Prodhimet e zonave malore do të kenë një logo promocionale dhe identifikuese. Konkursi për përzgjedhjen e logos është shpallur nga Ministria e Bujqësisë dhe ZHvillimit Rural në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian.
Lançimin e këtij konkursi grafik e bëri të ditur ministri i Bujqësisë z. Niko Peleshi gjatë takimit me gratë e fshatit Qelëz, të zonës së Pukës, të qarkut Shkodër. Në takim e pranishme ishte Ambasadorja e Delegacionit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin.
Peleshi tha se, “Jam shumë i gëzuar që të lançoj bashkë me Ambasadoren konkursin. Ka qenë një ide e përbashkët, një iniciativë e përbashkët. Dua ta falenderoj përsëri Ambasadoren sepse ka mundësuar dhe financimin, e një logoje, pra e një etiketeje, të një emërtimi, të një logoje dalluese të prodhimeve të zonave malore. Flitet pët prodhime tipike, tradicionale të zonave, të prodhuara kryesisht nga gratë.”
Lexoni: Dizenjo e produkteve malore, ja kriteret
Ai theksoi se “Ne i kemi quajtur “Zemra e malit”, në mënyrë që konsumatori ta kuptojë ka të bëjë me një prodhim, nga gratë e zonave të thella malore. Çka, menjëherë të lidh me pastërtinë, me llojin e veçantë të bimësisë së pastër, larg pesticideve që përdoren në këto zona etj.”
Për Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Vlahutin, produktet e këtyre zonave duhet të arrijnë qëllimin të jenë të dallueshme nga të gjithë konsumatorët, duke i dhënë vlerën dhe vendin e duhur. Ajo është shprehur se mjete të tilla të promovimit, janë rruga më e mirë për zhvillimin e këtyre zonave të thella malore, gjë që kërkon një mobilizim kolektiv të të gjithë aktorëve në terren.
“Ne dëshirojmë t’ju nxjerrim nga situata, në të cilën shisni një kavanoz një fqinji, apo duke improvizuar dyqane apo tregje në rrugë. Ne dëshirojmë t’ju ndihmojnë të rriteni pak nga pak, ku produktet e prodhuara në zonat malore, nga gratë e këtyre zonave malore, të jenë të identifikueshme.”
Sipas ministrit Peleshi, këto produkte nën këtë logo promocionale, do të tregtohen në rrjetet e dyqaneve “Edua”, të cilat po ngrihen me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë. Në Skemën kombëtare të mbështetjes financiare u parashikua një mbështetje për rrjetin e dyqaneve të produkteve tipike, “EDUA” deri 2 milionë lekë. Natyrisht, këto produkte do të tregtohen dhe në tregjet pranë zonave te tyre të prodhimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.