Nga Zef Preci, ekonomist
Këto ditë pandemie, shpresojmë nga fundi i saj (kur kurba e shifrave të të infektuarve nuk po gjenë mbështetje dhe shëmbëlltyrë në asnjë model as të djeshëm dhe as të sotëm në botën përreth duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi vërtetësinë e shifrave të ofruara), përveç “betejës” në dyert e Teatrit, për konsum politik u hodh edhe një listë artistësh “pro” dhe “kundër” shembjes së kësaj godine simbol i traditës, trashëgimisë kulturore e historike të vendit tonë. Lista “pro“, e servirur në mas-media nga drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, me sa duket të mbetur të vetëm në betejën e deleguar nga Bablok-u, përveç efekteve mediatike për përçimin e mesazhit se “artistët janë të përçarë rreth kësaj nisme civilizuese të Bashkisë së Tiranës”, përbën edhe shashkën politike të radhës, në justifikimin e një akti “demonstrim force” për ligjshmërinë e të cilit askush nuk është i qartë, e aq më pak të jetë i bindur…
Duke mos qenë pjesë e atij komuniteti, po i lejoj vetes të komentoj në vijim diçka rreth kësaj liste dhe problematikës që shoqëron betejën publike kundër prishjes së godinës së Teaterit Kombëtar të vendosur me urgjencë nga këshilli monopartiak i Bashkisë së Tiranës.
Lexo: Industria 3D, a po merr një rëndësi tjetër pas Covid 19?
Së pari, Teatri Kombëtar, as është dhe as mund të jetë një kauzë e mirëfilltë politike. Nëse z.Rama e nisi në fillimet e veta politike me fasadat dhe sot fasadizmi ka pushtuar çdo skutë të saj shoqërinë shqiptare duke u shndërruar në një natyrë të dytë të qeverisjes së vendit, realizimi i këtij shkatërrimi duket se përbën një provë forcë, të vlefshme për zgjedhjet e ardhshme politike, i cili mund të kënaqë epshet pushtetërore të tij dhe të ndonjë biznesmeni e yesmen-i të tij, por kurrsesi nuk shërben interesin publik të pretenduar…
Tiranës dhe jo vetëm asaj, ju duhet jo një, por disa teatro të rinj, ku njerëzit të mund të kulturohen, të qytetërohen, të frymëzohen dhe kështu të shtojnë përpjekjet dhe të rrisin shpresat dhe pritshmëritë për të ndryshuar jetën e tyre, të komuniteteve prej nga vijnë dhe aty ku jetojnë, duke transformuar kështu pozitivisht tërë shoqërinë shqiptare. Natyrisht nevoja për një teatër të ri, nuk presupozon që duhet rrënuar çdo gjë e trashëguar, duke përfshirë edhe Teatrin ekzistues, duke përdorur deri edhe një zhargon pezhorativ si “vepër e fashistëve”, të denjë për ndonjë fanatik të kohës së shkuar të mbetur arave që nuk e ka marrë vesh akoma se jemi 30 vjet mbas shembjes, të paktën në këndvështrimin sistemik, të regjimit komunist.
Se çfarë përfaqëson kjo godinë dhe trashëgimia e saj dhe e kompleksit ku bën pjesë prej 80 vjetësh e ka sqaruar më shumë se një herë historiani dhe studiuesi i mirënjohur Aurel Plasari dhe nuk ja vlen të ndalemi.
Së dyti, historia me lista “pro” dhe “kundër”, e cila ka filluar listat e “Vullnetarëve të Enverit” tridhjetë vjet më parë, duhet të marrë fund njëherë e mirë. Ne jetojmë në një botë të hapur, në një kohë tjetër, jemi tridhjetë vjet më pas dhe nuk duhet të bëjmë gabimin drejt të cilit na joshin ideatorët mendjengushtë të këtyre listave, domethënë që “të ndeshemi” me ata që mendojnë ndyshe nga ne, pra me ata që shprehen se Teatri Kombëtar duhet prishur duke çvendosur fokusin nga problemi i vërtetë: interesat okulte të ideatorëve dhe realizatorëve të kësaj beteje shumë të dyshimtë publike dhe politike.
