Në një prononcim për BusinessMag në lidhje me ecurinë e Auto You administratorja Loreta Hysa na tregon “Jemi tepër optimistë me zgjerimin e tregut të automjeteve elektrike, duke qenë një ekip i përkushtuar posaçërisht për zbatimin e elektromobilitetit në vend. Më të guximshmit që përqafuan këtë teknologji të parët, tani ia kanë dëshmuar edhe më skeptikëve të gjitha përfitimet ekonomike, mjedisore dhe shëndetësore që përfitohen nga kjo zgjidhje lehtësisht e zgjedhshme.”
Ajo që e diferencon Auto You nga një shitës i thjeshtë makinash apo konçensionar prestigjoz është ndjekja e kërkesave të klientit qysh në hapat e para. Klientët kanë mundësinë e vizitës në galerinë në Tirana Business Park për të marrë çfarë iu nevojitet për të përmbushur në efiçencë operacionet e përditshme të biznesit të tyre apo ato personale.
“Ne angazhohemi të studiojmë rast pas rasti alternativën më të dobishme dhe të kënaqshme për ta. Vazhdojmë t’i vëmë theksin mundësisë për të investuar vetëm shpenzimet operative të karburantit dhe mirëmbajtjes që klienti shpenzon aktualisht, pa asnjë kosto shtesë për të blerë një makinë të re.
Kjo e bën më të arritshme qasjen në këtë teknologji edhe pse nga mesatarja e përllogaritjeve të rasteve të ndryshme, një makinë elektrike e shlyen vetveten në vetëm 3 vite shpenzime karburanti dhe mirëmbajtje të një makine me motor me djegie të brendshme,” shprehet ajo.
Përpos biznesit taksi, të shperndarjes dhe aktiviteteve të tjera, Auto You gjithashtu u shërben edhe atyre që duan të ndërthurin luksin me efiçencën e makinave elektrike, në një eksperiencë krejt ndryshe. Ende në Shqipëri nuk është shitur një makinë elektrike e rangut luksoz, por Auto You ka ofruar shërbimet e saj të pas-shitjes për një sërë automjetesh Tesla, kryesisht të shtetasve kosovarë, grekë dhe norvergjezë, të surprizuar nga zhvillimi teknologjik që kanë gjetur në Shqipëri.
Në lidhje me përmbushjen e objektivave që ata patën vendosur Loreta na përgjigjet: “Kujdesemi të vendosim gjithmonë objektiva realiste, edhe pse shpesh-herë të tjerë na thonë se objektivat tona ngjasojnë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së për vitin 2025. Kemi realizuar me sukses çfarë kemi parashikuar deri tani, edhe pse na është dashur të punojmë pa ndalur.”
Me planin e tyre vjetor të investimit në infrastrukturën për stacionet e karikimit, Shqipëria do të jetë vendi me infrsatrukturën më të lartë, krahasuar me shtetet më të zhvilluara europiane dhe vendet nordike, duke përllogaritur popullsi/m2.
Lexoni: “Tirana Last Mile”, prezanton avantazhet e makinave elektrike
Krahasimisht me një vit më parë, Loreta thote se kanë trefishuar investimin për kullat e karikimit, kanë dyfishuar stafin teknik dhe atë të shitjeve në terren dhe janë duke ndërtuar një servis modern për diagnostifikimin e automjeteve elektrike, i pari në Shqipëri dhe në Ballkan i pavarur nga një kompani mëmë e një marke të caktuar automobilash.
Ashtu si çdo projekt tjetër edhe Auto You ka pasur vështirësitë e veta. Përpos mungesës së legjislacionit të posaçëm për zbatimin e elektromobilitetit, mungesës së profesionistëve të fushës, vështirësia më e madhe mbetet mendësia, gjë për të cilën gjithashtu janë duke punuar me fushata informimi publik edhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë me interesa të ngjashme me të Auto You.
Mungesa e informacionit haset jo vetëm tek individët, por edhe tek bizneset e mëdha që nuk janë të ndërgjegjshëm sa shpenzojmë për çfarë është marrë e mirëqënë gjatë gjithë jetës së biznesit dhe jetës së tyre. Por, kjo është e justifikueshme për aq kohë sa elektromobiliteti është ende në lulëzim edhe në vende më të zhvilluara se Shqipëria.
Për planet në vazhdimësi, Loreta thotë se do të kenë një bashkëpunim me kompaninë Electrify Albania që po shtron infrastrukturën e karikimit në vend, nga veriu ne jug, duke u mundësuar klientëve që të përfitojnë tarifa më preferenciale për shërbimin e karikimit. Tashmë të gjithë përdoruesit e automjeteve elektrike mund të karikojnë automjetet e tyre në stacione të shpejta (20-30 minuta karikim i plotë) në Tiranë, Fier dhe Gjirokastër, duke u pajisur me një kartë RFID të parangarkuar shërbimi.
“I jemi dedikuar në mënyrë të veçantë mundësive më ekonomike për të pasur një makinë elektrike. Që prej Shtatorit të këtij viti, Auto You ka lançuar një fushatë ku makina elektrike fillon nga 5.5 €/dita, çka e bën tepër të përballueshme për aftësitë paguese të çdokujt,” mbyll intervistën për BusinessMag Loreta.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.