallrave të importuara, do të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë dhe do të vendosin kosto të mëdha mbi vendet eksportuese, shumica prej tyre në zhvillim.

Tarifat që do t’i vendosen çdo vendi do të varen nga negociatat e ardhshme, ku SHBA pritet të ndjekë një qasje të ashpër. Trump e ka shprehur haptazi përbuzjen e tij për liderët e huaj, duke mburrur se shumë prej tyre po “më lëpijnë këmbët” për të ndaluar tarifat. Kjo e bën të paqartë përmasën përfundimtare të masave tarifore.

Tarifa më e fundit ndaj Kinës, 145%  është në thelb simbolike, një hakmarrje për tarifat që Kina vendosi më parë, por realisht synon të mbyllë dyert për mallrat kineze. Efekti domino për prodhuesit amerikanë dhe konsumatorët që varen nga komponentët kinezë është i thellë. Qeveritë që dëshirojnë të ruajnë aksesin në tregun amerikan po nxitojnë të gjejnë burime dhe partnerë të rinj prodhimi.

Thjesht pritja për këto ndryshime tashmë ka dëmtuar rëndë zinxhirët e furnizimit në të gjithë botën.

E gjithë kjo situatë përkeqësohet nga paqëndrueshmëria e vetë politikave të administratës Trump, vendime të papritura, kthesa të menjëhershme, shpallje që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë të paparashikueshme. Kjo e bën të pamundur parashikimin e zhvillimeve të ardhshme me modelet tradicionale të menaxhimit të rrezikut. Preferenca e Trump për “taktikën e shokut”, siç u përdor nga liderë të tjerë autoritarë si Narendra Modi i Indisë, vetëm sa e shton konfuzionin.

Lexo gjithashtu: A po përsëritet historia? Si mund ta shmangim një luftë tregtare si ajo e viteve ’30

Kosto që bien rëndë mbi vendet në zhvillim

Përballë kësaj pasigurie, bizneset ngurojnë të investojnë. Projektet e reja shtyhen, planet e zgjerimit pezullohen. Si pasojë, rritja ekonomike e SHBA-së dhe punësimi mund të ngadalësohen ndjeshëm, me pasoja që shkojnë përtej ndikimit të drejtpërdrejtë të tarifave.

Ironikisht, SHBA nuk mund ta fitojë këtë luftë tregtare me Kinën, dhe Pekini e di mirë këtë. Në çdo moment, kjo luftë ekonomike mund të përshkallëzohet në një krizë financiare madhore, apo madje edhe në një përplasje ushtarake.

Sinjalet e alarmit tashmë kanë nisur, kërkesa për bonot e thesarit amerikan, dikur asetet më të sigurta në botë, kanë rënë. Rënia e njëkohshme e aksioneve, bonove dhe vlerës së dollarit sinjalizon mungesën e besimit në udhëheqjen ekonomike të SHBA-së.

Pesha më e rëndë mbi shpatullat më të brishta

Si në shumë kriza të mëparshme të shkaktuara nga vetë SHBA, ekonomia amerikane do të pësojë, por goditja më e rëndë do të bjerë mbi vendet në zhvillim. Porositë e eksportit që anulohen apo shtyhen po ndikojnë direkt në uljen e prodhimit dhe rritjen e papunësisë. Ndërkohë, paqëndrueshmëria financiare po kërcënon stabilitetin ekonomik, shumë përpara se ndikimi i plotë i tarifave të ndjehet realisht.

Kjo tashmë reflektohet në rritjen e “yield”-it të obligacioneve shtetërore të vendeve në zhvillim. Në muajin para 9 prillit, borxhi sovran në dollarë për vendet në zhvillim ra mesatarisht me 2.9%, ndërsa yield-et u rritën në 7.4%. Vendet më të goditura si Maldivet, Sri Lanka, Gaboni dhe Zambia panë rënie mbi 10%.

Për fat të keq, vendet në zhvillim janë shumë të njohura me këtë lloj kaosi ekonomik dhe financiar. Për dekada, ato kanë qenë të bllokuara në një cikël vështirësish, zhvlerësim të monedhës, rritje të kostos së borxhit, kufizime në financat publike, shkurtime të detyruara buxhetore dhe destabilitet të tregut të brendshëm.

Një rend botëror që po shembet

Mesazhi është i qartë, tregtia globale po tronditet, dhe globalizimi financiar po bëhet gjithnjë e më pak tërheqës për vendet që kërkojnë financim të qëndrueshëm afatgjatë për zhvillimin e tyre.

Donald Trump është i vendosur të shkatërrojë rendin ekonomik global, të cilin ai e sheh si një sistem që i shërben më shumë të tjerëve sesa Amerikës. Përballë kësaj, shumë vende në zhvillim pritet të rishqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre në një sistem të pabarabartë që më nuk përfaqëson interesat e tyre. Por rruga përpara do të jetë e vështirë, derisa të lindë një alternativë e besueshme.

Jayati Ghosh, Project Syndicate, 2025.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0