Lexo: Televizorët Samsung QLED 8K dhe 4K 2020 tashmë të disponueshëm në Shqipëri
Së treti, nëse ky rast nuk shërben për asgjë tjetër, ai shërben për diçka shumë të madhe: beteja për prishjen ose jo të godinës së Teatrit Kombëtar vë në provë të gjitha institucionet që kemi ndërtuar, rindërtuar dhe shkatërruar disa herë gjatë këtyre tri dekadave të fundit, si ato kushtetuese (Presidenti i Republikës, Gjykata Kushtetuese; ministritë duke filluar me atë të Kulturës, pavarësinë e institucioneve vendore si Bashkia e Tiranës, etj), ashtu edhe ato që në shoqëritë e zhvilluara perëndimore kontribuojnë për të frenuar prirjet autoritariste të pushtetit, arrogancën e tij dhe që se luajnë një rol modest edhe në shoqërinë tonë të sotme (si psh shoqëria civile, komunitet e ndryshme të interesuara, etj). Në këtë mënyrë secili prej këtyre institucioneve “shfaqet” në përmasat e veta individuale përtej propagandës mbytëse të ditës dhe qytetarët, votuesit dhe taksa-paguesit nxjerrin mësimet e duhura dhe “korrigjojnë shënjestrën” në zgjedhjet e radhës…
Së fundi, duke u kthyer tek artistët që nën yshtjen e pushtetit dhe nën arsye që fillojnë me bindjen personale (dhe kjo është njerëzore) deri tek interesa meskine apo edhe “blerja” që pushteti bënë rregullisht në periudha dështimesh dhe krizash si kjo e tashmja (dhe është e njohur, edhe pse shumë “shqiptare”) nxitojnë të deklarohen me lista “pro” shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, mendoj se duhet të tregojmë respektin e duhur për ta. Kjo si qëndrim parimor dhe duhet evituar çfarëdo poshtërimi apo trajtimi denigrues ndaj qëndrimit të tyre. Madje kjo është aq e vërtetë, sa ajo që ish-ministri Ylli Manjani e thotë me të drejtë, që opozita nuk mund të futet në teatër duke e shndërruar në kauzën e vet politike pengimin e prishjes së godinës së tij, domethënë që prishja ose jo e godinës së Teatrit Kombëtar duhet të trajtohet ashtu siç duket se është: ngutje e dyshimtë e pushtetit për ta prishur për interesa okulte biznesi, korrupsioni, interesa politike, etj.
E nëse e shohim nën këtë optikë, kjo është tashmë një çështje e institucioneve edhe reagimi publik, qytetar, i komunitetit të artistëve, i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ja kanë arritur qëllimit madhorë që të sensibilizohen qytetarët, por edhe institucionet vendase dhe të huaja.
Personalisht, edhe në kushtet e sotme kur tendencat autoritariste të pushtetit të “Njëshit” duke anashkaluar institucionet e shtetit të së drejtës, këshillat e institucioneve ndërkombëtare, shtimi abuzimit me pushtetin në administrimin e taksave, ndaj të drejtave të njeriut, rritja e presionit mbi median, etj. mendoj se janë dëshmi e humbjes së mbështetjes publike, e frikës në rritje ndaj ndëshkimit ligjorë (për të cilin ende ka shpresë se do të veprojë mbi abuzantët në ushtrimin e pushtetit).
Lexo: Zoom arrin 300 milionë përdorues në ditë, duke u rritur 50% nga fillimi i Prillit
Shqipëria sot nuk ka nevojë për heronjë, as për “supermen” pushteti të pakufizuar, por për rritje të përgjegjësisë së individit, të qytetarit, të familjes, të komunitetit për të forcuar kontrollin dhe llogaridhënien për shpenzimet e buxhetit të shtetit dhe për cilësinë e qeverisjes që prodhon vota e tij dhe debati i ndezur publik në çështjen e Teatrit Kombëtar duhet të zgjojë seclin prej nesh për ta parë nën këtë optikë. Kështu secili prej nesh mund të kontribuojë për ta bërë Tiranën dhe tërë Shqipërinë tonë të shtrenjtë më të jetueshme, pjesë të historisë, të trashëgimisë, të kulturës, të përditshmes dhe të së ardhmes sonë të përbashkët.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.