Lufta me Iranin do të rrisë çmimet për konsumatorët, paralajmëron drejtori i gjigantit të transportit detar - Business Magazine Albania

Lufta me Iranin do të rrisë çmimet për konsumatorët, paralajmëron drejtori i gjigantit të transportit detar

Lufta me Iranin do të rrisë çmimet për konsumatorët, paralajmëron drejtori i gjigantit të transportit detar

Kostoja në rritje e transportit detar, e shkaktuar nga konflikti me Iranin, do të përfundojë duke u paguar nga konsumatorët në të gjithë botën. Kështu ka deklaruar Vincent Clerc, drejtori ekzekutiv i gjigantit danez të transportit detar Maersk, në një intervistë për BBC.

Sipas tij, kompanitë e transportit kanë mekanizma kontraktualë që lejojnë transferimin e luhatjeve të çmimit të karburantit tek klientët. “Ne kemi mekanizma të zakonshëm kontraktualë që e kalojnë këtë luhatje të kostos së karburantit tek klientët tanë, qoftë kur çmimet rriten apo kur ulen. Kjo do të thotë se në fund këto kosto do të transferohen tek klientët dhe më pas tek konsumatorët,” tha Clerc. Maersk është kompania e dytë më e madhe në botë për transportin me kontenierë dhe luan një rol kyç në transportimin global të produkteve të konsumit si lodra, veshje dhe pajisje elektronike.

Dy rrugë jetike të transportit pothuajse të bllokuara

Konflikti mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ka sjellë ndërprerje serioze në disa nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë botërore. Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth 20% e furnizimit global me naftë, është praktikisht e bllokuar për shkak të kërcënimeve nga Irani ndaj anijeve tregtare. Në të njëjtën kohë, shumë kompani transporti po shmangin edhe kalimin në Detin e Kuq, për shkak të rreziqeve të sigurisë. Clerc u bëri thirrje palëve të përfshira që të arrijnë një marrëveshje për të rikthyer normalitetin në rrugët e tregtisë ndërkombëtare. “Duhet të rikthehemi në një situatë ku liria e lundrimit dhe navigimi paqësor të jetë i garantuar,” tha ai.

Për shkak të konfliktit, shumë anije detyrohen të bëjnë rrugë më të gjata rreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë, gjë që rrit ndjeshëm kostot e transportit dhe konsumin e karburantit. Kjo, sipas Clerc, po ushtron presion shtesë mbi inflacionin global. “Shqetësimi kryesor për ne është siguria e ekuipazheve dhe e anijeve tona,” tha ai. Ai shtoi se për sa kohë ekziston rreziku i sulmeve me dron dhe nuk ka një armëpushim të garantuar, është shumë e vështirë të rrezikohen jetët e punonjësve të kompanisë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare të OKB-së, të paktën shtatë marinarë kanë humbur jetën në Ngushticën e Hormuzit që nga fillimi i konfliktit, ndërsa disa të tjerë janë plagosur.

Lexo edhe: Nis implementimi i sistemit “National Single Window” për doganat në Shqipëri

Kostot e transportit janë rritur ndjeshëm

Rritja e kostove të transportit është tashmë e dukshme. Sipas Maersk, çmimi për transportin e një kontejneri standard prej 20 këmbësh është rritur me rreth 200 dollarë, që përkthehet në një rritje prej 15% deri në 20% të tarifave të transportit në disa raste. Edhe kompani të tjera të mëdha si MSC dhe Hapag-Lloyd kanë rritur tarifat për shkak të ndërprerjeve të lidhura me konfliktin. Autoritetet kineze madje kanë thirrur drejtues të Maersk dhe kompanive të tjera për të diskutuar rritjen e tarifave të transportit.

Rreziku për furnizimet ushqimore

Clerc paralajmëroi se ndërprerjet e transportit kanë pasur një ndikim të thellë në zinxhirët globalë të furnizimit. Shumë klientë nuk po marrin mallrat në kohën e planifikuar, gjë që krijon probleme të mëdha, veçanërisht në rajonet që varen shumë nga importet e ushqimeve. “Është jashtëzakonisht shqetësuese për rajone që varen nga importet për ushqim. Duhet të sigurohemi që ushqimi të vazhdojë të arrijë në raftet e supermarketeve dhe të mos mbetet i bllokuar në porte apo në anije,” tha ai. Megjithatë, ai theksoi se industria po përpiqet të gjejë alternativa duke përdorur transportin tokësor me kamionë dhe korridore logjistike, edhe pse këto nuk mund të zëvendësojnë kapacitetin e madh të transportit detar.

Disa qeveri, përfshirë SHBA-në dhe Francën, kanë sugjeruar që anijet të shoqërohen nga marina ushtarake për të siguruar kalimin në ngushtica. Clerc tha se kjo mund të jetë një zgjidhje e përkohshme për të rifilluar transportin, por nuk është një zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë. Ngushtica e Hormuzit është shumë e ngushtë dhe trafiku detar është shumë i madh për t’u mbrojtur vazhdimisht vetëm me eskortë ushtarake. Sipas tij, një marrëveshje diplomatike mes palëve është e vetmja mënyrë reale për të rikthyer normalitetin në tregtinë globale.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0